Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Evoluimi kaotik i Prishtinës nxit nostalgjinë për të kaluarën

Peizazhi arkitektonik i Prishtinës ka ndryshuar shumë pas luftës. Si u kthye Prishtina nga një kryeqytet i këndshëm në një qendër të kaosit, dhe a ka një mënyrë për ta drejtuar në një kahje tjetër?

Në një nga lagjet më të vjetra të Prishtinës, Dardania, muret e një kafeneje akoma pëshpëritin jehonat e shekullit të kaluar. E mbushur me fotografi ndjellëse bardh e zi, kafeneja ‘Te Pini’ qëndron si një testament për një Prishtinë të shkuar.

E emërtuar “Te Pini’, me emrin e birit të Mbretit Agron dhe Mbretëreshës Teutë të Ilirisë, kjo kafene vë në dritë  rreth 100 fotografi të Prishtinës së vjetër. Pronari i saj, Metiner Rexha, tashmë 61 vjeç, hapi kafenenë në një kohë kur nuk kishte ndërtesa që e rrethonin.

Kafeneja “Te Pini” në Dardani të Prishtinës që ka ruajtur rreth 100 fotografi të Prishtinës së vjetër. Foto: Prishtina Insight

Prishtina ka ndryshuar shumë që atëherë. Rexha kujton kohën e kaluar, megjithatë e kupton se zhvillimi është i pamohueshëm. Megjithatë, ai gjen gjendjen e tanishme të Prishtinës shqetësuese, të karakterizuar nga rritja kaotike dhe zgjerimi urban i pa kontrolluar.

Peizazhi arkitektonik i Prishtinës, njëherë modest me pak ndërtesa deri në fund të viteve 1990, ka kaluar në një metamorfozë të thellë në erën pasluftës. Tani kryeqyteti shfaq një përzierje eklektike të stileve dhe strukturave që duket se sfidojnë gravitetin. Megjithatë, ky evoulim nuk ka kaluar pa polemika. Shumë vendas e perceptojnë atë si një largim befasues nga identiteti historik i qytetit, duke kontribuar në një ndjenjë çrregullimi dhe rrëmuje në strukturën urbane.

Një xhami në një anë, një kishë në anën tjetër, dhe një kështjellë ikonike me kafene të vogla përrreth, në zemrën e qytetit, ishin karakteristika arkitektonike të Prishtinës.

Prishtina e vjetër. Foto: Arkiva e Kosovës.

Tani, kryeqyteti është një qendër e kaosit.

Pas migracionit të madh urban pas luftës, Prishtina është kthyer në një qendër me ndërtesa të larta pa një standard të përbashkët. Strukturat e mëdha janë vendosur pranë njëra-tjetrës pa ndonjë model të dukshëm, të përziera me shtëpi të vogla dhe apartamente të ngjyrosura.

“Deri në vitin 1990, kisha e vjetër ndodhej pranë ‘Hotel Grand’, xhamia ishte aty ku sot është ‘Swiss Diamond’, dhe një kafene e këndshme zinte vendin ku ishte ndërtuar xhamia, por asnjë prej këtyre nuk është ruajtur”, thotë me trishtim Metiner Rexha gjatë një bisede me Prishtina Insight.

“Pse po varrosim të kaluarën tonë?”, pyet Rexha.

Metiner Rexha, pronar i kafenesë “Te Pini”. Foto: Prishtina Insight.

Ruajtja e çdo shtrese të Prishtinës, e ndërtuar në periudha të ndryshme, është thelbësore që kryeqyteti të mishërojë një shkrirje të pasur qytetërimesh duke ruajtur identitetin e tij të veçantë.

Një nga fotot bardh e zi në kafenenë e Rexhës tregon lagjet ‘Veterniku’ dhe ‘Arbëria’, pa asnjë ndërtesë në atë kohë. Sot këto zona qëndrojnë ndër pjesët e zhurmshme të kryeqytetit.

Një fotografi tjetër përshkruan qendrën e qytetit pranë Teatrit Kombëtar, pa ndërtesa përreth dhe me një pishinë ku tani qëndron me krenari obelisku NewBorn.

Prishtina e vjetër. Foto: Arkiva e Kosovës.

“Ka shumë pak objekte në Prishtinën e pasluftës që mbartin një identitet të veçantë, përveç monumentit të NewBorn, i cili tani është bërë simboli i qytetit”, shprehet Rexha, me pikëpamjen e tij të ngjyrosur me pesimizëm për ndërtimet e reja.

Ai vajton mungesën e përpjekjeve për ruajtjen e ndërtesave të vjetra dhe mungesën e identitetit në ndërtimet e reja, të cilat i cilëson si apokaliptike.

Rexha, banor i vjetër i Prishtinës, kujton me dashuri epokën kur karrocat me kuaj mbushnin rrugët e qytetit.

“Prishtina ka qenë aq e vogël atëherë saqë kur e shihnim një Mercedes u habitshim”, ka përfunduar me nostalgji Rexha.

 

“Qyteti i Përjetimeve”- Moto e re me pritshmëri të freskëta

Në vitin 1992, një vit para hapjes së kafenesë së Rexhës, kryetari i tanishëm, Përparim Rama, migroi për në Londër. Ai u kthye pas tre dekadash për të udhëhequr qytetin.

Arkitekt me profesion, Rama merr drejtimin e Prishtinës me qëllimin për të adresuar kaosin urban që kishte kapluar kryeqytetin.

Në fillim, vizioni i tij për të lidhur lagjet e Prishtinës në mënyrë që qendrën ta kishte në dispozicion brenda gjashtë minutave nga çdo lagje dukej ambicioz për qytetarët. Megjithatë, gjatë mandatit të tij u përfunduan disa projekte, përfshirë heqjen e bllokimit të makinave në Sheshin “George Bush”, rregullimin e shkallëve të Postës së Madhe dhe përfundimin e Parkingut Nëntokësor.

Ndërsa këto projekte datojnë në vite të mëhershme, Rama ka nisur edhe plane për të kthyer ndërtesën e mëparshme të Gërmisë në një sallë koncertesh dhe muze arti, duke e ruajtur identitetin e saj.

Megjithatë, dy vjet pas marrjes së mandatit nga Rama, Prishtina ende ballafaqohet me kaos.

Kryetari i ri mbetet i hapur për eksperimentim, edhe pse ka ankesa për trafikun nga shumë qytetarë. Ai kishte premtuar se nën udhëheqjen e tij, Prishtina do të zhvillohej në një qytet që mishëron tradicionalen dhe modernitetin.

Sipas kryetarit, një nga faktorët kryesorë të kaosit urban ka qenë pamundësia e shërbimeve të sektorit publik ta mbërrijë hovin e sektorit privat. Pra, përderisa në njërën janë zhvilluar një numër i madh i rezidencave nëpër periferi të kryeqytetit, nuk janë zhvilluar rrugët apo logjistika, kanalizimet, uji, shërbimet shkollore apo shëndetësore.

“Ndjesia që ta ofron Prishtina ka impakt të madh edhe në krijimin e identitetit dhe karakterit të qytetit. Identiteti nuk është vetëm aspekti  fizik apo pamor, apo stili arkitektonik, por është edhe ndjenja e qytetarëve që jetojnë e punojnë e kalojnë jetën e tyre nëpër hapësira të kryeqytetit”, tha Rama në një intervistë me Prishtina Insight.

Ai theksoi se çdo ndërtim dhe zhvillim në një qytet, sidomos në kryeqytet, ndikon në njerëzit në mënyrë pozitive ose negative. Kjo nënvizon përgjegjësinë kryesore që duhet të mbajnë arkitektët, planifikuesit urbanë, kryetarët komunalë dhe vendimmarrësit për të përshtatur zhvillimin e qytetit me nevojat e qytetarëve.

Me përvojë të gjatë në arkitekturë, Rama pohon se shumë ndërtime të pasluftës në Prishtinë nuk janë në thelb të dëmshme; ato mund të ishin projektuar për t’u shërbyer banorëve të qytetit në mënyrë efektive, pa e dëmtuar peizazhin e tij urban. “Por nëse nuk janë në përputhje me nevojat e qytetarëve, atëherë nuk na duhen”.

Ndërtesat e larta, gati rrokaqiej që janë duke u ndërtuar në Prishtinë, Rama i sheh si pozitive për mjedisin, sepse përdorin më shumë hapësirë ajrore se hapësirën tokësore. Megjithatë, ai nuk është gjithmonë i kënaqur me zgjedhjet arkitektonike të bëra për strukturat e rëndësishme, siç është rasti  për ‘Xhaminë e Madhe’. Ai beson se teknologjia moderne mund të ishte përdorur për të krijuar një paraqitje të re në terma të formës dhe materialeve, në vend që të rikthehet tek aspektet arkitektonike të kaluara.

“Çdo periudhë duhet të përfaqësohet në stilin e vet”, theksoi Rama.

Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Megjithatë, ai beson me vendosmëri se Prishtina posedon një ndjenjë pozitive, të veçantë dhe kreative që tejkalon ndërtesat dhe stilet arkitektonike të ndryshme.

Një përzierje e gjithçkaje

Nëse vrojton rreth e qark në Prishtinë, njeriu has ndërtesa që qëndrojnë si gjurmë të epokës komuniste, tani të konsideruara si simbole ikonike. Ndërsa këto ndërtesa njëherësh shiheshin si zhdukja e identitetit të qytetit, tani vlerësohen si pjesë thelbësore e trashëgimisë së Prishtinës, me shumë prej tyre që gëzojnë mbrojtje nga shteti.

Në vitet 1950, nën regjimin socialisto jugosllav, motoja e zhvillimit urban të shtetit ishte ‘Shkatërroni të vjetrat, ndërtoni të reja’. Ndërtesat e erës komuniste ende qëndrojnë nën qiellin e Prishtinës, veçanërisht ato që dikur shërbenin si struktura publike dhe tani janë simbole të qëndrueshme të qytetit, si Pallati i Rinisë dhe Sportit, i cili, megjithëse tani pothuajse me funksion të kufizuar, mbetet një strukturë emblematike.

Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Nga vitet 1960 deri në vitet 1990, kur Kosova ishte pjesë e Federatës Jugosllave, strategjia politike dhe e zhvillimit urban i kushtonte përparësi ndërtimit të rrugëve dhe ndërtesave sociale dhe kulturore shumëfunksionale, siç është detajuar në një punim shkencor nga Teuta Jashari Kajtazi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Pavarësisht qëllimeve të vjetra për të zhdukur karakteristikat e mëparshme të qytetit dhe për të prezantuar një estetikë më moderne, këto ndërtesa të epokës komuniste pa dyshim kanë lënë një gjurmë të pashlyer në peizazhin arkitektonik të Prishtinës, të karakterizuar nga një stil arkitektonik i përbashkët dhe përdorimi i betonit.

Nëpër dekada, çdo ideologji politike që ka ardhur në Prishtinë, përfshirë komunizmin, ka kërkuar të krijojë diçka të re, duke riformuar në të njëjtën kohë edhe qytetin dhe njerëzit, siç është theksuar nga Arsim Canolli, profesor i Antropologjisë së Kulturës Materiale në Universitetin e Prishtinës.

Megjithatë, periudha e Millosheviqit nga viti 1998 deri në vitin 1999 shënoi një fushatë shkatërrimi fizik të monumenteve kulturore, përfshirë xhamitë si ‘Xhamia e Llapit’, dhe shkatërrimin e qëllimshëm të ndërtesave si Arkiva e Komunitetit Islam, sipas raportit të European Stability Initiative. Më 9 qershor 1999, autoritetet serbe zhvendosën tërë arkivin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve nga Kosova në Beograd.

Në perspektivën e Canollit, Prishtina shihet si një qytet mozaik dhe “i arnuar” si përzierje e stileve arkitektonike otomane, austro-hungareze, komuniste dhe bashkëkohore me pika monumentale historike dhe estetike. Ky mozaik përfshin pikat e spikatura si komplekset rezidenciale të epokës komuniste, sheshet e vogla me buste të mëdha, Kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe lagjet e reja gri e me rrokaqiej në Lakrishtë.

Sipas Canollit, Prishtina ka identitetin e saj arkitektonik por që është i karakterizuar nga nën-kulturat e ndryshme ku njerëzit përfshijnë stile të ndryshme si gjermane, turke dhe amerikane. Por, ndërtimet më të reja ato i konsideron kaos.

“Ndërtimi i vazhdueshëm që nga viti 2000 është një traumë për qytetarët e Prishtinës”, shtoi ai duke e përmbledhur mendimin e tij me fjalinë “kanë ndodhë si në bahçe të babës”.

Canolli gjithashtu identifikon lagjet e mbyllura në periferi të qytetit, të banuara nga një klasë e re e banorëve, si një nën-kulturë e re që ka grumbulluar kapital ekonomik. Gjithashtu, ka lagje që ruajnë infrastrukturën socialiste me zhvillime arkitektonike minimale, si dhe zona që ende mbajnë atmosferën e fshatrave të vogla ose lagjeve të ngushta me familje të afërta.

Ndërsa Prishtina krenohet me një histori të pasur që daton që në kohët prehistorike, pjesa e vjetër e qytetit, e cila ka evoluar nga fshati në një qytet otoman, ka pësuar shkatërrime të konsiderueshme në dy shekujt e fundit, sidomos gjatë periudhës komuniste dhe pas luftës së vitit 1998-1999.

Prishtina e vjetër. Foto: Arkiva e Kosovës.

Edhe pse shpreh shqetësime për humbjen e trashëgimisë kulturore, Canolli pranon se Prishtina mbetet e hapur ndaj ideve të reja, falë ndikimit të shumtë të diasporës kosovare. Si rezultat, Prishtina ka zhvilluar një “vetëdije mimetike për zhvillimin”, një lloj fantazie që të duket “si jashtë” ose si vendet perëndimore.

 

Transformimi urban i Prishtinës

Banorët e Prishtinës shpesh e krahasojnë qytetin e tyre me një xhungël urbane.

Yll Rugova, i cili ka shërbyer si Drejtor i Kulturës në Prishtinë dhe si Zëvendësministër i Kulturës, reflekton mbi zhvillimin e kryeqytetit, i cili ka përjetuar tre valë të rëndësishme që nga përmendja e parë në vitin 1342. Në shkrimin e tij të titulluar “The New Capital in the Block”, Rugova shkruan se vala e parë ndodhi gjatë Perandorisë Osmane, kur Prishtina shërbeu si qendër administrative e sanxhakut, një njësi administrative gjatë Perandorisë Osmane.

Vala e dytë ndodhi në vitin 1947 kur Prishtina mori rolin e kryeqytetit të Kosovës, që ishte në atë kohë një rajon autonom i Serbisë. Vala e tretë po ndodh sot, si Prishtina zhvillohet dhe po përmirësohet gjithnjë e më shumë si kryeqyteti i Kosovës së pavarur.

Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Valdet Osmani, Kryetar i Asociacionit së Arkitektëve të Kosovës, në një intervistë me Prishtina Insight, i atribuon gjendjen “të dobët” të ndërtesave të reja në Prishtinë menaxhimit të gabuar gjatë viteve të hershme pas luftës nga Drejtoria e Urbanizimit.

Osmani kërkon një hetim nga Prokuroria për shkak të skemës së urbanizmit që ka përgjegjësi për shkaktimin e kaosit urban dhe dëmtimin e pronës publike. Ai beson se shkatërrimi i qytetit nisi në vitin 2003 kur zyrtarët jo-profesionistë morën kontrollin e drejtorisë së urbanizmit, rezultuar në zhvillim të pakualifikuar dhe mungesë të mbikëqyrjes rregullative.

Sipas Osmanit, rrënja e problemit mund të gjuritet te Planifikimet Zhvillimore dhe Rregulluese, kritereve të ndërtimit dhe lejeve që lejuan ndërtimin pa respektuar ligjet dhe standardet teknike të duhura.

Gjithashtu, ai kritikon ndërtimin e Parkingut Nëntokësor, duke kosnideruar se kjo kundërshton parametrat arkitektonikë, të planifikimit urban dhe mbrojtjes së mjedisit.

Si rezultat, kur jepen kushtet dhe lejet e ndërtimit, ato shpesh shkelin ligjin, rregulloret teknike dhe planifikimet zhvillimore dhe rregulluese, duke përkeqësuar më tej rrënimin e qytetit.

 

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.