Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Mësimi për disa nivele po organizohet online

Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëria Nagavci sot në një konferencë për media tregoi se procesi mësimor në Kosovë është duke u organizuar në objekte shkollore, por në disa nivele po mbahet online.

Ajo gjithashtu theksoi se sot ka filluar periudha e tretë e mësimit.

“Mësimi për disa nivele të shkollave po organizohet me pjesëmarrje fizike gjegjësisth në edukimin e hershëm në kopshte dhe në çerdhe në nivelin zero dhe në të gjitha klasat 1 deri në 5 mësimi po zhvillohet me pjesëmarrjen fizike të nxënësve në shkolla duke respektuar të gjitha masat e rekomanduara nga organet kompetente”, tha ajo.

Tutje Nagavci potencoi se mësimi nuk ka filluar sot vetëm në fshatin Gushavc të komunës së Mitrovicës pasi që sipas saj nxënësve duhet t’u sigurohet transporti për në shkollë.

“Sipas informacioneve që i kemi në ministri në ditën e sotme ka filluar mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës, në përjashtim të fshatit Gushavc të Mitrovicës ku në njërën nga shkollat mësimi do të vazhdoj nesër për shkak se nxënësit të vazhdojnë mësimin në shkollën ‘Ismajl Qemaili’ dhe aty sot po punohet me skenarin C për shkak se duhet të sigurohet transporti që sipas njoftimit të drejtorisë komunale në Mitrovicë kjo do të realizohet nga dita e nesërme”, tregoi ministrja.

Sipas Nagavcit është kryer dezinfektimi në të gjitha shkollat në vend.

“Ministria e arsimit ka marr të gjitha masat që të ofroj një qasje të gjithë nxënësve për mësim online. Njësitet mësimore transmetohen në televizionin publik dhe në platformat online”, tha ajo.

Ministrja foli edhe për vaksinimin e mësimdhënësve me vaksinën kundër COVID-19 e cila potencoi se është prioritet vaksinimi i mësimdhënësve në moshë të shtyer dhe me sëmundje kronike.

Sipas masave te reja të Qeverisë nxënësit nga klasa 1 deri 5 do të mësojnë sipas skenarit A, në objekte shkollore ndërsa nxënësit nga klasa 6 deri në 13 do të mësojnë sipas skenarit C, mësim online.

Si pasojë e pandemisë SARS- CoV2 mësimi është mbajtë në tre skenarë. Skenari A përfshinë mësimin në objekte shkollore, skenari B përfshinë mësimin e kombinuar shkollë- shtëpi dhe skenari C përfshinë mësimin online.