Jeta në Kosovë diskuton për infrastrukturën rrugore

Jeta në Kosovë, këtë të enjte, do të diskutojë se çka ndodh, kur qytetarëve iu dështojnë të gjitha format adresimit të problemit, e duhet të dalin në protesta?

Pse u desh që protesta e qytetarëve të fshatit Polac në Skenderaj, më 24 tetor, të përfundojë me 9 arrestime? Pse jeta në Polac ka ndryshuar aq pak, që kur Hasan Prishtina ka lindur këtu më 1873?

Përveç telave të rrymës që në këto ditë dimri shpesh nuk sjellin rrymë, ky fshat nuk ka kanalizim, nuk ka ujësjellës, nuk ka formë të organizuar të hedhjes së mbeturinave; dhe megjithëse është në mes të Drenicës, nuk ka as rrugë.

Kush është përgjegjës që rruga e filluar qe 7 vjet ka dështuar të përfundojë, ndërkohë që janë ndërruar 3 qeveri të ndryshme, që atëherë?

Ndiqini intervistat me qytetarët e arrestuar të Polacit Valdet, Basri e Hilmi Xani, intervistat me përfaqësuesit e fshatit, pronarin e shtëpisë së pashpronësuar, si dhe intervistat me të gjitha institucionet e përfshira në këtë rrëfim, përfshirë:

Basri Durmishi, komandant i Policisë në Skenderaj;

Fadil Nura, nënkryetar i Komunës;

Hajriz Koci, deputet i Asamblesë Komunale;

Ganimete Musliu, deputete e PDK-së nga Skenderaj;

Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës.

BIRN gjithashtu transmeton intervistën me Jeta Xharrën, e cila po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Ndryshime Klimatike në Durban të Afrikës së Jugut.