Rektori, Megjithatë, Vendos të Rezistojë

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë ditës ka paralajmëruar se mund të japë dorëheqje nëse Këshilli Drejtues i Universitetit vendosë ta miratojë një vendim kontrovers të Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, që ka të bëjë me regjistrimin pa kriter të studentëve të kategorive të dala nga lufta.

Mediat kanë raportuar gjatë tërë ditës për gatishmërinë e rektorit të largohet në ditën e 72-të të punës së tij si rektor.

Por në emisionin Jeta në Kosovë, në mbrëmje, Ramaradan Zejnullahu u paraqit me një qëndrim tjetër.

Ai duket se ka vendosur të rezistojë dhe ta sfidojë këtë vendim duke mbetur në post.

“Jam i vetëdijshëm për pasojat edhe të zbatimit edhe të moszbatimit të vendimit të MAShT. Kjo është më tepër se sa ndërhyrje sepse e thyen institucionin e konkursit”, tha Zejnullahu në këtë debat.

Ai u shpreh se qëllimi i vendimit të ministrit Buja është që të pengohet realizimi i një projekti për UP-në.

“Është një grup njerëzish që jashtëligjshëm është stabilizuar në Universitet”, tha ai.

Vendimi i ministrit erdhi një ditë pas skadimit të një ultimatumi që javën e kaluar, shoqatat e dala nga lufta ia dhanë rektorit që të reflektojë dhe ta pranojë listën e servuar të studentëve të rinj nga këto kategori.

Ministria thotë se duke e marrë këtë vendim, Buja ka synuar ta respektojë një memorandum mirëkuptimi mes UP-së dhe shoqatave të dala nga lufta që lehtëson regjistrimin e studentëve të këtyre kategorive në UP.

Por për rektorin, pas rregullimit të kësaj çështjeje me ligj, memorandumi “duhet të shpallet inekzistent”.

Ai u shfaq i mllefosur në faktin që lista studentësh servohen nga Ministria për pranim pa kritere.

“Askush në këtë shoqëri nuk ka të drejtë ta shpallë të paditurin të ditur”, tha ai duke shtuar se është Senati i UP-së përcakton kritere të pranimit të studentëve

“Ministri Buja ka shprehë një brengë për një presion që po i bëhet”, tha ai.

Por për Arbër Morinën, këshilltar i ministrit Ramë Buja, ministri “ka të drejtë ligjore të marrë vendim të tillë”.

“Të gjithë jemi të barabartë por këta janë kategori e veçantë. Janë familje e veteranëve të luftës”, tha Morina.

Por eksperti i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi thotë se është ligji që u jep studentëve të këtyre kategorive përparësi në regjistrim, por në kushte të barabarta me të tjerët.

“Ky është vendim bashibozukësh”, tha Thaçi.

Ai i ka sugjeruar rektorit të mos japë dorëheqje.

“Rektori nuk duhet të japë dorëheqje nëse nuk lejon shkeljen e ligjit. Ministri duhet të japë dorëheqje”, tha Thaçi.

Vetë rektori mendon se vendimi është i pakuptimtë.

“Nuk e kam pritë që dikush do të ketë aso guximi që t’i japë Universitetit një vendim që dikush vetëm pse ka hyrë në derë të Universitetit, të pranohet në fakultet”, tha Zejnullahu.

Ai madje shkoi edhe më tej.

“Ministri nuk e di çfarë ka nënshkruar”.

Por Arbër Morina nuk u pajtua me të.

“Ministri e di mirë çfarë ka nënshkruar”, tha ai.