Foto: KALLXO.com

Dyqani qindravjeçar i briskpunuesit që pret të shndërrohet në objekt të trashëgimisë kulturore

Në njërën prej pjesëve të qytetit të Pejës, që dikur ka qenë e mbushur me dyqane njëkatëshe ku ushtroheshin zeje të ndryshme, gjendet edhe një dyqan qindravjeçar në të cilin vazhdon të ushtrohet zeja e briskpunuesit.

Në dyqanin e famijes Gorani punohen brisqe, thika, gërshërë dhe vegla të tjera.

Dyqani, tashmë i vetmi i këtij lloji në Pejë, daton nga shekulli XIX dhe ka mbetur i njëjti qysh prej vitit 1950 kur është rinovuar për herë të fundit.

Foto: KALLXO.com

Në vendin e njohur si “Rrethi i tyfekgjive” në Qarshinë e Gjatë, pronarët e këtij dyqani fillimisht merreshin me punimin e pushkëve e më pas me prodhimin dhe riparimin e brisqeve, thikave e gërshërëve, të cilat përdoreshin për qethjen e deleve.

Blerim Gorani, trashëgimtari i katërt i këtij zanati, tha për KALLXO.com se në objektin e këtij dyqani para tij kanë ushtruar zejen stërgjyshi, gjyshi e babai.

“Këtë zanat e kam të trashëguar por jo plotësisht. Gjeneratat e mëhershme janë marrë edhe me punimin e pushkëve, ndërsa tash unë merrem me riparimin e thikave, gërshërëve, sepse me prodhu prej pas luftës nuk prodhohen më duke qenë se në luftë shumica e mjeteve punuese kanë humb e janë vjedhur”, tha ai.

Foto: KALLXO.com

Por, përveç makinave e mjeteve për prodhimin e armëve të cilat kanë humbur të gjitha, shumë produkte tjera që janë punuar nga paraardhësit e tij, Gorani i ka ruajtur me fanatizëm në shtëpinë e tij.

Ai tregon që edhe pse ka pasur shumë kërkesa për ato prodhime nuk i ka shitur duke qenë se që një kohë e ka planifikuar që dyqanin ta shndërrojë në një mini-muze dhe të gjitha pajisjet e vjetra të ekspozohen për publikun.

“I kam ruajtur krejt pajisjet sepse vitin e kaluar kam bërë kërkesë në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka aprovuar kërkesën dhe tash jam duke pritur për me filluar me u restauru dhe me u vendos këtu të gjitha ato që i kam në shtëpi dhe njerëzit me i pa, se ka prodhime qindravjeçare”, tha ai për KALLXO.com.

Foto: KALLXO.com

Ai për KALLXO.com tha së të parët e tij prodhimin e thikave e kanë bërë nga brirët e kafshëve dhe shpjegoi disa procedura se si ka ardhur deri te produkti final.

“Për prodhimin e brisqeve janë përdorur edhe brirët e kafshëve. Ka qenë një pajisje e cila quhet tocill, në të cilën është vendosur ujë, një tjetër ka qenë me qymyr dhe ka shërbyer për përpunimin e lëndëve të para, e pastaj produktet kanë kaluar në pajisje tjera për modelim. Në vitet e kaluara krejt pajisjet kanë qenë mekanike e më vonë disa prej tyre i kemi shndërruar në makina më rrymë”, shpjegoi ai.

Blerimi tha së përveç punimeve të brisqeve, ai posedon edhe fotografi të veçanta të qytetit të vjetër të Pejës, dyqanit por edhe të familjarëve të tij të cilat u përkasin viteve të ndryshme.

Foto: KALLXO.com

Ndonëse zeja e briskpunuesit është një zanat që Gorani e ushtron me shumë dashuri ai thotë se aktualisht nuk ka shumë përfitim nga puna që bën.

“Më herët kemi pasë shumë punë por tash duke qenë se edhe thikat edhe gërshërët i blejnë të gatshme nuk ka shumë punë, ma shumë vijnë për ndonjë riparim i cili kushton 1 ose 2 euro, tash as gjeneratat tjera nuk mendojnë me vazhdu sepse prodhimin nuk e bëjmë, vetëm riparime”, tha Gorani.

Blerim Gorani tregon që shpeshherë prodhimet që i kanë punuar stërgjyshi e gjyshi i tij i ka hasur në tregje të qyteteve të rajonit dhe shumicën prej tyre i ka blerë për t’i ruajtur me fanatizëm në dyqanin e tij, duke qenë se disa prej produkteve janë prodhuar vetëm një herë para shumë viteve më parë.