Kujdes: Gjykatat i dënojnë të miturit për narkotikë

Vetëm brenda një muaji, gjykatat e Kosovës kanë hapur tetë lëndë për të miturit, të cilët janë hasur duke shitur ose konsumuar lëndë narkotike.

Konsumimi dhe shitja e narkotikëve janë vepra penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës, ndërsa pasojat ligjore për të miturit e moshës prej 14-18 vjeç janë të parapara në Kodin për të Mitur.

Të dhënat nga shtatë gjykata të vendit tregojnë që sistemi i drejtësisë është kujdesur që të përmbushë misionin e tij në tetë raste të hapura, ku të miturit janë dënuar për posedim ose shitje të narkotikëve.

Të dhënat tregojnë se rastet janë hapur në qytete të ndryshme, ndërsa numri më i madh i lëndëve është në Prishtinë. Sipas të dhënave në Gjakovë, një i mitur është  dënuar me kusht, një i mitur tjetër është dërguar në paraburgim në Ferizaj, ndërsa gjashtë të mitur janë dënuar me masë edukative në Prizren dhe në Prishtinë.

Të dhënat për dënimet janë grumbulluar në një hulumtim të realizuar nga KALLXO.com, gjatë këtij muaji.

Kodi i Drejtësisë për të Mitur përcakton dhe rregullon veprimin ndaj të miturit si kryes të veprës penale, fëmijët e përfshirë dhe të miturit si pjesëmarrës në procedurë, organeve të cilat zbatojnë procedurën penale dhe ekzekutimin e masave dhe dënimeve ndaj kryesit të mitur të veprës penale, si dhe mbrojtjen e personave të mitur dhe fëmijëve të cilët janë viktima dhe të dëmtuar nga vepra penale.

I mitur konsiderohet personi i cili i ka mbushur katërmbëdhjetë (14) vjet, por nuk i ka mbushur tetëmbëdhjetë (18) vjet.

Kodi i Drejtësisë për të Mitur ka paraparë që kryerësve të mitur t’u shqiptohen masat e diversitetit dhe masat edukative, sipas nevojës, duke i dhënë përparësi masave dhe sanksioneve alternative në relacion me sanksionet penale.

Kurse privimi nga liria ndaj të miturve është paraparë që të shqiptohet vetëm si mjet i fundit dhe me qëllim të kufizimit në afatin sa më të shkurtër të mundshëm.

Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, gjatë kohës së privimit nga liria, i shqiptuar si dënim, kryesit të mitur i ofrohet edukim, ndihmë psikologjike, sipas nevojës edhe ndihmë mjekësore, për ta lehtësuar rehabilitimin e tij.

Masat dhe dënimet e zbatueshme ndaj të miturve

  1. Masat që mund të shqiptohen ndaj të miturve janë: masat e diversitetit dhe masat edukative.
  2.  Dënimet që mund të shqiptohen ndaj të miturve janë: gjoba, urdhri për punë në dobi të përgjithshme dhe burgimi për të mitur.
  3.  Dënimi nuk mund t’i shqiptohet të miturit i cili ka qenë nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet në kohën e kryerjes se veprës penale.
  4. Kohëzgjatja e çfarëdo mase apo dënimi të shqiptuar duhet të përcaktohet me vendim të gjykatës në pajtim me këtë Kod.
  5. Kur gjykata cakton dënimin me burgim për të mitur deri në dy (2) vjet ose masën e dërgimit në institucion edukativo-korrektues deri në dy (2) vjet, mund të shqiptojë dënimin me kusht në pajtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.