Edukimi medial, emergjencë kombëtare!

Për më pak se dy javë në njërën nga komunat e Kosovës mbi 10 nxënës lënduan vetën pas shpërndarjes së disa mesazheve në një rrjet social. Situata u vu në kontrollë vetëm pas një reagimi të shkollave, prindërve e komunës. Ky rast dëshmon se ekspozimi i nxënësve në platforma të pasigurta të marrjes së informacionit krijon pasoja shumë të thella për shoqërinë.

Kosova ende nuk ka ndërtuar një sistem që i edukon nxënësit për t`u mbrojtur nga dezinformatat. Si rrjedhojë reagimet e institucioneve janë vetëm post-mortum.

Edukimi medial për më shumë se gjysmë shekulli është pjesë e arsimit obligativ në ShBA dhe shumë vende të Evropës Perëndimore. I gjithë ky veprim ishte ndërmarrë pasi që shumë studiues kishin evidentuar efektin e mediave tek të rinjtë dhe atë krejt në një kohë kur media dhe teknologjia ishin në fazën e parë të zhvillimit, ndërsa problemet e atëhershme as që mund të krahasohen me atë që ballafaqohemi. Ndërkaq, sot, në studimet dhe diskutimet e fundit të komunitetit shkencor të edukimit medial në ShBA, kanë rezultuar se nuk është e mjaftueshme që vetëm mësimi për edukimin medial ta mbrojë shoqërinë amerikane nga ekspansioni i teknologjisë dhe mediave të reja. Njëri nga studiuesit kryesor të Edukimit medial W. James Potter, në njërin nga studimet e fundit duke e trajtuar këtë çështje thekson se tashmë edukimi medial të avancohet në edukimin kritik medial, ndërsa, Kellner thekson se edukimi kritik për media do ishte vaksinimi i të rinjve kundër efekteve të varësisë dhe manipulimit mediatik. E gjithë kjo sepse teknologjia dhe zhvillimi i mediave sidomos atyre të reja e kanë vendosur shoqërinë para shumë sfidave, sidomos para dezinformimit dhe çrregullimit informativ që po i cenon demokracitë e shoqëritë përmes narrativave të rreme, pavarësisht që në shumicën e këtyre vendeve ka mendim dhe gjykim kritik mbi mediat.

Nevoja për edukim medial një emergjencë kombëtare, Kosova e parafundit në Evropë sipas indeksimit për Edukimin Medial

Natyrisht që ndaj këtyre fenomeneve nuk ka imunitet as vendi ynë, përkundrazi mbetet ndër vendet më të rrezikuara, duke pas parasysh mungesën e lëndës obligative të Edukimit medial, mungesën e zhvillimit të gjykimit kritik përmes arsimit parauniversitar, pozicionin gjeopolitik por, edhe demokracinë e brishtë e problemet politike. Sipas raportit të fundit të publikuar në lidhje me indeksimin e edukimit medial, në vendet e Evropës, Kosova gjendet në grupin e fundit, apo konkretisht e ndanë pozitën e parafundit së bashku me Maqedoninë e Veriut.  Në Kosovë lënda e Edukimit medial nuk është obligative, pavarësisht që në Francë, Finlandë, Suedi, e në shumë vende të tjera kjo lëndë është bërë obligative edhe në kopshte. Ka më shumë se një dekadë që i kërkohet institucioneve gjegjëse, nga qarqet universitare, shoqëria civile vendore e ndërkombëtare, që kjo lëndë të jetë obligative për të rinjtë, duke i alarmuar se ekspozimi i tyre ndaj përmbajtjeve mediale është bërë një sfidë për vet ata. Megjithatë, kjo lëndë ka mbetur si zgjedhore vetëm nën dëshirën e mësimdhënësve për të zgjedhur atë, ndërsa numri i atyre që propozojnë këtë lëndë është tejet simbolik. Përdorimi i internetit në Kosovë sipas statistikave zyrtare të ASK-së, ka mesataren më të lartë se vet Bashkimi Evropian, ndërsa sipas një hulumtimi shkencorë gjetjet e të cilit i kemi publikuar në revista ndërkombëtare, mbi 95 për qind të fëmijëve të ciklit të ultë shkollorë përdorin telefona të mençur dhe po aq, kanë qasje në shumicën e rrjeteve sociale, ndërsa rreth 10 për qind e tyre takohen edhe me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale. Pavarësisht kësaj këta fëmijë nuk kanë fare njohuri e as shkathtësi për përdorimin e këtyre risive që ka sjellë teknologjia dhe media, që pak a shumë i bie sikurse ta ngasim makinën në një metropol pa qenë i pajisur me patentë shofer.

Dezinformimi luftohet përmes edukimit medial

Pandemia e fundit dhe sidomos Lufta në Ukrainë i kanë dhënë goditje shoqërive që në fakt nuk kanë pas qasje në mësimin e edukimit medial. Sot, dezinformomi dhe tendenca për të krijuar narrativa të rrejshme politike është problemi kryesor me të cilin po ballafaqohemi. Pavarësisht që shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën kanë lëvizur duke krijuar platforma për luftimin e këtij fenomeni, kjo mbetet sfida kryesore me të cilën ballafaqohet sot shoqëria jonë, sidomos përmes rrjeteve sociale, mediave tjera dhe përmbajtjeve të ndryshme që vijnë në internet. Lufta përmes dezinformimit është bërë sfidë për shumë vende, është cenim për demokracinë dhe rrezik potencial destabilizimi dhe përdorimit të tyre për qëllime politike.

Shkathtësitë që duhet t’i ketë çdo individ

Andaj, çdo përdorues i rrjeteve sociale, mediave të reja dhe internetit duhet të paktën t’i zhvilloj disa shkathtësi për përdorimin e mediave, që do të ndihmonte që të mbrohet edhe nga dezinformomi.

Shkathtësia kryesore që është e nevojshme dhe e rëndësishme që ta këtë secili individ është krijimi i pavarur i të menduarit në raport me përmbajtjet mediale. Pra, secili individ duhet të jetë i vetëdijshëm për përmbajtjet mediale që i konsumon, efektin e tyre dhe ndikimin që ka tek vet ai.

Shkathtësi tjetër e rëndësishme që duhet ta ketë parasysh secili individ kur konsumon përmbajtje mediale, është procesi i analizës së përmbajtjes mediale. Kjo, rrjedhimisht do të ndihmonte që përveç mendimit të pavarur, të përdorim një kontekst tjetër në raport me përmbajtjet mediale, pra, atë të analizës së përmbajtjes mediale. Shumë pyetje duhet t’ia bëjmë vetës dhe shumë përgjigje duhet t’i konkretizojmë para se të besojmë në atë përmbajte.

Shkathtësi tjetër që i duhet secilit individ në raport me përmbajtjet mediale është aftësia jonë për të vlerësuar një përmbajtje mediale. Përveç mendimit të pavarur dhe analizës së përmbajtjes, secili individ duhet patjetër që t’i kuptojë dhe evidentojë efektin e medias dhe përmbajtjeve mediale.

Gjithashtu, një shkathtësi tjetër që duhet ta ndërtojë secili individ që në mënyrë konstante është konsumues i përmbajtjeve mediale, ka të bëjë më të kuptuarit e secilit individ mbi efektin e përmbajtjeve mediale në aspektin e sjelljeve tona, në kulturën tonë dhe sjelljen në përgjithësi që e ndërtojmë përmes mediave.

Po ashtu, një çështje tjetër e rëndësishme që duhet secili individ apo pjesëtar i shoqërisë është të kuptuarit e përmbajtjeve mediale në aspektin etik, ligjor dhe vetërregullativ. Një prej pasojave që ne kemi hasur në vazhdimësi si shoqëri janë pasojat ligjore me të cilat janë përballur grupe të ndryshme sociale. Krejt kjo si rezultat i mungesës së njohurive të mjaftueshme në njërën anë dhe ballafaqimit me ligjin në anën tjetër.

Të gjitha këto shkathtësi zhvillohen kur secili individ zhvillohet në tri kontekste: E para është njohuritë bazike mbi mediat dhe përmbajtjet mediale në përgjithësi, e dyta aftësia për të analizuar dhe krijuar distancë dhe e treta ndërlidhet me zhvillimin dhe aftësimin për gjykim kritik.

Muhamet Jahiri, Profesor në Fakultetin e Gazetarisë – UP