Gjykata Speciale dhe Shtetndërtimi

Miratimi i Gjykatës Speciale u prit me mjaft entuziazëm nga shumë qytetarë. Një pjesë tjetër qytetarëve, duke u bazuar në përvojat e mëhershme të drejtësisë ndërkombëtare, janë skeptik rreth efekteve pozitive që mund t’i ketë ky mekanizëm ekstra-territorial gjyqësor.
 
Mjerimi, varfëria dhe robëria i ka shtyrë shumë qytetarë të Kosovës që gjithnjë të kërkojnë përgjigje për problemet e Kosovës nga jashtë. Në rastet kur përgjigjet ndaj ҫështjeve të rëndësishme kanë rezultuar jo-komform pritjeve që i kanë patur, reagimi i tyre ka qenë i tillë që është arsyetuar veprimi që ka bërë të mundur mos-arritjen e suksesit të pritur, e mbështjellur pra me teori të ndryshme konspirative.
 
Ndërkohë, ka edhe të atillë të cilët, me ngulm, insistojnë që mënyra më e mirë për zhvillim dhe përparim është domosdoshmëria për t’iu përgjigjur sfidave nga brenda, e ndihmuar nga jashtë. Unë i takojë grupit të dytë të mendimit.
 
Miratimi i Gjykatës Speciale është bërë për arsye strategjike. Sponzorizuesit e pavarësisë së Kosovës janë duke u përballur që një kohë me akuzat nga Rusia, Kina, Serbia për dështimin e projektit duke aluduar që ata kanë krijuar një shtet të dështuar, i cili është shëndrruar në një territor parajsë për krimin e organizuar. Pra, qëllimi i krijimit të Gjykatës Speciale është që shtetet përëndimore të mund të kenë mburojë argumentative ndaj kësaj akuze.
 
Së dyti, duke e marr për bazë që një pjesë e mirë e të akuzuarve potencial janë pasuruar shumë duke u shëndrruar në monstrum politik, të cilët tani kanë mjaftueshëm potencial destabilizuez të situatës politike dhe atë të sigurisë, sabotimi i punës së Gjykatës është mëse evident. Nuk përjashtohet mundësia që do të ketë eliminime fizike të dëshmitarëve.

Së treti, duke e patur në konsideratë që mandati i Gjykatës nuk do të jetë i kufizuar në aspektin kohor, rreziku mund të shfaqet në atë se vëmendja ndaj ҫështjeve me rëndësi jetike për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës si: zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe demokratizimi shoqëror e institucional, do të vazhdojnë të jenë peng i defokusimit të vëmendjes së opinionit publik tek pompoziteti i akuzave që mund të vijnë nga Gjykata.
 
Dhe, së katërti, por jo nga rëndësia, është piadestali paradoksal me kundërshtimin që i bëri në qeveri, Lista Serbe, miratimit të Projekt-ligjit për financimin e shërbimeve të mbrojtjes juridike të të akuzuarve potencial nën arsyetimin që shteti nuk duhet të jetë barë e ngarkesës së buxhetit për t’a financuar mbrojtjen e atyre që kanë kryer krime. Paramendoni!
 
Si përfundim, rreziku është i madh që puna e Gjykatës Speciale të dështoj, por jo në sytë e akterëve perëndimor, por tek sytë e qytetarëve të Kosovës. Përderisa nuk e ndërrojmë bindjen e krijuar ndër vite se faktori i jashtëm është përcaktues për të ardhmen e Kosovës, duke përjashtuar faktorin e brendshëm, fati i ynë do të jetë gjithnjë i vizatuar sipas rezultateve të lojës së shahut, në mes të fuqive të mëdha. Faktori i brendshëm duhet të ndihmohet nga ai i jashtëm dhe rezultatet mund të jenë shpresëdhënëse. Shtëpinë tonë më së miri e njohim dhe e duam ne, jo e kundërta.
 
Ndërkohë, i inkurajoj qytetarët e pashpresë që të jenë skeptik rreth sukseseve të kësaj gjykate. Mbase pritja është dera e dëshpërimit.