Shtyhet Përballja e BIRN-it dhe Zyrës së Kryeministrit në Gjykatë

Sot ishte paraparë mbajtja e seancës dëgjimore në rastin e padisë së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ndaj Zyrës së Kryeministrit për moslejimin e qasjes në shpenzimet e bëra të kësaj zyreje në periudhën 15 shkurt 2011 – 31 gusht 2012. Seanca nuk u zhvillua për shkak të grevës së gjykatësve.

Sot ishte paraparë mbajtja e seancës dëgjimore në rastin e padisë së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ndaj Zyrës së Kryeministrit për moslejimin e qasjes në shpenzimet e bëra të kësaj zyreje në periudhën 15 shkurt 2011 – 31 gusht 2012. Seanca nuk u zhvillua për shkak të grevës së gjykatësve.

NDËRLIDHUR

Në nëntor të vitit 2012 – BIRN-i në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët” pati dorëzuar atëkohë në Gjykatën Supreme– padinë për konflikt administrativ  kundër Zyrës së Kryeministrit.

Padia kishte të bënte me moslejimin e qasjes në shpenzimet e bëra nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrat në kabinetin e tij.

BIRN-i duke konsideruar se shpenzimet e faturuara të bëra nga kabineti i Zyrës së Kryeministrit gjatë udhëtimeve të tyre zyrtare janë fonde publike dhe si të tilla të hapura për publikun, pati shteruar të gjitha mundësitë e kërkesave për qasje në këto dokumente, para padisë në Gjykatë.

I vetmi zëvendëskryeministër që kishte ofruar qasje në dokumentacionin e kërkuar ishte Sllobodan Petroviq. Të tjerët kishin heshtur.

Në vitin 2013 me ndryshimin e Ligjit për Gjykatat  lënda ka kaluar në Gjykatën Themelore – Departamentin për Konflikte Administrative dhe së fundmi i ka ardhur radha për shqyrtim.

Sot ka qenë e paraparë mbajtja e seancës dëgjimore për këtë rast, megjithatë për shkak të grevës në të cilën gjendet gjyqësori, seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.

E njëjta kërkesë për qasje në shpenzime i është dërguar nga BIRN-i edhe Zyrës së Kryeministrit aktual.

Gjyqtarët e gjykatave themelore të Kosovës që në majin e vitit të kaluar dorëzuan një kërkesë për rritje të pagave prej 200 eurove, e cila nuk u mor parasysh, nga 3 marsi i këtij viti kanë hyrë në grevë për realizimin e kërkesave të tyre.

Aktualisht nëpër shumicën e gjykatave kosovare po mbahen vetëm seancat me të paraburgosur dhe ato që konsiderohen urgjente.

19 Mars 2015 - 13:54

Armend Zenelaj 19/03/2015 - 13:54
NDËRVEPRIMI0