Komandant Hoxha tërhiqet nga qeveria e Zaevit

Reagimet e shumta në opinionin publik për punësimin e Xhezair Shaqiri, i njohur si “Komandant Hoxha”, kanë marrë fund me tërheqjen e tij nga funksioni.

Siç mëson TV21, Hoxha sot përmes telefonit ia ka shpjeguar kryeministrit Zoran Zaev arsyet, derisa ai ishte për vizitë në pjesën jug-perëndimore të Maqedonisë. “Qëllimi ka qenë të ketë proces inkluziv dhe të tejkalohen problemet e së kaluarës. Personat të cilët në të kaluarën kanë shikuar nëpër shënjestër, tash punojnë për Qeverinë dhe për vendin e tyre Republikën e Maqedonisë. Por, njëkohësisht jemi edhe njerëz të cilët dëgjojnë, sepse ka pasur shumë reagime. E kemi dëgjuar me shumë vëmendje atë që na thonë populli dhe opozita”, tha Zaev. Para disa ditësh, reaguan edhe nga Ambasada Amerikane në Shkup lidhur me punësimet në Kabinetin qeveritar, respektivisht për angazhimin e personave që janë në “listën e zezë” të SHBA-ve. Prej atje për TV21, konfirmuan se shqetësimin e tyre e kanë shprehur edhe tek Qeveria e Maqedonisë. “Deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë e kemi shprehur shqetësimin tonë, sepse konsiderojmë se emërimet e funksionarëve të caktuar paraqesin problem, – thuhet në kumtesën e Ambasadës Amerikane në Shkup, dërguar për TV21. Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, sot reaguan duke thënë se është i turpshëm arsyetimi se Komandant Hoxha vetë ka vendosur ta lëjë postin e lartë qeveritar. “Kjo sjellje e Zoran Zaevit është e turpshme. Kjo tallje me qytetarët, shtetin dhe institucionet e tij është e palejueshme. Zoran Zaev dhe të gjithë ata të cilët i kanë kryer kontrollet e sigurisë për Komandant Hoxhën dhe kanë sugjeruar që ai të bëhet zyrtar i lartë, duhet të mbajnë përgjegjësi. Disa ditë më parë, madje edhe ministri i punëve të brendshme, Olliver Spasovski e mbrojti emërimin e Hoxhës dhe pohonte se nuk ka asgjë e kontestueshme në faktin se një radikal nga lista e zezë, emri i të cilit lidhet edhe me vrasjen e një polici, duhet ta këshillojë edhe kryeministrin edhe policinë”, tha Naum Stoilkovski. Përzgjedhja e Xhezair Shaqirit-Hoxha për këshilltar të jashtëm për sigurinë e kryeministrit Zaev, periudhën e fundit e ka shqetësuar opinionin publik. Ai ishte angazhuar me kontratë njëvjeçar dhe me rrogë prej 36.000 denarësh në muaj. Mes 56 këshilltarëve të kryeministrit Zaev janë edhe Fatmir Besimi, pastaj ish-ministri i brendshëm, Ljube Boshkovski, arkitekti Mirosllav Gërçev, profesorët Ismet Ramadani dhe Mersell Bilalli, avokati Mile Zeçeviq edhe shumë të tjerë.

/RTV21