Afera me 200 mijë eurot, Kadri Veseli deponon kallëzim penal

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka njoftuar se ka deponuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për shkak të keqpërdorimit të emrit të tij nga, siç e ka quajtur ai, një grup kriminal.

“Unë do t’i shkoj deri në fund qartësimit të këtij rasti dhe sjelljes para përgjegjësisë penale për të gjithë të përfshirët, ata që e kanë bërë krimin dhe ata që e kanë fshehur krimin për gjashtë vjet”, ka thënë Veseli në një postim në profilin e tij në Facebook.

Në një xhirim të publikuar mbrëmë nga KTV, një person, Kadri Rexhepi, përmend emrin e Kadri Veselit, duke aluduar se ai ka marrë 200 mijë euro në një rast që ka të bëjë me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Në një konferencë për shtyp, Veseli mohoi sot se është i përfshirë në aferën ku iu përmend emri.

“Më është permendur nga disa persona emri im. Dua të deklaroj që unë nuk kam të bëj me këtë rast dhe as me personat në atë rast”, tha Veseli sot në një deklaratë para gazetarëve.

“Ky është rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit për çfarë jam i bindur se edhe organet e hetuesisë dhe drejtësisë kanë qenë në dijeni me kohë”, shtoi ai.

“Nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes sime në këtë aferë, nga sot deklaroj se do të jap dorëheqje”, tha Veseli.

https://kallxo.com/kadri-veseli-jap-doreheqje-nese-del-nje-indikacion-i-perfshirjes-sime-ne-aferen-e-200-mije-eurove/

www.kallxo.com