Ndërtesa e parlamentit në Beograd. Foto: Asambleja Kombëtare e Republikës së Serbisë.

Serbia Zgjedh Kryeprokuroren e Re të Krimeve të Luftës

Parlamenti i Serbisë zgjodhi të hënën Snezhana Stanojkoviqin, ish- zv/kryeprokuroren si kryeprokurore për rastet e krimeve të luftës, një post i ngelur bosh për rreth një vit e gjysmë.

Shumica e programit që ajo parashtroi si kandidate për atë post fokusohet te viktimat serbe dhe te dhënia fund e mosndëshkueshmërisë për krimet e kryera kundër serbëve.

“Bashkëpunimi efikas rajonal kërkon rivlerësim të bashkëpunimit të mëparshëm, sepse rezultatet e pritura dhe të rëna dakord nuk u arritën, sidomos sa i takon ndjekjes penale të personave përgjegjës për krimet kundër njerëzve me kombësi serbe”, tha Stanojkoviq në programin e saj.

Posti i kryeprokurorit të krimeve të luftës ka qenë bosh që prej dhjetorit të vitit 2015, kur përfundoi edhe mandati i Vladimir Vukçeviqit.

Sipas ekspertëve, fakti që Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka pasur dikë në krye të saj për shumë kohë e dëmtoi këtë institucion tashmë të brishtë, që ka vuajtur nga mungesa e mbështetjes dhe burimeve, si edhe ka qenë subjekt presioni politik.

Stanojkoviq iu bashkua kësaj zyre në vitin 2008 dhe flitej se ishte kandidatja kryesore për postin e kryeprokurores që para votimit të ditës së hënë.

Ajo ka punuar në një sërë çështjesh, përfshirë gjyqin që vazhdon ende të tre anëtarëve të forcave të armatosura serbe të akuzuar vrasjen e 46 shqiptarëve të Kosovës në fshatin Lubeniq gjatë luftës në vitin 1999.

Gjatë angazhimit të saj si zëvendësprokurore, ajo ngriti 16 padi për krimet e kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Stanojkoviq ka përkrahur gjyqin në mungesë të luftëtarëve kroatë të dyshuar për krime lufte kundër serbëve, pasi nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi midis Beogradit dhe Zagrebit.

Ajo përkrah gjithashtu marrëveshjet për pranimin e fajësisë, duke u shprehur se ato i bëjnë gjyqet e krimeve të luftës më efikase dhe më të shpejta.

Stanojkoviq u zgjodh përballë kandidatit të saj rival, Milan Petroviq, i cili ka punuar në zyrën e prokurorit që nga themelimi i saj në vitin 2003, kryesisht në çështjet që kanë lidhje me luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1992-1995.

Numri i ndjekjeve penale të krimeve të luftës është ulur gjatë viteve të fundit – në vitin 2014 u ngritën vetëm katër padi, në vitin 2015 nuk pati asnjë padi ndërsa në vitin 2016 u ngritën tetë të tilla; njëra ishte rasti i parë serb për krime lufte në Srebrenicë, por të tjerat ishin kryesisht krime të vogla me një të pandehur.

Prokuroria ngriti dy padi të reja të lidhura me luftën në Bosnjë në prill 2017 – njëra për vrasjen e boshnjakëve të rrëmbyer në Strpci dhe për vrasjet në Sanski Most.

Për tre vjet me radhë s’është ngritur asnjë padi për krime lufte në Kosovë.