Apeli zbut dënimin për vrasjen që tronditi Prishtinën

Gjykata e Apelit ia ka zvogëluar për një vit dënimin me burgim të akuzuarit për vrasjen e dy të rinjve, vrasje kjo e cila ndodhi në gusht të vitit 2016 në afërsi të Parkut të Qytetit, në Prishtinë.

Apeli ka vendosur konform ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Faton Qirezit, ndërsa ankesat e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, janë refuzuar si të pabazuara.

Aktgjykimin e shkallës së parë, mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Idrizi, avokati Faton Qirezi, e kishte ankimuar lidhur me vendimin mbi dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë me burgim se sa që i kishte shqiptuar Gjykata e shkallës së parë.

Pas shqyrtimit të ankesave, Apeli ka marrë aktgjykim me anë të të cilit pjesërisht është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë.

Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit të akuzuarit Lulzim Idrizi ia ka zbutur dënimin me burgim nga 20 vjet burgim në 19.

Me anë të këtij aktgjykimi Apeli e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore vetëm sa i përket vendimit mbi dënim sa i përket veprës penale të vrasjes së rëndë.

Ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, Gjykata e shkallës së dytë e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, duke marrë parasysh pretendimet ankimore të Prokurorisë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar dhe mbrojtësit të të akuzuarit, e duke i krahasuar të njëjtat me arsyet e dhëna në vendimin për dënim nga Gjykata e shkallës së parë, atëherë rezulton se pretendimet e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar se dënimi i shqiptuar të akuzuarit është i butë, janë të pabazuara, ndërsa, pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit se dënimi i shqiptuar të akuzuarit është i ashpër janë të bazuara.

Në qershor të vitit 2018, Gjykata Themelore e Prishtinës pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarit Lulzim Idrizi të cilin e gjeti përgjegjës për vrasje të rëndë e cila kishte ndodhur në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Shadije Gërguri e kishte dënuar Lulzim Idrizin me 20 vjet burg duke e gjetur fajtor për vrasjen e dy personave, Eron Agaj dhe Arianit Gashi, në gusht të vitit 2016.

https://kallxo.com/vrasja-te-parku-prokurorja-dhe-familjaret-kerkojne-denim-maksimal-per-te-akuzuarin/

https://kallxo.com/i-akuzuari-rrefen-arsyet-e-vrasjes-se-dy-te-rinjve-te-parku-i-prishtines/

Aktakuza thotë se në atë moment, i akuzuari Lulzim Idrizi me dashje që të njëjtit t’i privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, i ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave i ndjeri Eron Agaj ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa i ndjeri tjetër Arianit Gashi në QKUK.

https://kallxo.com/avokatja-dyshuari-per-vrasjet-te-parku-dy-tentoi-vetevrasjen/

Prokuroria pretendonte se i akuzuari Lulzim Idrizi me anë të këtyre veprave penale ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë si dhe të armëmbajtjes pa leje.

https://kallxo.com/babai-nuk-mund-ta-shohe-video-incizimin-e-vrasjes-se-te-birit/

www.kallxo.com