Burgu i Idealit, Foto: KALLXO.com

'Burgu i Idealit', dëshmi e torturave dhe tmerreve që përjetuan shqiptarët

‘Burgu i Idealit’ në Prishtinë, i cili mblodhi vuajtjet e torturat e të burgosurve shqiptarë në Jugosllavi, sot në funksionin e muzeut fakton atë që muret e fortifikuara dhe grilat e metaltë nuk e lejonin të shpërfaqej.

Burgu është rubikon i ndarë në histori katrore të përvuajtshme, të cilat nga çdo faqe që rrotullohen përkufizojnë idealin e lirisë.

Rreth 12 mijë të burgosur përjetuan tmerrin, dhe kjo vërtetohet edhe prej ekspozitës “Zërat nga Qelitë”  përmes së cilës janë emetuar fjalët, pikturat dhe veprat e lëna nga përjetimet e të burgosurve politikë.

Shumë gjëra janë ndryshuar dhe renovuar brenda burgut por e vetmja gjë që nuk mund të ndryshohet është vuajtja e të burgosurve shqiptarë dhe tmerret që ata kaluan në korridore, qeli dhe kthina.

Burgu ishte hapur në vitet e 50-ta ndërsa tani shërben si muze dhe mund të vizitohet nga qytetarët.

Foto: KALLXO.com

“Dhoma e Ferrit”

Emin Sallahu, që koordinon muzeun, rrëfen për ditën e tij të parë në këtë burg.

“Unë për herë të parë jam sjellë këtu mes datës 7 dhe 28 janar 1997, saktësisht në  këtë dhomë jam sjellë nga një stacion policor në qytetin e Kastriotit së Obiliqit më saktësisht në pjesën e dyshemesë këtu e cila ka qenë nga betoni e kam bërë gjumin e parë, unë kam qenë i arrestuar si anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës” – tregon Sallahu për KALLXO.com.

Foto: KALLXO.com

Nga këtu thotë që kanë shkuar në trajtim në dhomat e hetuesisë aty ku është marrë në pyetje, maltretuar në forma të ndryshme ç’njerëzore.

Dhomën e hetuesisë Sallahu e quan “Dhoma e Ferrit” sepse aty kanë ndodhur rrahjet e vazhdueshme dhe më të rënda nga policia jugosllave ndaj të arrestuarve shqiptarë.

“Pas marrjes në pyetje dhe torturave ndaj të burgosurve, në pjesën qendrore ku ishte telefoni që thamë pak më herët aty i kanë thirrur gardianët dhe kanë ardhur që të marrin të burgosurin, zakonisht të burgosurit nga këtu për në qeli janë kthyer në gjendje shumë të rëndë fizike, shumë nga ata nuk kanë  mundur të ecin në këmbët e veta ose kanë qenë të torturuar, tej mase, torturat kanë qenë shumë të rënda ndaj të burgosurve kjo ka qenë edhe Dhoma e Ferrit” – ka thënë Sallahu.

Foto: KALLXO.com

Ndërsa tash kjo dhomë është pjesë e objektit të Policisë së Kosovës dhe publiku nuk mund të ketë qasje në të.

Burgu deri në vitet e 80-ta nuk ka pasur as shtretër por më pas kur janë sjellë të burgosurit nuk kanë pasur të drejtë që të uleshin aty, e vetmja mënyrë e të qëndruarit ishte në beton të qelisë.

Depërtimi i dritës ishte minimal përpos errësirës dhe zhurmës së dyerve kur hapeshin nga gardianët nuk shihje e ndëgjojë krismë tjetër kujton ish i burgosuri Emin Sallahu, për gjendjen e mjerueshme nëpër të cilën ishte udhëtar i palëvizshëm e i kushtëzuar mes katër mureve.

Ky burg ka pasur 27 dhoma ndërsa tash ka 17. Sepse disa prej tyre që kanë qenë të ndara i kanë bashkuar dhe ndërruar dritaret për të përmisuar pak gjendjen e tmerrshme të burgut tregon Sallahu.

Foto: KALLXO.com

Arratisja nga burgu

Pavarësisht masave strikte të burgut aty u arrit të realizohej arratisja më interesante e kohës. Në vitin 1983, dy të burgosur shqiptarë të cilët bënë të pamundurën dhe pas një planifikimi të gjatë, organizuan arratisjen. Por për shkak të ndërlikimit të situatës vetëm njëri u arratis.

Sallahu shpjegon mënyrën se si është arratisur Muhamet Shabani dhe Martin Quni, i cili u zu nga gardianët e burgut dhe nuk arriti të ikte.

“Kemi të bëjmë me arratisjen e cila është realizuar në vitin 1983 nga dy persona të burgosur politik, Martin Quni dhe Muhamet Shabani, këta të dy kanë organizuar nga dhoma lart, e katit të dytë, nëpërmjet futjes së mjeteve të sharrës të metaltë e cila është futur (në qeli) përmes tubit të majonezit, gjatë vizitës nga familjarët dhe me këtë sharrë është realizuar prerja  e grilave brenda dritares, e cila gjendët në pjesën e epërme të ndërtesës së burgut. Kjo ngjarje ka vazhduar gjatë për shkak se prerja  e grilës është bo zakonisht kur ka pasur shi edhe vetëtimë e murmurima për mos të ndëgjohet sepse ka emetu zhurmën” – rrëfen ai.

Foto: KALLXO.com

Tutje tregon për pjesën tjetër të planit dhe punimin e litarit nga qoshet e batanijes.

“Kur është kryer prerja këta dy persona, e kanë punuar një litar nga qoshet e batanijeve duke e lidhur, pasi që kanë dalë e kanë lidhë për oxhak që ndodhet mbi kulm dhe është lëshu Muhamet Shabani i pari, ai ka arrit deri në këtë pjesë të ndërtesës dhe është shkëput litari. Në anën e epërme mbi kulm ka mbet Martin Quni, kjo ka ndodhur në mbrëmje që të mos shihet dhe ka qenë moti i ligë, meqenëse nuk ka mundur të shkojë edhe i dyti i ka dhënë mundësi Muhametit me u largu, ai ka filluar të ecë nëpër kulm të burgut edhe gardianët janë marrë me të duke menduar që është i vetëm, ndërsa Muhamet Shabani ka arritur që përmes rampës të dalë jashtë ndërtesës së burgut dhe është arratiset, ka shkuar në Zvicërr, nuk kanë arritur që ta zënë asnjëherë, fatmirësisht te dy janë gjallë”- bën të ditur Sallahu.

Pikërisht nga dhoma e ikjes së dy të burgosurve, Sallahu tregon si arritën të dalin në kulmin e burgut.

“Nga kjo dhomë është realizuar ikja e Muhamet Shabanit dhe Martin Qunit i cili nuk ka arrit të ikë në vitin 1983, ajo është pjesa e grilave që dikur ka qenë ndryshe ka qenë edhe dritarja nga metali është hapë ajo dhe është pre grila nga këtu ka dalë nëpër kulmin e burgut dhe në atë në atë anë ka dalë në pjesën tjetër të oborrit të policisë dhe nga aty ka ikë dhe ka dalë në qytet”.

‘Pema e Lirisë’ mbin në shëtitoren e Burgut të Idealit

Në shëtitoren rrethore pa asnjë udhë kalimi aty, ku dilnin të burgosurit nga ajri i mbyllur i qelisë për të parë dritën kishte filluar të dilte kërcelli i fikut që më pas u quajt “Pema e Lirisë”.

Kështu e quajti ish i burgosuri Emin Sallahu duke nënkuptuar që pema e rrethuar mes katër mureve nuk mund të rritet dhe as të prodhojë frute si një pemë  që e ka oksigjenin në të gjitha anët.

Foto: KALLXO.com

“Populli i robëruar nuk mund të zhvillohet ashtu siç nuk mund të zhvillohet edhe pema që mbin rreth murit të objektit. Pema rreth murit edhe mund të rrisë shtrat, ndoshta edhe ca frute t’i prodhojë, por kurrë nuk do të arrijë shtratin dhe frutat e një peme e cila ngrohet nga të gjitha anët me diell. Ndriçimi dhe ngrohja e cila quhet liri”- tregon  Sallahu.

Në këtë kthinë tashmë janë vendosur disa karrige të cilat shërbejnë për vizitorët, dhe gjatë këtij viti janë shfaqur dy filma me tematikë burgun.