Veshkat në Izrael Bliheshin me 12 Mijë dollarë

E enjtja të gjitha palët në Rastin Medicus i solli më herët në gjykatë, me që seanca duhej të fillonte në orën 9, pasi që autoritetet izraelite kishin kërkuar nga ato kosovare që të procedohet me shpejt me dëshmitarët – të dëmtuarit.

Seanca filloi prapë 20 minuta më vonë, për shkak të vonesës së kolegjit të gjykatësve, e me ardhjen e tyre publiku që ishte në sallë u nxor jashtë pasi që do të diskutoheshin disa çështje të cilat nuk janë për publikun. Këto diskutime zgjatën më shumë se 1 orë.

Pas hapjes së seancës, para publikut dhe palëve u shfaq dëshmitari me identitetin e mbrojtur, të cilit iu dhanë shifrat A.O. Dëshmitari fillimisht kërkoi 100 mijë euro si dëmshpërblim për dëmin që i ishte shkaktuar. Po ashtu i njëjti tregoi se ishte në Izrael nga vitit 1996 dhe se tani i kishte vetëm 24 vjeçar.

Ai tregoi se në vitin 2008 e kishte parë një njoftim në një gazetë lokale në gjuhën ruse, në të cilën thuhej se “kërkoj një dhurues i veshkës për një shumë të lartë të parave”. Në shpallje ishte edhe numri i telefonit vendas.

“Pasi telefonova aty, ai që u përgjigj në telefon më tha se do të paguante veshkën për 12 mijë dollarë. Në fillim unë hezitova të thërrisja por kriza ekonomike që e kisha më shtyri”, tregon dëshmitari A.O.

“Ai që mu përgjigj në telefon më pyeti për jetën që bëja dhe më tregoi se operimi nuk do të jetë i komplikuar e që do të zgjaste vetëm 30 minuta. Ai po ashtu më tha që operimi do t’i shpëtojë jetën një njeriut. Më vonë kur më ka thirrur në telefon unë nuk e pata hapur se nuk isha i sigurt për atë që po bëja”, shton dëshmitari.

Dëshmitari tregoi që më vonë ishte takuar me personin që i fliste rusisht në telefon, dhe se pas takimit ishte quar në qytetin Eshtog për t’i bërë analizat e gjakut. Personi i njohur me emrat Dimo ose Vono, ndër të tjera i kishte thënë se pas operimit do të ishte njësoj si është edhe përpara dhe se do të jetë në gjendje që të punojë edhe punë fizike.

Dëshmitari kishte udhëtuar nga Izraeli për në Stamboll me datën 18 qershor 2008, ku pas arritjes ishte dërguar në një hotel, e atij prapë i ishte marrë gjak për analiza, ndërkohë që aty kishte takuar një person tullac dhe me syze dielli të firmës Armani, i cili i kishte folur në hebraishte dhe nga dukja dukej se i kishte 50 vjet. Më pastaj të nesërmen ai ishte nisur për në Prishtinë, ku në aeroplan kishte takuar edhe një çift – buri do të ishte ai që e merrte veshkën, shpjegonte dëshmitari.

“Kur arritëm në aeroport, personi që na përcillte më tha se nëse më pyesin në aeroport se për çfarë po vinte, duhet t’i thosha se kisha ardhur për të vizituar disa familjarë”, tha dëshmitari. Në aeroport nuk e kishte pasur të vështirë kalimin dhe askush nuk e kishte pyetur se pse kishte ardhur.

Më tutje dëshmitari tregoi se me një makinë kishin udhëtuar për në klinikën Medicus, ku kishin hipur në katin e dytë. Dëshmitari u fut në operim vetëm 40 minuta pasi kishin arritur në klinikë.

Vetëm pas operimit e kishte marrë vesh emrin e personit që i kishte dhuruar veshkën, ai ishte i njohur për të me emrin Jozef. 

Në klinikë kishte qëndruar 5 ditë për tu shëruar plaga. Pas asaj kohe, dëshmitari ishte kthyer në Izrael.

“Kur arrita në Izrael, plaga ime kullonte, mu duk që isha infektuar prandaj shkova në klinikë që të më ndihmonin. Mjeku më tha se në vendin se ku e kisha hequr veshkën ishte bërë një mbledhje e gjakut dhe se do të dal për një kohë nga vraga”, tregon dëshmitari.

Ai vazhdoi se për një vit kishte hequr shumë nga kullimi që i bënte vraga. Dëshmitari tregoi se edhe sot e ka të dobët shëndetin dhe se edhe veshka tjetër ka filluar të ketë probleme.

Në fund dëshmitari nga fotot e prezantuara arriti të njohë Yousuf Somnezin dhe Moshe Harelin, kurse të tjerët nuk i njohu.

Pas përfundimit të pyetjeve, kolegji bëri një pushim 30 minutash për të ngrënë bukë. E pas pushimit, si dëshmitare u ftua një tjetër “dhuruese”, identiteti i të cilës mbeti i pa cenueshëm.

Edhe dëshmitarja i konfirmoi të gjitha ato që i kishte thënë më parë dëshmitari tjetër. Dëshmitarja tregoi se si njoftimin e kishte parë në gazetën “Vjesti” në rusisht, e nga gazeta i kujtohej se thoshte “blejmë veshka”. “Numrin që mora në gazetë e thirra dhe mu lajmërua një person i cili tha se ka një person që po i duhet një veshkë”. Më pas ishin takuar dhe ishin marrë-vesh që të paguante shumën 15 mijë euro, por që pas operimit i kishte marrë vetëm 12 mijë dollarë.

Ai personi, i cili ishte paraqitur si Dimitrije, e kishte dërguar në një klinikë ku i kishin marrë gjakun, më pastaj ata udhëtuan në Stamboll e pastaj nga aty do të vazhdonin për në Kosovë.   

Kur kishte arritur në klinikë i ishin bërë disa analiza dhe më pas një turk i kishte kryer një operim. Fillimisht ia ishin dhënë injeksione dhe anestezion.

“Pas operimit kisha dhembje të mëdha, të cilat edhe sot i kam kohë pa kohe”, tregon dëshmitarja.

Si dëshmitarja e fundit u dëgjua ajo me shifrat B.S., e cila i konfirmoi dhurimin e veshkës për shumën prej 10 mijë dollarësh, ndërsa parat tha se ja kishte dhënë një personi me emrin Moshe.

Edhe kjo dëshmitare e kishte parë në gazetë shpalljen dhe shumë më vonë e kishte thirrur numrin, por pas thirrjes i kishte rënë pishman duke mos e thirr më. Por ishte ai numri që e kishte thirrur prapa dhe i kishte thënë se do ta dërgonte tek një person që e kishte hequr veshkën.

“Unë dhe dy femra të tjera, njëra nga të cilat quhej Anja, shkuam tek ai personi që kishte hequr veshkën dhe ai na tregoi vragën po ashtu na tha çdo gjë ishte e lehtë”, tregon dëshmitarja.

Ajo shtoi se që nga Izraeli e pastaj në Stamboll dhe në fund në Kosovë kishte pas frikë për atë që po bënte.

Së bashku me ato dy femrat kishte udhëtuar për në Stamboll, ku ishte pritur nga një person i quajtur Moshe, të cilin e identifikoi përmes fotografisë – Moshe Harel.

Në Stamboll kishte takuar edhe grupin tjetër ku kishin qenë edhe dy çifte që niseshin për në Kosovë, e së bashku me ta ishte edhe Moshe dhe një grua tjetër që kishte qenë me të.

Pas arritjes ishte dërguar në klinikë, por tregon që ato kishin pas pak probleme në doganë ku ishin pyetur se pse po shkonin dhe ku po shkonin. Ato i kishin ofruar ftesat që kishin nga klinika Medicus.

“Fillimisht më kontrolluan e pastaj më dhanë të nënshkruaj një dokument, që ishte në anglisht dhe rusisht, të cilin e nënshkrova. Më duket se bëhej fjalë që unë po futesha vullnetarisht në operim”, tregonte dëshmitarja.

Dëshmitarja e njohu Yousuf Somnezin dhe Moshe Harelin përmes fotografive, ndërsa nuk i njohu të pandehurit e tjerë.

Seanca e radhës do të jetë të hënën me datën 18 qershor me fillim nga ora 9.