Vetërespekti

Shumë bashkëpartiakë të Ibrahim Rugovës rikujtojnë periudhën kur diplomacia botërore filloi të interesohet më shumë për çështjen e Kosovës. Ishte një periudhë dramatike përgjatë së cilës, duke e marrë për bazë dimensionin shumë të cekët gjeostrategjik që përbënte Kosova atëbotë, kultura e diplomacisë së liderëve të atëhershëm duhej të kishte parasysh kontekstin mjaft të disfavorshëm të krijimit të mundësive për të arritur synimet strategjike të cilat i proklamonin.

Shumë bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës rikujtojnë që jo gjithmonë ai është pajtuar me qëndrimin e fuqive të mëdha gjatë bisedave për çështjen e Kosovës. Ka raste kur qëndrimet kanë qenë diametralisht të kundërta. Ibrahim Rugova ka qëndruar pas atyre qëndrimeve politike edhe pse nuk janë pajtuar fuqitë e mëdha. Mirëpo, duhet të cekim që, duke e marr parasysh mendësinë e hapur të liderëve të fuqive perëndimore, duke përfshirë dhe rëndësinë që përbën për ta kultivimi i marrëdhënieve të mira me shtetet, atyre, megjithëse të fuqishëm në sferën ndërkombëtare, mund t’iu ndërrohet mendimi.

Mjafton që subjekti i cili është duke u ballafaquar me ta në biseda duhet të jetë i qartë në artikulimin e argumentimeve se përse qëndron prapa atyre qëndrimeve politike; që ky lidership të ketë legjitimet, të pranojë parimet e demokracisë dhe lirisë dhe të mundohet t’i ndihmojë popullit të cilin e përfaqëson në rritjen e mirëqenies dhe sigurisë. Pra, nëse këto kushte plotësohen, subjekti i cili është duke biseduar me fuqitë e mëdha ka gjasa shumë të mëdha që të arrij të ndërroj qëndrimin e këtyre fuqive, normalisht duke lëshuar pe edhe në qëndrimet e veta.

Raste të këtilla, të cilat karakterizohen me lëshim pe të fuqive të mëdha karshi interesave të fuqive të vogla, janë të panumërta.

Edhe pse pjesa dërrmuese e shteteve perëndimore e kanë njohur Kosovën, Serbia vazhdon të qëndrojë prapa qëndrimeve të saj për mos-njohje. Përkundër qëllimeve të saj strategjike për t’u anëtarësuar në BE, proces i cili pritet të kushtëzohet me njohjen e Kosovës apriori, Serbia vazhdon të këmbëngulë që Kosova është pjesë e saj dhe se do të mundohet t’i bindë vendet e tjera që ende nuk e kanë njohur, të vazhdojnë ta mbajnë të njëjtin qëndrim. Pra kjo kokëfortësi për t’i mbajtur qëndrimet e veta tregon vetërespekt, si dhe i bën palët e tjera më të gatshme t’i dëgjojnë edhe kërkesat e saja. Është shumë problem t’i identifikojmë pasojat me të cilat është përballur Serbia deri më tani për shkak që nuk e ka njohur Kosovën. Përkundrazi, pozicioni i saj gjeostrategjik në raport me avancimin e interesave të saja veçse është forcuar.

Rasti tjetër ka të bëjë më Shqipërinë. Fill pas ndërrimit të pushtetit, Edi Rama u përball me një kërkesë nga bashkësia ndërkombëtare, kërkesë e cila zgjoi kërshërinë e analistëve të ndryshëm si dhe veçanërisht një numri të konsiderueshëm të njerëzve, të cilët organizuan protesta në kundërshtim të kësaj kërkese. Kërkesa kishte të bënte me dhënien e lejes për shfrytëzimin e territorit të Shqipërisë për çmontimin e armëve kimike, të cilat ishin dorëzuar nga Asadi i Sirisë. Kjo kërkesë u përball me një kundërshtim të madh të qytetarëve të Shqipërisë. Kishte edhe prej atyre të cilët arsyetonin që kërkesa e miqve ndërkombëtarë do të duhej të haste në një përgjigje afirmative. Me gjithë klithmat e tilla, Edi Rama kishte një numër të konsiderueshëm të argumenteve se edhe pse Shqipëria nuk mund ta lejojë një gjë të tillë, ajo do të vazhdonte bashkëpunimin me aleatët.

Institucionet e Shqipërisë e refuzuan këtë kërkesë dhe fuqitë e mëdha nuk i tensionuan marrëdhëniet me të. Përkundrazi.

Rasti tjetër eklatant është ai i Greqisë. Megjithëse është debitorë e madhe ndaj vendeve të tjera të zhvilluara kreditore, arrin që të shfrytëzojë çdo mundësi diplomatike për të mos lëshuar pe ndaj qëndrimeve të cilat janë formuluar si pjesë e fushatës së partisë në pushtet. Pra kjo parti ka bërë premtime që nuk do të jenë të lehta për t’i mbajtur gjatë negociatave për ndryshimin e termave për kthimin e borxhit me kreditorët, dhe edhe pse është e dërrmuar nga kriza ekonomike dhe borxhi i saj është jashtëzakonisht i madh, ajo prapë nuk lëkund qëndrim përball arsyeshmërisë së tyre. Dhe për të qenë edhe më kredibil përball qytetarëve, qeveria vendosi që të organizoj një referendum nëse kërkesat e kreditorëve janë të pranueshme nga ana e qytetarëve.

Rasti i fundit i refuzimit të miratimit të Gjykatës së Veçantë [e njohur gjerësisht si Gjykata Speciale] nga ana e Kuvendit nuk përbën kërcënim për tensionimin e marrëdhënieve të Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Përkundrazi, kjo vetëm se ja ka forcuar Kosovës pozicionin e saj. Përderisa institucionet e Kosovës janë të afta të ofrojnë një alternativë tjetër të arsyeshme, nuk ka vend për frikë.

Skena politike e Kosovës është duke u përballur, që nga paslufta, me fenomenin e servilizmit. Servilizmi krijohet si pasojë e dosjeve me precedent kriminal në llogari të shumë bartësve të institucioneve, të cilat shërbejnë si levë për shantazh. 

Së këndejmi, servilizmi kurrë nuk mund të shpërblehet mirë në negociatat në sferën e diplomacisë veqse iu shërben përkohësisht bartësve të institucioneve në mënyrë që të qëndrojnë në pushtet edhe për pak kohë. Marrëveshjet që derivojnë si rezultat i subordinimit kanë zakonisht jetëgjatësi të vogël dhe shumë shpesh ngjallin tensione tek qytetarët më vonë. Në këto raste qytetarët mbesin më të dëmtuarit.