Sllobodan Millosheviq, Alija Izetbegoviq dhe Franjo Tugjman gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Foto: Wikimedia

Dejton 2.0: Marrëveshja që i dha fund luftës në Bosnjë duhet rishkruar, por si?

Njëzet e pesë vjet më parë, një marrëveshje paqeje e hartuar në një bazë ajrore të Shteteve të Bashkuara në Ohajo i dha fund luftës në Bosnjë. Sot, ajo marrëveshje nuk i pëlqen askujt, por në një vend të ndarë politikisht, do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje për çdo reformë.

 

Disa duan që ajo të rishkruhet, duke zbutur rrugën e Bosnjës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Të tjerë duan që të rregullohet për të ndarë më tej pushtetin midis popujve. Disa, në mënyrë më radikale, duan që ajo të refuzohet si rrugë drejt shpërbërjes.

Ndërsa marrëveshja e paqes e Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje, mbush 25 vjet në nëntor, pak vetë do të nuk pajtoheshin që sistemi që ajo la trashëgimi duhet të ndryshojë. Por askush nuk pajtohet dot me mënyrën se si duhet bërë kjo gjë.

Një çerek shekulli që nga fundi i një lufte në të cilën rreth vdiqën rreth 100,000 njerëz, boshnjakët, serbët dhe kroatët e Bosnjës nuk bien dot dakord mbi mënyrën se si duhet të reformohet një sistem shumë i decentralizuar dhe kompleks i ndarjes së pushtetit etnik që, kritikët argumentojnë, e ka mbajtur vendi në një gjendje të përhershme grindjesh dhe krizash etno-politike.

“Unë e shoh atë si një marrëveshje paqeje që e kreu qëllimin e saj kryesor, që ishte t’i jepte fund luftës, por nuk i shërben më një qëllimi të rëndësishëm, që është qeverisja e qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në një mënyrë që ata të jenë të sigurt dhe të prosperojnë”, tha Daniel Serwer, një profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe ish i dërguari i SHBA-së në Bosnjë i cili mori pjesë në negociatat e paqes në një bazë ajrore të SHBA-së në Dejton, Ohajo, në 1995.

“Ka pasur disa momente kur kjo ka qenë pak më pak e vërtetë, por, praktikisht, keni parë luftën të vazhdojë me mjete politike”, tha Serwer për BIRN në një intervistë në Skype.

Për t’i dhënë fund luftës 1992-1995, negociatorët në Dejton e ndanë pushtetin midis dy entiteteve autonome dhe, brenda njërit prej këtyre entiteteve, midis 10 kantoneve. Institucionet qendrore mbetën të dobëta, me presidencën një marrëveshje trepalëshe që përfaqësonte tre popujt “përbërës” – boshnjakët, serbët dhe kroatët.

Kritikët e këtij rregullimi thonë se, ndërsa i dha fund luftës, Dejtoni është shfrytëzuar nga nacionalistët dhe duhet të ndryshohet, nëse vendi dëshiron të funksionojë në mënyrë më efikase dhe të ndjekë reformat që i kërkohen për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe NATO dhe për të siguruar stabilitetin dhe progresin ekonomik që dëshirojnë qytetarët e tij.

Për vite me radhë, Partia për Veprim Demokratik, SDA, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, dhe Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur, SNSD, kanë dominuar jetën politike.

SDA-ja boshnjake dhe HDZ-ja kroate kanë qenë në pushtet pak a shumë në mënyrë të pandërprerë që nga zgjedhjet e para të lira në republikën e atëhershme jugosllave 30 vjet më parë, ndërsa SNSD-ja serbe, nën drejtimin e Milorad Dodik, e mori stafetën nga Partia Demokratike Serbe e udhëheqësit të kohës së luftës të serbëve të Bosnjës dhe të dënuarit për krime lufte Radovan Karaxhiç.

Për një periudhë kohe pas luftës, mbështetësit e huaj të Bosnjës u bënë thirrje udhëheqësve boshnjakë që të pranonin ndryshimet në strukturën e Dejtonit, të tilla si zgjerimi i fuqive të qeverisë qendrore në kurriz të dy entiteteve autonome ose krijimin e një force të përbashkët të armatosur, por ato ditë janë zhdukur prej kohësh dhe Bosnja ka devijuar edhe më tej nga axhenda ndërkombëtare.

“Ndërkombëtarët janë përpjekur në mënyrë të përsëritur. Ata kanë dështuar dhe autoriteti ndërkombëtar i pushtetit është zbehur në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Serwer.

Ai argumentoi se mënyra e vetme për t’i ndryshuar gjërat do të ishte që boshnjakët të votonin kundër partive nacionaliste. “Unë nuk shpresoj që kjo të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. E njoh mirë realitetin. Por kjo është ajo që duhet të ndodhë.”

“Në fakt, nuk mendoj se është e mundur të bëjmë që partitë që janë në pushtet ta ndryshojë këtë sistem në një mënyrë të tillë që do t’i largonte ata nga pushteti. Ata e pëlqejnë këtë sistem dhe funksionon shumë mirë për t’i pasuruar ata.”

SHBA-ja përsërit thirrjen për ndryshim

Në vitin 2006, një “paketë prilli” e mbështetur nga SHBA-ja, për reforma kushtetuese gjithëpërfshirëse ishte më e afërta që mund të forconte qeverinë qendrore, por, megjithëse gëzonte mbështetjen e shumicës së partive kryesore, u votua kundër në parlamentin boshnjak.

Katërmbëdhjetë vjet më pas, ambasadori aktual i SHBA-së në Bosnjë, Eric Nelson, bëri thirrje muajin e kaluar për një kushtetutë të re.

“Pse? Sepse qytetarët boshnjakë duan të jenë pjesë e komunitetit Transatlantik”, tha Nelson për shërbimin boshnjak të Zërit të Amerikës. “Ekziston një gamë e tërë çështjesh kushtetuese që duhet të trajtohen në mënyrë që vendi të mund të përmbushë standardet transatlantike. Shumë nga ato çështje janë të vështira për t’u zgjidhur, por asnjëra prej tyre nuk është e pamundur.”

Si një shenjë të asaj që mund të arrijë vullneti politik, Nelson përmendi një marrëveshje të arritur në maj të këtij viti midis SDA-së dhe HDZ-së për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje elektorale kushtetuese dhe elektorale që kishte parandaluar votuesit në qytetin jugor të Mostarit të zgjidhnin këshilltarët lokalë.

“Sigurisht, nevojitej vullnet i fortë dhe kohë për të thënë përfundimisht se tani është koha për të ecur përpara”, tha Nelson.

Valentin Inzko, diplomati austriak i cili ka shërbyer si mbikëqyrës kryesor ndërkombëtar i marrëveshjes së Dejtonit për më shumë se një dekadë, argumenton se ndryshimi është i mundur edhe pa prekur kushtetutën.

Disa nga paraardhësit e Inzkos si Përfaqësues i Lartë pushuan qindra zyrtarë dhe imponuan ligje për të kapërcyer stagnacionin e kaluar politik, por 71-vjeçari Inzko ka marrë një qasje shumë më ndryshe. Në fund të gushtit, ai i tha gazetës Dnevni Avaz se partitë politike kanë përdorur shumë shpesh mekanizma mbrojtës në kushtetutë për të bllokuar progresin dhe për të arritur qëllimet e tyre politike.

Kompromisi, tha ai, do të çonte në progres, edhe pa e rishkruar kushtetutën.

“Është e qartë se për Bosnjën dhe Hercegovinën do të ishte shumë e dobishme të futet një funksionalitet dhe efikasitet më i lartë”, u citua të thoshte Inzko. “Mungesa e funksionalitetit dhe efikasitetit është veçanërisht e dukshme në lidhje me integrimin Euro-Atlantik, dhe gjithashtu kur bëhet fjalë për reformat që përqendrohen në ekonomi dhe qeverisje të mirë, të cilat duhet të kenë një ndikim pozitiv në jetën e përditshme të qytetarëve.”

“Por është gjithashtu e qartë se ajo që nevojitet për këtë është vullneti politik dhe progresi është i mundur me kushtetutën aktuale, nëse palët nuk janë të ndrojtura për gjetjen e kompromisit politik”.

Përfaqësim etnik apo qytetar?

Bosnja ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE, por në maj të vitit të kaluar iu tha të bënte progres në 14 fusha, duke përfshirë gjyqësorin, korrupsionin dhe administratën publike, përpara se të mund të merrej në konsideratë për statusin zyrtar të vendit kandidat.

Dobësia e qeverisë qendrore po ngadalëson progresin, duke qenë se i mungojnë kompetencat në shumë sektorë thelbësorë, ndërsa i gjithë procesi duhet të koordinohet edhe me autoritetet në nivel entiteti.

Rruga për në NATO është edhe më e ndërlikuar, jo më pak sepse serbët e Bosnjës, duke ndjekur Serbinë fqinje, e kundërshtojnë anëtarësimin e plotë. Dodik, në fakt, thotë se nuk do ta kishte problem nëse Bosnja do të shpërbëhej. Ai dëshiron që kushtetuta të rishkruhet, por vetëm për të ruajtur të drejtën e një entiteti – pra, të Republikës së tij Srpska – që të shkëputet.

Suksesi i një hapi të tillë, megjithatë, do të varet nga Serbia, e cila duket se nuk dëshiron t’i prishë punë vetes me Perëndimin duke njohur Republikën Srpska si të pavarur.

“Kjo do ta vinte Serbinë në një pozitë politike shumë të vështirë”, tha Serëer. “Ata ose do ta njihnin pavarësinë e Republikës Srpska, që do të nënkuptonte se pas kësaj do të dorëzonin ambiciet e tyre për t’u anëtarësuar në BE dhe kjo do të ishte e pamundur, ose kjo do të shtyhej për të paktën edhe një dekadë tjetër ose edhe më shumë, ose ata nuk e njohin Republikën Srpska si të pavarur, gjë e cila do të zemëronte shumë forcat nacionaliste brenda Serbisë.”

Përveç ambicieve të vetë Dodik, kroatët e Bosnjës – të cilët aktualisht ndajnë pushtetin me boshnjakët në një entitet të dytë të quajtur Federata – dëshirojnë entitetin e tyre të tretë, ndërsa boshnjakët dhe partitë jo-nacionaliste duan që Bosnja të riorganizohet jo përgjatë vijave etnike, por ai një shtet civil.

“Çdo hap i vogël dhe çdo përpjekje për të zgjidhur një problem më të vogël në Bosnjë na çon në pyetjen nëse Bosnja duhet të bazohet në përfaqësimin etnik apo atë civil. Derisa të gjendet një përgjigje për këtë pyetje, nuk mund të ketë progres të madh për Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Miroslav Lajcak, paraardhësi i Inzkos si Përfaqësues i Lartë dhe tani i dërguari i BE-së në Ballkan, në fund të gushtit gjatë një konference në Slloveni.

Mjaft e ushqyet “kartelin e paqes”

Autorët e një artikulli të botuar në gusht nga EUobserver, megjithatë argumentojnë se shumica e fajit i takon BE-së, e cila ka financuar kryesisht rimëkëmbjen e pasluftës dhe ka disa qindra ushtarë në terren.

Kurt Bassuener, bashkëthemelues i Këshillit të Politikave të Demokratizimit me qendër në Berlin, dhe Senada Selo Sabiç, bashkëpunëtore kërkimor në Institutin për Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Zagreb, shkruan se Perëndimi, veçanërisht BE-ja, “ka ndjekur një politikë pacifikimi ndaj Bosnjës dhe Ballkanit Perëndimor më gjerë”.

“Kjo sepse i jepet përparësi shmangies së shpërbërjes dhe frenimit të emigrimit në rrugën Ballkanike, mbështetur nga shqetësimi vet-shërbyes se çdo ndryshim politikash do të nënkuptonte pranimin së kanë dështuar në të kaluarën.”

“Kështu që udhëheqësit e vendit në mënyrë efektive drejtojnë axhendën e BE-së në Bosnjë dhe kontrollojnë paratë që vijnë bashkë me të”, shkruan ata. “Patronazhi perëndimor, i futur në forma të ndryshme, shkon në elitat politike të Bosnjës në atë që përbën një zallamahi mbrojtjeje – duke i ndihmuar ata në qetësimin e një qytetarie gjithnjë e më të irrituar.”

Në vend të kësaj, Perëndimi duhet të bëjë një përpjekje të vërtetë për të mbështetur sundimin e ligjit, të ndalojë derdhjen e parave në arka të korruptuara të qeverisë dhe të rritë mbështetjen për nismat qytetare nga poshtë-lart për të krijuar një rend politik alternativ në Bosnjë, argumentuan ata.

“Partnerët e vetëm që BE-ja mund të ketë në Bosnjë janë shtetasit e saj”, shkruan Bassuener dhe Selo Sabiç. “Qytetarët duhet të udhëheqin ndryshimin për të përcaktuar një të ardhme më të mirë, por Perëndimi, veçanërisht BE-ja, mund të ndihmojë në çlirimin e tyre nga prangat e kartelit të paqes duke ndalur ushqyerjen dhe mbështetjen e tij”.