#DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Kallxuesi Murat Mehmeti ‘Duhet të Dekorohet’ nga Presidenti

Përfaqësues të subjekteve politike në #DebatPernime thanë sonte se kallxuesi Murat Mehmeti, duhet të dekorohet nga Presidenti Hashim Thaçi për denoncimin e rastit ‘Vjedhja e Organizuar Tatimore” në Administratën Tatimore të Kosovës.

Driton Tali, tha se të gjithë kallxuesit duhet të dekorohen.

“Absolut, duhet ta dekorojë edhe Hashim Rexhepin që është kallxues”, tha Tali.

Por Shqipe Pantina, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Murat Mehmeti nuk duhet ta pranonte një dekoratë nga Hashim Thaçi.

“Z. Mehmeti nuk duhet të pranojë një dekoratë sepse nuk e meriton z.Thaci t’i dhurojë një medalje një njeriut që e meriton një medalje, ka edhe shumë të tjerë”, tha Pantina.

Ibrahim Rexhepi, përfaqësuesi i koalicionit LDK-AKR, tha se dekorimi duhet të bëhet në bazë të ndonjë rregulloreje.

“Duhet të dekorohet në bazë të një ligji që përcakton dekorata”, tha Rexhepi.

Kujtim Paçaku, nga komuniteti rom, tha se denoncimi duhet të bëhet nga ana e qytetarëve të Kosovës për çfarëdo rasti.

“Jo veç z. Mehmeti po të gjithë ne qytetarët duhet të bëjnë denoncimin. Ai që është mbi ligjin e Republikës së Kosovës, nuk duhet të jenë në Kosovë. Për korrupsionin nuk duhet të kemi mëshirë aspak”, tha Pacaku.

Këto komente u bënë në “Debat Përnime”,  të moderuar nga Jeta Xharra, që po transmetohet  në TV21.

Në debatin e sontëm, të dytin me radhë, nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit të koalicionit PDK-së. Nërsa përfaqësuesit  e AAK-NISMA kanë pranuar ftesën për debat.

Në këto zgjedhje PDK-AAK e NISMA më 11 qershor garojnë bashkë me 11 parti tjera më të vogla.

LDK do të garojë në zgjedhjet e 11 qershorit së bashku me AKR-në.

Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Mbrëmë, në debatin e parë parazgjedhor në të cilin u fol për politikën e jashtme, vetëm AAK mori pjesë në këtë diskutim, ndërsa PDK e NISMA munguan.