Gjykimi për shpërthimin e bombolave të gazit | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca e Gjykimit për Shpërthimin e Bombolave të Gazit

Seanca e gjykimit për shpërthimin e bombolave të gazit nuk u zhvillua, ngase mungoi i akuzuari Muhamet Prapashtica.

Gjyqtari Shasivar Hoti tha se Prapashtica e ka njoftuar gjykatën se nuk do të mund të marrë pjesë në seancë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Edhe seanca e kaluar e këtij gjykimi ishte ndërprerë ngase i akuzuari Prapashtica nuk ndihej mirë, ndërsa më pas ishte dërguar në emergjencë.

Seanca që ishte paraparë të zhvillohej sot, u caktua më 30 maj.

http://kallxo.com/nderpritet-seanca-ne-gjykimin-per-shperthimin-e-bombolave-te-gazit/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, një bombolë gazi e cila shpërtheu më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas”, shkaktoi vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimin e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Lidhur me këtë shpërthim, Muhamet Prapashtica pronar i “M Gas Petrol” dhe Besnik Sadiku pronar i “P-Gas” po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Faton Canolli akuzohet se pa kontratë pune ka ushtruar veprimtarinë e shitjes së gazit si shofer.

Lidhur me këtë shpërthim, akuzohen edhe Ahmet Frangu si kryeinspektor dhe Nafije Osmani si inspektore tregu. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare duke lejuar kompanitë e sipërpërmendura të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje.

Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës “M Gas Petrol“ të përfitojë dobi pasurore duke e lejuar të ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.

Për arsye të njëjta akuzohet edhe Nafije Osmani, e cila në cilësinë e inspektores të tregut duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ka lejuar kompaninë “P Gas“ të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme duke ushtruar veprimtarinë e saj pa leje valide.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.