Përmes protestës, Këshilli i prindërve të shkollës ‘Naim Frashëri’ kërkojnë fillimin e procesit mësimor

Këshilli i prindërve të shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri” në Prishtinë, është mbledhur sot  për të shprehur shqetësimin lidhur me prolongimin e fillimit të procesit mësimor për vitin shkollor 2022/2023.

Vlora Vokshi, antare e Këshillit të prindërve në këtë shkollë tha para mediave se janë të indinjuar me këtë situatë.

“Ne ndihemi tejet të zhgënjyer dhe të indinjuar për prolongimin e një epologu ndërmejt Qeverisë dhe SBASHK-ut e që respektivisht ndikon negativisht te fëmijët tanë” – u shpreh Vokshi.

Ajo tha se si pasojë e kësaj situate po neglizhohet mirëqenia e fëmijëve të tyre.

“Po bëhet pothuajse një muaj që fëmijët janë jashtë objekteve shkollore dhe në këtë vazhdë të mosmarrëveshjeve po neglizhohet mirëqenia e fëmijëve tanë, respektivisht e ardhmja e Kosovës”.

Ajo shtoi se përmes kësaj proteste po bëhet thirrje që të gjendet një zgjidhje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut duke shtuar se ata nuk janë duke ia mbajtur anën ndonjërës palë.

“E drejta e fëmijëve për arsim është e drejtë e siguruar përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Çdo përpjekje për ta parë apo shfrytëzuar këtë protestë si përkrahje e ndonjërës palë është e gabuar dhetendencioze. Kërkesa jonë e vetne është të fillojë mësimi menjëherë.

Si pjesë e qytetarëve që u bashkangjitën në këtë protestë ishte edhe Xhevrie Zenuni, e cila ka dy nipa që janë nxënës në shkollën “Naim Frashëri”.

“Dy nipa i kam, njëri ka dalë në klasën e gjashtë, tjetri ka dalë në të dytën”. Shpjegoi ajo duke u shprehur se këtë situatë ajo po e përjeton shumë keq.

“Keq po e përjetojmë, shumë keq, shumë keq që po u humb mësimi. Edhe ata (nipat) po e përjëtojnë keq, mezi presin që të kthehen në shkollë për ta vazhdu mësimin” – u shpreh Zenuni.

Greva në sektorin publik dhe në arsim ka filluar që nga 25 gushti dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje e përbashkët mes SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, pavarësisht disa takimeve që kanë ndodhur mes të dyja palëve.