Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti komenton takimin Thaçi-Vuçiq

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar takimin e mbajtur mbrëmë në Bruksel të Presidentit Thaçi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Kurti përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se plani i Serbisë për marrjen e veriut të Kosovës është lakmi ‘shovene’,

“Mbrëmë në Bruksel u zhvillua takimi i tretë i Thaçit me Vuçiqin. Edhe ky takim pa mandat nga Kuvendi, pa platformë parimesh e pa ekip negociator. Nga një njeri pa legjitimitet e pa kredibilitet, pa kompetencë e pa autoritet. Plani i Serbisë për marrjen e veriut të Kosovës është lakmi shovene e admirim nostalgjik për Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. 75 vjet më vonë, Serbia e do pjesën e Kosovës që ishte nën Gjermaninë e Hitlerit. Kolaboracionisti i saj shqiptar, kësaj radhe është president yni. Por, shekulli është tjetër..”, ka shkruar ai.

I pari i LVV-së e ka kujtuar kohën kur qeveria ka sjellë në Kuvend raportin mbi arritjet dhe sfidat e marrëveshjeve të Brukselit, duke e quajtur kryeparlamentin Kadri Veseli “kolaboracionist i kolaboracionistit”.

“Sot, më 9 nëntor, janë bërë katër muaj prej se qeveria na e solli në Kuvend raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Mirëpo, Kryetari i Kuvendit dhe veglat e tij në kryesi aty, nuk e dëshirojnë shqyrtimin dhe vlerësimin e dialogut 2011-2017, marrëveshjet e bëra dhe rezultatet e tyre. Që prej 9 korrikut 2018, ai nuk do që ta fus në agjendë parlamentare e ta sjellë në seancë plenare këtë raport të qeverisë. Ky kryeparlamentar është kolaboracionist i kolaboracionistit”, ka shkruar Kurti në rrjetin social ‘Facebook’.

Thaçi dhe Vuçiq gjatë ditës së djeshme zhvilluan takime të ndara me Përfaqësuesen e Lartë për politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherini.