KALLXO 360: Shkolla ‘Faik Konica’ Vishet Kuqezi për 28 Nëntorin

Veçantia e ditës dhe atmosfera festive vërehej që nga dekori jo i zakonshëm i shkollës me balona dy ngjyrësh, fije zbukuruese dhe flamuri shqiptar që mbulon hyrjen dhe emërtimin e shkollës.

Edhe veshjen e fëmijëve por edhe mësuesve sot e ka mbizotëruar ngjyra e kuqe dhe e zezë.

Në prag të 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kjo shkollë si shumë shkolla të tjera në Kosovë është përgatitur për një program festiv.

Më të talentuarit e kësaj shkolle në këndim, instrumente, poezi dhe ese janë mbledhur për të shfaqur program para prindërve, mësuesve dhe nxënësve për përvjetorin e 104 të pavarësisë.

E hapjen e programit e bëri kori i shkollës me këndimin e Himnit Kombëtar nën dirigjimin e mësueses, për të vazhduar me pas me recitalet e përgatitura nga nxënës të klasave të ndryshme të kësaj shkolle.

Drejtoresha e Shkollës, Xhulie Balaj foli për rëndësinë që ka muaji nëntor dhe arsyen pse organizojnë program festiv në këtë ditë.

“Muaji nëntor për ne është muaji historik, muaji i ngjarjeve të mëdha që fëmijët tanë, nxënësit tanë, do t’i rikujtojnë. Do t’i ringjallin kujtimet e gjithë atyre që kontribuuan për ditën e sotme që të ketë shumë dritë, që të ketë tolerancë, që të ketë dashuri dhe shumë paqe”, tha drejtoresha Balaj.

Megjithëse kjo festë nuk figuron si festë zyrtare në Republikën e Kosovës, ajo vazhdon të festohet dhe të shënohet në shumicën e institucioneve, përfshirë këtu edhe shkollat.

Prandaj Qeveria e Kosovës, e ka shpallur ditën e hënë ditë pushimi për institucionet e vendit.