Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vonesat në pagesa i shkaktojnë kosto shtesë me vendime gjyqësore e përmbarimore komunës së Prishtinës

Si shkak i vonesave në pagesë të faturave, Komuna e Prishtinës në vitin 2023 ka paguar 476,733 mijë euro, në emër të kamatave dhe procedurave përmbarimore, si pasojë e pagesave me vendime gjyqësore thuhet në raportin e pasqyrave financiare për komunën të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA).

Sipas raportit, kjo “ka ndodhur për shkak të kontrolleve joadekuate në ekzekutimin e pagesave dhe menaxhim të kontratave publike, mungesës së fondeve financiare pasi disa kontrata janë lidhur pa fonde të mjaftueshme dhe vonesave në kompletim të lëndëve”.

ZKA thekson se, në total, pagesat përfshirë borxhin dhe kamatat ishin 1,758,900 euro, ku për mallra dhe shërbime janë paguar 380,240 euro, dhe investime kapitale 1,378,660 euro.

Po ashtu, në gjashtë 6 pagesa të testuara të investimeve kapitale në vlerë totale prej 442,777 mijë euro, është vërejtur se faturat ishin vonuar për pagesë, përtej afatit ligjor prej 30 ditësh, sipas këtij raporti.

Raporti më tej thekson se vonesat në pagesën e faturave, dhe si rrjedhojë pagesat e realizuara përmes vendimeve gjyqësore, “vështirësojnë realizimin e buxhetit sipas planifikimeve, si dhe shkaktojnë kosto shtesë në buxhetin e Komunës”.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të forcojë kontrollet në menaxhimin e faturave, duke siguruar se pagesat bëhen brenda afatit të përcaktuar ligjor.