Gjyqtarja Naime Krasniqi | Foto: KALLXO.com

Gjyqtarja Udhëzon Palët për t’u Ankuar në Gjykatën që Nuk Ekziston

Në aktvendimin e siguruar nga KALLXO.com, gjyqtarja e rastit “Syri i Popullit”, Naime Krasniqi ka udhëzuar palët në ankesë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e cila nuk ekziston më.

Në aktvendimin e siguruar nga KALLXO.com, të kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Naime Krasniqi, me të cilin janë përshkruar arsyet e mbylljes së seancës për publikun, vërehen disa huqje të cilat janë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Në pjesën e udhëzimit juridik të aktvendimit të gjyqtares Naime Krasniqi, thuhet se “lejohet ankesë ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë”.

“Kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, nëpërmes të kësaj gjykate në afat prej 3 ditësh nga dita e marrjes”, thuhet në aktvendim.

Por është e çuditshme se si ankesa mund t’i drejtohet një gjykate e cila prej vitit 2013 nuk ekziston më. Sipas Kodit të Procedurës Penale të hyrë në fuqi në vitin 2013 është vetëm Gjykata e Apelit, dhe jo ajo e Qarkut.

Më tej, ky udhëzim juridik në aktvendim është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, ngase neni 296, paragrafi 2 i tij nuk lejon ankesë ndaj aktvendimit deri në nxjerrjen e një aktgjykimi për atë shqyrtim.

“Aktvendimi për mbajtjen e seancës së mbyllur mund të kundërshtohet vetëm me ankesë kundër aktgjykimit”, thuhet në nenin 296, paragrafin 2 të Kodit Penal të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar për arsyet e mbylljes së gjykimit ndaj anëtarëve të “Syrit të Popullit”.

http://kallxo.com/arsyet-e-mbylljes-se-gjykimit-ndaj-te-akuzuarve-te-syrit-te-popullit/

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre më 28 shkurt.

10 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Murat Jasharit, njërit nga të akuzuarit e këtij grupi i është caktuar trajtimi psikiatrik.

Murat Jashari e Avni Llumnica u arrestuan si të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi që ishte njëri nga udhëheqësit kosovarë të periudhës komuniste.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.