Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Gjykimet e mbyllura për publikun e mediat, por të hapura për qëllime studimi

Kjo gjendje ka ndryshuar së fundi, me investime të ndryshme në infrastrukturën e gjykatave. Tashmë, sallat e gjykimit ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për publikun dhe mediat të përcjellin gjykimet që zgjojnë interes të veçantë te publiku.

Vetëm tani, gjykatat kanë krijuar kushte për të respektuar të drejtën kushtetuese për gjykim publik, dhe të drejtën e publikut dhe mediave për t’i përcjellë këto gjykime.

E drejta për gjykim publik rregullohet edhe me Kodin e Procedurës Penale, në të cilën parashihen edhe situata në të cilat kufizohet publiciteti i procedurës penale që zhvillohet ndaj të akuzuarve. Në mesin e kufizimeve bëjnë pjesë edhe mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë; ruajtja e fshehtësisë zyrtare; si dhe mbrojtja e dëshmitarëve, jeta e të cilëve mund të vihet në rrezik në një gjykim të hapur.

KALLXO.com ka trajtuar në detaje aspektet ligjore të publicitetit të gjykimeve dhe zbatimit të dispozitave ligjore në këtë drejtim. Një nga rastet e veçanta të vërejtura gjatë monitorimit të seancave të gjykimit, është edhe rasti kur gjykimi mbyllet për publikun dhe median por lejohen persona të caktuar të qëndrojnë në sallë të gjykimit.

Kjo çështje rregullohet me Nenin 295 të Kodit të Procedurës Penale në Kosovë që parasheh rastet kur lejohen të marrin pjesë në një gjykim të mbyllur për publikun “zyrtarë të caktuar, akademikë, figura publike dhe, me kërkesën e të akuzuarit, mund të lejojë pjesëmarrjen e bashkëshortit ose bashkëshortit jashtëmartesor si dhe të afërmit e tij”.

Megjithatë, këta persona duhet ta ruajnë fshehtësinë e informatave të cilat trajtohen gjatë asaj seance, e zbulimi i këtyre informatave është vepër penale.

Këto dispozita të Kodit të Procedurës krijojnë kushte për studiuesit dhe zyrtarët e tjerë që të marrin pjesë në shqyrtime, për qëllime studimi. Kujtojmë që gjykimet në të cilat janë të përfshirë të miturit si palë janë gjithmonë të mbyllura për publikun. Por, në bazë të këtyre dispozitave të Kodit të Procedurave, gjykimet e tilla hapen për qëllime të studimit.

Në mesin e personave që mund të lejohen të marrin pjesë në gjykimet e mbyllura për publikun janë edhe monitoruesit e gjykatave, që në shumicën e rasteve kanë marrëveshje bashkëpunimi me gjyqësorin për të ofruar qasje të plotë në gjykime.

Natyra e rasteve të cilat mbyllen për publikun është nga më të ndjeshmet. Një rast i tillë ishte edhe gjykimi në rastin “IzraelI”, ku nëntë persona akuzoheshin për përgatitje të sulmit terrorist në ndeshjen e futbollit Shqipëri – Izrael. Në këtë gjykim, në fazën e dëgjimit të provave, janë dëgjuar edhe disa dëshmitarë, të cilët për gjykatën janë cilësuar si të rrezikuar nëse dëshmia e tyre bëhet publike.

Në këtë gjykim, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Hamdi Ibrahimi kishte nxjerrë vendim për përjashtimin e publikut nga seanca në kohën kur pritej të dëgjoheshin tre zyrtarë të policisë në cilësinë e dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale i kërkoi trupit gjykues që të mbyllet tërësisht ky shqyrtim gjyqësor me arsyetimin se dhënia e dëshmisë së këtyre zyrtarëve dhe transmetimi i tyre mund të paraqesë rrezik për këta zyrtarë në ushtrimin e funksionit të tyre.

Mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan këtë kërkesë me arsyetimin se po shkelet e drejta kushtetuese e të pandehurve për shqyrtim publik.

Megjithatë, trupi gjykues e kishte mbyllur shqyrtimin për publikun dhe mediat, ndërsa kishte lejuar që monitoruesit të cilët kanë autorizim dhe marrëveshje me Këshillin Gjyqësor të Kosovës të qëndrojnë në seancë por pa të drejtën për të publikuar apo incizuar përmbajtjen e dëshmive të dhëna.

Arsyetimi i trupit gjykues ishte se dhënia e këtyre dëshmive dhe video incizimeve të cilat mund të shpërndahen më pastaj, paraqet rrezik për dëshmitarët.