Gabimet e kushtueshme të gjyqtarëve që nuk e dinë ligjin

Qindra orë pune të gjykatave, avokatëve, prokurorëve e stafit administrativ të sistemit të drejtësisë hidhen poshtë për shkak të gabimeve ligjore që i bëjnë gjyqtarët gjatë trajtimit të çështjeve.

Të dhënat e sistemit të drejtëisë tregojnë që 9% e lëndëve në gjyqësor kthehen në pikën zero për shkak të gabimeve që gjyqtarët i bëjnë në ndjekjen e procedurave ligjore.

Minimumi 4 vite përvojë punë juridike, duke llogaritur edhe trajnimin në Akademinë e Drejtësisë, duhet t’i ketë një jurist para se të ushtrojë funksionin e gjyqtarit në Kosovë.

Përderisa për të ndarë drejtësinë në krimet e rënda, përvoja duhet të jetë edhe më e gjatë dhe atë së paku 3 vite si gjyqtar që gjykon krime më të lehta.

Ndonëse ligjvënësi ka përcaktuar standarde të larta profesionale që një jurist të ndajë drejtësinë, në praktikë rastet kur gjyqtarët shkelin ligjet janë mjaft të shpeshta.

Për eleminimin e këtyre shkeljeve çdo qytetar që është palë në procedurë ka të drejtën ta apelojë vendimin e gjykatës dhe të kërkojë ndryshimin e vendimeve gjyqësore. 

Të dhënat e mbledhura për periudhen 2015-2019 tregojnë se 67% të vendimeve të gjykatës së shkallës së parë për të cilat vendos Gjykata e Apelit janë pa shkelje ligjore dhe vërtetohen ndërsa 33% prej tyre prishen ose ndryshohen. 

Analiza e të dhënave tregon se shumica e rasteve që prishen nga Gjykata e Apelit dhe kthehen në rigjykim kanë të bëjë me shkeljen e Kodit të Procedurës Penale ose Kodit Penal nga ana e gjyqtarëve.

Sipas të dhënave, 9% të rasteve të cilat kthehen në rivendosje janë si rezultat i shkeljeve procedurale ndërsa 4% prej tyre prishen për shkak se gjykatat vendosin në kundërshtim me provat që i kanë, pasi vlerësojnë në mënyrë të gabuar rastin. Shkeljet e Ligjit Penal janë më të rralla pasi 2% të rasteve ndryshohen për shkak të kësaj natyre. 

Ndërkaq 7% të rasteve që ndryshohen të dënuarve u zbutet dënimi ndërsa në 6% u ashpërsohet dhe në 5% të rasteve ndryshohet për arsye të tjera. 

Shkelje e procedurës konsiderohet në rastet kur gjyqtari nuk e zhvillon procesin gjyqësor ashtu siç e ka përcaktuar Kodi i Procedurës Penale, pra nuk u përmbahet rregullave ligjore të cilat i ka përcaktuar ligjvënësi.

Shkelja e tillë paraqitet si arsye që Gjykata e Apelit të prishë vendimin e shkallës së parë dhe ta detyrojë gjykatën që ta gjykojë sërish nga fillimi atë çështje penale.

Përsëritja e proceseve gjyqësore nga fillimi zakonisht merr disa vite për t’u përfunduar, çka paraqet mundësinë që qytetarët të privohen nga njëra prej të drejtave më elementare të njeriut të cilat i njeh Kushtetuta e vendit dhe konventat ndërkombëtare – të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. 

Përderisa shkelje e Ligjit penal konsiderohet rasti kur personi gjykohet për një vepër që nuk parashihet në Kodin Penal, gjykohet edhe pse ka rrethana që e përjashtojnë fajësinë e tij, personi gjykohet edhe pse vepra penale është vjetërsuar dhe nëse gjykohet me ligj edhe pse është dashur të gjykohet me një tjetër ligj material.

Në këto raste gjykata e shkallës më të lartë merr aktgjykim përmes të cilit e ndryshon vendimin e shkallës së parë.

Bazë tjetër për ankesë ndaj vendimit gjyqësor është edhe rasti kur gjyqtarët gabimisht e vërtetojnë çështjen penale, pra nxjerrin përfundime krejtësisht të kundërta me provat të cilat gjendet në shkresat e lëndës (i vlerësojnë në mënyrë të gabuar provat).

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Shkeljet ligjore të gjyqtarëve që gjykojnë krimet në Kosovë

Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës 2015-2019 gjyqtarët në 1,013 raste kanë shkelur Kodin e Procedurës Penale ndërsa në 233 raste kanë shkelur Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Këto të dhëna tregojnë se sistemi gjyqësor në vend se të shkojë duke u përmirësuar ka rezultuar të ndodhë e kundërta pasi çdo vit ka pasur rritje të shkeljeve procedurale nga gjyqtarët në nivel vendi.

Pra, nga 7 shkelje procedurale të cilat ishin konstatuar në vitin 2015, numri i shkeljeve në vitin 2019 kishte shkuar në 445.

Ndërsa kur analizohet numri i shkeljeve në departamente të caktuara rezulton se numri më i madh i shkeljeve ka ndodhur nga gjyqtarët që gjykojnë të vetëm çështjen, përderisa numri i shkeljeve në rastet kur gjykojnë tre gjyqtarë së bashku është më i vogël.

Mirëpo ajo çfarë bie në sy te këto të dhëna është se edhe në rastet kur çështjet gjykohen nga trupi gjykues prej tre gjyqtareve është në rritje e sipër.

Kjo pasi në vitin 2015 Gjykata e Apelit kishte konstatuar se vetëm në një rast ishte shkelur Ligji procedural nga trupi gjykues ndërsa në vitin 2019 numri i shkeljeve kishte shkuar në 147 raste.

Ndërsa te shkelja e Ligjit penal të dhënat tregojnë se gjyqësori ka pasur përmirësime të mëdha ndër vite pasi numri i shkeljeve pas vitit 2016 e deri në vitin 2019 ishte pothuajse zero.

Përpos tjerash këto të dhëna tregojnë se përqindja e vendimeve të shkallës së parë të cilat vërtetohen nga Gjykata e Apelit është mesatarisht 67% në vit.

Ngjashëm është edhe përqindja e vendimeve të vërtetuara në rastet e korrupsionit. Të dhënat e siguruara nga Gjykata e Apelit tregojnë se gjatë viteve 2020, 2021 dhe 2022 janë vërtetuar 64% të aktgjykimeve në rastet e korrupsionit për të cilat kishte vendosur gjykata e shkallës së parë. 

Këto të dhëna tregojnë se në vitin 2022 vërehet një përqindje më e ulët e rasteve të vërtetuara nga Gjykata e Apelit, pasi nga 64% të aktgjykimeve që vërtetoheshin në vitin 2020 kjo përqindje gjatë këtij viti ka rënë në 58%.

Shkeljet ligjore të gjyqtarëve që gjykojnë kontestet e qytetarëve

Gjendja në divizionin civil sa i përket shkeljeve procedurale nga ana e gjyqtarëve rezulton të jetë më e rëndë. Në këtë divizion në shkallë të parë gjykon një gjyqtar i vetëm i cili duhet të kujdeset për rregullsinë e procesit gjyqësor.

Të dhënat e bëra publike nga databazë, tregojnë se ka pasur luhatje të dukshme sa i përket numrit të shkeljeve në këtë divizion. Edhe në këtë divizion ndonëse kishte trend të rënies së numrit të shkeljeve në fund të vitit 2019 kishte ndodhur e kundërta pasi numri i shkeljeve ishte dyfishuar në krahasim me një vit më parë.

Për dallim nga divizioni penal ku mesatarja e vendimeve të cilat vërtetohen në 67% të rasteve,  në divizionin civil kjo përqindje është më e ulët. Të dhënat tregojnë se në ketë divizion vërtetohen rreth 60% e rasteve brenda një viti.

 Shkeljet ligjore të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit

Ndonëse janë të thirrur për të mos lejuar shkelje ligjore të gjyqtarëve në shkallë më të ulët, praktika ka treguar se edhe gjyqtarët në Gjykatën e Apelit bëjnë shkelje ligjore.

Në rastet kur gjyqtarët e shkallës së parë bëjnë shkelje që rezultojnë lirimin e të akuzuarve gabimet mund të përmirsohen nga Gjykata e Apelit dhe të akuzuarit mund të dënohen, mirëpo kjo mundësi nuk ekziston edhe në rastet kur gabimet e Apelit dërgojnë në lirimin e të akuzuarve. Kjo pasi Gjykata Supreme si gjykata më e lartë në vend nuk ka të drejtë të dënojë të akuzuarin ndonëse është liruar për shkak të gabimeve gjyqësore të gjykatave më të ulëta.

Gjykata që jep fjalën e fundit në vend ka të drejtën vetëm të konstatojë se i akuzuari ishte liruar në mënyrë të kundërligjshme mbi bazën e shkeljeve ligjore.

Raste të tilla ka pasur gjatë këtyre viteve të fundit dhe pjesa më e madhe e tyre kanë ndodhur në çështje të korrupsionit. Pasoja e këtyre shkeljeve ligjore bëri që të akuzuarit për vepra korruptive të shpëtojnë pa e vuajtur asnjë ditë në burg.

Sipas të dhënave të Gjykatës Supreme gjatë viteve 2015-2021, Gjykata e Apelit e kishte shkelur në 27 raste Ligjin në favor të të akuzuarve.

Të dhënat e paraqitura në tabelë tregojnë se numri më i madh i të liruarve mbi bazën e shkeljeve ligjore është në rastet e korrupsionit. Përderisa shkelje ka edhe në rastet e veprave më të lehta penale si trafikimi, kontrabanda, shmangia tatimore, vjedhja, lëndimi etj.

Siç përshkruhet edhe në të dhënat e mësipërme, Gjykata Supreme ka konstatuar se ka pasur edhe të akuzuar për krime lufte, vrasje dhe krim të organizuar që i kanë shpëtuar drejtësisë pa shkuar në vuajtje të dënimit me burgim.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativave të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.