Ajo Është Cinci

E quajnë Cinci Noshaj dhe është shqiptare e Kosovës. Njëzetetrevjeçarja është studentja e pazakontë që ndjek ligjëratat në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Beogradit.

Vajza ka rënë në hall me shokët e saj. Ata insistojnë që ajo ta ndërrojë emrin. Por, Cinci nuk ka ndërmend ta bëj një gjë të tillë.

Ndoshta kjo është veç vlerë tradicionale që s’e përmendim shpesh – këmbënguljen.

“Emrin ma la gjyshja, ngaqë një shoqe e saj italiane, të cilën e kishte njoftuar në Beograd, quhej kështu sikur unë sot – Cinci”.

Shprehja latine në italisht ishte shndërruar në ‘cinque’ – që dyja nënkuptojnë ‘pesë’. Ajo nuk është më e vogël për të marrë pesa në shkollë, por mbetet një studente e përkushtuar.

Çdo kohë e ka rrëfimin e vet. Cinci nuk gjendet në Beograd se në Kosovë nuk ka Universitet dhe askush nuk do të pres nga ajo të kthehet në ‘qarkun e ngrysur’ kosovar për të ardhur e për t’u vendosur në maje, tek ‘inteligjenca e shoqërisë’.  

Tash kjo është çështje zgjedhje. Njeriu po bëhet individ edhe në këtë anë të botës.

Dhe prapë asaj nuk i pëlqen kur dikush i thotë beogradase. Krenaria e saj është Gurakoci dhe Istogu, ku ka lindur gjyshi dhe babai i saj.
 
Për këtë, Cincin askush nuk mund të fajësojë. Ka shumë histori Ballkani e pak dyshime nëse ato mund të mos jenë bash të atilla sikur na vijnë në tregime.
 
Familja e Cincit erdhi në Beograd në vitin e largët 1962, po s’ishte ngazëllimi i gjithëmbarshëm pas komunizmit, shtysa më e madhe. Gjyshi, Muharrem Noshaj, atë kohë punonte për kompaninë ‘Ikerbus’, njëra nga fabrikat më të fuqishme të autobusëve në Serbi.

Punëtorit të zellshëm nga Kosova kompania i kishte ndarë një banesë të vogël, në një lagje të kryeqytetit serb. Sa shpesh pastaj ajo do bëhej më vonë strehë e shumë shqiptarëve të Kosovës dhe Luginës së Preshevës që kishin nevojë të qëndronin në Beograd.

Cinci, krenohet me kujtimet për gjyshin e saj, i cili ka vdekur para një dekade atje. “Ai ishte punëtor i madh. Ishte shumë njeri mikpritës”, tregon Cinci. “Kur takonte ndonjë shqiptar, gëzohej tej mase. I sillte në shtëpi gjithë ata që kishin nevojë të jenë këtu, e sidomos ata që vinin për çështje shëndetësore”. 

Babai i Cincit, Neziri, ishte vetëm dy vjeç kur nga Gurrakoci i Istogut kishte ardhur bashkë me familjen në Beograd. Nuk kishte ndonjë kujtim të veçantë fëmijërie për Kosovën, por ai prapë u martua me shqiptare nga Peja, me të cilën pati dy djem dhe vajzën – Cincin.

Ajo rritej dhe vrojtonte familjen duke punuar. Kur u bë të shkonte në shkollë, bota e saj magjike filloi të ristrukturohej. Do të kishte qenë problem i madh nëse transformimi nuk do të kishte ndodhur, por ky kishte ngjyrë më karakteristike.

Cinci ndjeu shpejt në supet e veta diskriminimin.“Në një anë silleshin mirë, e në anën tjetër mi zbrisnin notat vetëm pse isha shqiptare”, tregon ajo. “Njëherë mësuesja më tha që nuk kuptonte gjuhën time”.

Njeriu forcohet në këso rrethanash ose, nga një herë, thyhet. Cinci ka çfarë t’i tregojë botës dhe ajo e ka ndërtuar, normalisht, sistemin e vet të kuptimit të saj.

Ambienti nuk ishte i përshtatshëm as pas mbarimit të sulmeve të NATO’s. “Na vinin njerëz te dera që thoshin të kenë dëgjuar se do ta shesim banesën. E ne, kurrë një gjë të tillë nuk e kishim planifikuar. Thjesht, ishte një provokim…”.

Tani, ajo është e rritur dhe ka respektin e merituar në shoqërinë e vet. Dhe ndaj ca gjërave lëkura fillon të bëhet thjesht më imune. 

Apo, kështu ne preferojmë të mendojmë? E tëra vështirësohet kur një ndryshore e re futet në ekuacion. Martesa. A e ke parë filmin ‘The Dilemma’, Cinci?

Vajza që jeton në qendër të Serbisë dikur zbulon brendësinë e vet. I pëlqen të martohet me shqiptar, sado që nuk e ka lehtë të bëjë kontakte.

“Kur kam qenë e vogël, babai dhe nëna gjithë më kanë thënë se nuk bën të martohem me serb”, shprehet ajo. “Nuk i dihet çka na sjell e ardhmja, ama besoj se nuk do të martohesha me serb”.

Të huaj janë njerëzit ndonjë herë, vërtet. Edhe pse tërë shoqëria e saj janë serbë beogradas. “I kam shokë të mirë…”, shprehet ajo. “Por, sado larg Kosove, në familjen tonë, jemi edukuar në atë mënyrë që të mos ndodhin martesa mes nesh dhe serbëve”.

Cinci ka vizituar disa herë Kosovën – djepin e ëndërrimeve të saj.

 “Më pëlqen më shumë Prizreni, është shumë qytet i bukur. Edhe Peja shumë, sidomos Gryka e Rugovës”, thotë ajo. “Kosova është vendi ku çlirohem krejt”.
Duket se sikur për Bekim Fehmiun, Prizreni është i popullarizuar tek shumë shqiptarë tjerë beogradas. E për kë s’është? Por, aktori i madh mund të çlirohej e përmbushej vetëm në skenat e Beogradit. Mirë, së paku kur mbante mot i përshtatshëm politik atje.

Është një skenë më e gjerë që e mban edhe Cincin në Beograd. Ajo është rritur atje dhe është mësuar. Tek e fundit, është e vërtetë, njeriu dashurohet edhe në objekte – në rrugë, në pamjet, në kafenetë dhe  muzgun e një qyteti kur shiu afron. Njeriu ka të drejtë ta thërras një qytet të vetin. Sikur Cinci Beogradin.

“Do të më pëlqente të kthehem në Kosovë sikur të ketë punë, rregull…por tash e kam vështirë ta lë Beogradin”.

Në kryeqytetin e Serbisë mendohet se jetojnë rreth njëqind familje shqiptare.

Cinci thotë se nuk ka ndonjë vend të veçantë ku ata mblidhen. “Nuk kem asi vendi ku ishim ulë me pi çaj rusi…”, shprehet ajo.

Shumë familje kosovare që jetonin në Beograd, shitën banesat e tyre për t’u rikthyer në Kosovë, pas mbarimit të luftës së fundit. Kishte edhe raste, që i ndërruan ato me serbë nga Kosova, të cilët për të njëjtat arsye lëvizën në drejtimin e kundërt.

Cinci edhe pas asaj lëvizje toke mbeti në Beograd.

Shallin e vënë, telefonin me vete dhe ndonjë roman interesant kur ka kohë. Cinci është një vajzë e kësaj bote që në fund nuk del aq e pazakontë. Secila mund të bëhet pakëz më shumë latine, po të zgjedhë. Fundja, Brazili është i dashur në Serbi.

Por, të gjithë duhet të mbajnë mend se, siç u kuptua, dikur francezët flisnin për ‘shqiptarkën këmbëlehtë’.