Planet që Kosova të shndërrohet në vend digjital 

 

Kosova synon që deri në vitin 2030 shumica e shërbimeve publike të jenë online ndërsa infrastruktura digjitale të jetë e avancuar.

Strategjia e re për agjendën digjitale e miratuar nga qeveria e vendit synon  të digjitalizojë vendin dhe të rrisë numrin e ekspertëve të cilët merren me teknologjinë informative.

Në vitin 2025 Kosova pritet të ketë atlas plotësisht të digjitalizuar të infrastrukturës fikse brezgjerë. Kurse deri në vitin 2026 lidhje gigabitëshe pritet të jetë e disponueshme në të gjitha institucionet publike.

Strategjia synon që deri në vitin 2030 Kosova të jetë e mbuluar me rrjetin 5g ndërsa 100% e shërbimeve kryesore publike pritet të realizohen në internet. Ky dokument po ashtu parashikon që 90% e qytetarëve të vendit të përdorin identifikimi digjital ndërsa 100% e të dhënave mjekësore do jenë të vendosura në formën digjitale.

Ndryshimet të rëndësishme priten dhe në edukimin e qytetarëve. Në bazë të strategjisë 5 % e popullsisë pritet të bëhen specialistë aktivë të tik kurse mëse 95% e popullsisë do të pajisen me aftësi digjitale bazë.

Grupi i ekspertëve të angazhuar në nxjerrjen e Agjendës Digjitale  përcaktuan se në Kosovë duhet të veprohet në përmirësimin e rrjeteve ekzistuese me qëllim të ngritjes të mëtutjeshme të rrjeteve ekzistuese; shpërndarja e frekuencave të reja, vendosja e 5G me qëllim të rritjes së kapaciteteve të rrjeteve mobile; dhe ngritjes së cilësisë së ulët të shërbimeve; rritja e e-shërbimeve në biznes dhe promovimi i digjitalizimit në biznes me qëllim të përmirësimit të digjitalizimit të dobët të kompanive dhe rritjen e angazhimit të qytetarëve në ekonomi digjitale i cili vazhdon të jetë i ulët; avancimi i aftësive digjitale në mesin e qytetarëve dhe promovimi i mësimit gjatë gjithë jetës; luftimi i ndërgjegjësimit të ulët për sigurinë kibernetike në mesin e bizneseve, dhe qytetarëve, në këtë kuptim, sfidë u përcaktua krijimi i ligjeve dhe rregulloreve të nevojshme që adresojnë sigurinë kibernetike.

E një sfidë e veçantë që është mbartur nga AD 2020 është krijimi i Kodit të Shtetit të Internetit për Kosovë e cila kërkon aplikimin në ICANN për përfitimin e mbaresës/kodit “.ko” ose “.ks”.

Por finalizimi i AD 2030 do të përballet me një sërë problemesh të cilat duhet të tejkalohen: infrastruktura gjysmë e zhvilluar fikse dhe mobile, digjitalizimi i ulët i bizneseve (e-biznesi), shërbimet e kufizuara e-publike dhe qeverisja e ulët e TI-së në mesin e punonjësve qeveritarë, aftësitë e kufizuara digjitale të qytetarëve të Kosovës, sistemi arsimor nuk është në përputhje me nevojat e tregut të punës, mjedisi i zhvilluar dobët për hulumtim dhe zhvillim në teknologjitë inovative.

Aktualisht, rrjetet mobile në Kosovë përdorin teknologjinë 2G, 3G dhe 4G.

Në analizën e tregut, ekspertët e angazhuar nga qeveria gjatë përpilimit të Agjendës zbuluan se problemi i cilësisë së dobët të rrjeteve mobile është për shkak të frekuencave të pa shpërndara dhe kapacitetit të dobët investues të operatorit kombëtar të telekomunikacionit Telekomi i Kosovës SH.P.K. Për të adresuar këtë problem Qeveria do të duhet të i kushtojë vëmendje të veçantë zhvillimit të duhur të infrastrukturës në pronësi të Telekomit të Kosovës SH.P.K., kjo sepse operatori kombëtar i telekomunikacionit ka rol kyç për zhvillimin e digjitalizimit të Kosovës,

Teknologjia e kabllove koaksiale është teknologjia mbizotëruese e qasjes fikse në Kosovë, e cila me shpejtësi prej 100 Mbps, nuk është e mjaftueshme për zhvillimin e një shoqërie të ardhshme gigabit.

Shumë problematik do të jetë sigurimi i stafit kompetent për shërbimet dhe mirëmbajtjen teknologjike. Ekziston një mospërputhje e madhe midis arsimit dhe nevojave të tregut të punës (44% e kompanive identifikuan fuqi punëtore të arsimuar në mënyrë të papërshtatshme).

Grupi i ekspertëve që përpiluan agjendën konsiderojnë se qeveria do të bartë investimet e pakta të qeverive paraprake në këtë fushë.

Sfidë është identifikuar edhe hezitimi qytetar dhe mosaplikimi i blerjeve elektronike online dhe përdorimi i paktë i shërbimeve të qeverisjes elektronike.(Ku një gjetje interesante nxori në pah se  vetëm 5.3ë e qytetarëve paraqesin formularë të plotësuar online).

Qeverisë dhe dikastereve të saj do të duhet punë për të nxjerrë frytet e përdorimit të internetit mbi mesatare nga ana e qytetarëve të Kosovës me mbi 95 për qind kjo sepse ky përdorim masiv aktualisht në pjesën dërrmuese i shërben komunikimit, argëtimit dhe marrjes së informacionit. Përdorimi i avancuar për tregtinë elektronike, qeverisjen elektronike, arsimin elektronik dhe shëndetësinë elektronike është mjaft i kufizuar. Në këtë kuptim sfidë paraqitet ndryshimi i mendësisë dhe mentalitetit shoqëror karshi benifiteve dhe qëllimeve për të cilat duhet të shfrytëzohet teknologjia.

Ndonëse për qëllimet aktuale shpejtësia mund të ketë nivel adekuat shpejtësia e qasjes në internet duhet të përmirësohet. Digjitalizimi kërkon lidhshmëri kudo dhe kurdo. Vetëm rrjetet mobile 5G dhe rrjetet fikse me kapacitet shumë të lartë mund t’i përmbushin kërkesat e AD 2030.
Rrjetet aktuale fikse duhet të përmirësohen me fibra optike të cilat do të jenë problematike për qeverinë nga pikëpamja financiare sepse do të kërkojnë investime të mëdha dhe do të kenë kosto të lartë.

Digjitalizimi në botë ka paraqitur probleme të reja me të cilat njerëzimi nuk është përballur më herët. Ruajtja e privatësisë dhe të dhënave qëndron në esencë dhe është e paevitueshme kundrejt çfarëdo caku potencial që BE-ja synon. Qeveria e Kosovës do të duhet të dijë ta menaxhojë dhe përmirësojë gjendjen aktuale e cila karakterizohet me një vetëdije të ulët qytetare kundrejt sigurisë së informacionit e njohur si siguria kibernetike.

E një hap për këtë tashmë ekzekutivi veçse e ka marrë përmes nxjerrjes së Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.

Tejet ambicioz ndonëse tejet i nevojshëm po konsiderohet arritja  e përqindjes prej 5 të specialistëve të teknologjisë informative në vend.

Ekspertët konsiderojnë Qeverisë do t’i duhet një Strategji e mirëfilltë arsimore, ku duhet patjetër të përcaktohet si zgjedhje arsimi joformal për aftësimin e njohësve dhe specialistëve të TIK.

Pasi numri aktual i programeve të akredituara universitare në sektorin publik dhe privat nuk janë në gjendje që për periudhën e përcaktuar kohore të nxjerrin në treg numrin e kërkuar të njohësve të fushës.

Njëkohësisht shkollimi fillor dhe i mesëm do të duhet të pësojë transformim signifikant për t`u përshtatur me epokën digjitale.

Për qeverinë do të jetë sfidë edhe sigurimi i mjeteve financiare për të mundësuar teknologjitë inovative në arsimin e lartë të përshtatura me nevojat specifike të tregut.

Transformimi digjital gjithsesi se përveç përfitimeve do të ketë kosto dhe sfidën financiare.

Qeveria ka bërë të ditur se financimi i aktiviteteve do të sigurohet nga dy burime: Buxheti i shtetit dhe Donatorët ose investitorët e huaj (përkatësisht: Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor- WBIF, IPA dhe fondet e tjera të BE-së, Donatorë dhe investitorë të tjerë (jo të BE-së).