Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Zyrtari i Urbanizmit Dëshmon në Gjykimin e Kryetarit të Dragashit

Florim Krasniqi, zyrtar për urbanizëm dhe planifikim hapësinor në Komunën e Dragashit, dëshmoi sot në gjykimin e kryetarit Salim Jenuzi dhe tre të dyshuarve të tjerë.

Dëshmitari tregoi se pse ia ka dërguar për nënshkrim kryetarit Jenuzi lejen për ndërtimin e furrës së bukës, i cili është objekt i akuzës.

“Ka mundësi që t’ia kem dërguar kryetarit për nënshkrim, së bashku me shkresa të tjera dhe e kam dërguar edhe këtë leje për nënshkrim pasi që drejtori i Urbanizmit nuk ka qenë atë ditë në punë”, tha Krasniqi.

I pyetur nga prokurori se ky vendim a ka qenë i karakterit urgjent sa të mos pritej drejtori për nënshkrim, dëshmitari tha se nuk ka qenë urgjent por shtoi se ka dëshiruar që të kthehet përgjigje brenda afatit kohor.

Më tej, dëshmitari tha para trupit gjykues se për të gjitha veprimet e ndërmarra ka qenë në dijeni drejtori i Urbanizmit, Bean Haxhihasan.

“Drejtori ka qenë i njoftuar gjatë tërë procedurës. Asnjë reagim nga ai nuk ka pasë (për nënshkrimin e vendimit nga ana e kryetarit). Jam shumë i vetëdijshëm që dëshmia e rreme paraqet vepër penale andaj ju them se nuk ka pasë reagime të natyrës së tillë se pse e kam çu për nënshkrim, nuk ka thonë kurgjo”, theksoi ai.

Në këtë rast gjyqësor, kryetari Salim Jenuzi dhe dy zyrtarët, Bean Haxhihasan dhe Vetim Hasani, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Nexhat Selaj për uzurpim të pronës shoqërore.

Sipas aktakuzës, kryetari Jenuzi prej vitit 2009 deri në vitin 2016 në Dragash me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit Komunës, duke përdorur pozitën e tij si kryetar i ka mundësuar pronarit të furrës “Evropa”, Nexhat Selajt, përvetësimin e kësaj patundshmërie.

Selaj me këtë rast kishte ndërtuar objektin afarist dykatësh pa kompensim dhe pa vendim të Asamblesë Komunale në Dragash.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Bean Haxhihasan, në vitin 2011 fillimisht kishte lëshuar aktvendim me të cilin Nexhat Selajt i lejohet ndërtimi i objektit afarist në pronën shoqërore të evidentuar në emër të Komunës së Dragashit.

Ndërsa më vonë, po gjatë këtij viti Haxhihasan kishte lëshuar aktvendim me të cilin vërtetohet se Nexhat Selaj ka bërë uzurpimin arbitrar të tokës në pronë shoqërore, e evidentuar si pronë e Komunës së Dragashit.

Inspektorin Komunal të ndërtimit, Vetim Hasanin, aktakuza e ngarkon se me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, pasi nuk ka ndërmarrë veprimet për ndërprerjen, ndalimin dhe ekzekutimin e punimeve në objektin e ndërtuar nga i akuzuari Nexhat Selaj, duke lejuar kryerjen dhe përfundimin e ndërtimit të objektit dykatësh.

Fjalën përfundimtare në këtë rast palët do ta japin më 16 nëntor 2017.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.

Salim Jenuzi vite më parë ishte akuzuar për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Por, në janar të vitit të kaluar u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.