Reforma “Bllokon” Gjyqësorin

Reforma në sistemin gjyqësor – përmes riorganizimit të gjykatave e prokurorive si dhe hyrjes në fuqi të kodit të ri penal dhe atij të procedurës penale – ka shtyrë një numër gjykimesh.

Ekipi i monitoruesve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka regjistruar mbi njëzetë shtyrje seancash gjatë janarit në qytetet kryesore Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë e Gjilan.

“Sistemi i ri, i reformimit të gjyqësorit, t’ju them të drejtën, na ka befasuar pak, meqenëse ka ndodhë shumë shpejt”, thotë Elmaze Syka, kryetare e gjykatës themelore në Pejë.

 
Elmaze Syka  

 

“Pengesa kryesore është aprovimi në kuvend i kodit të procedurës penale, të cilin, deri pas Vitit të Ri, mund të them se asnjëri prej gjykatësve nuk e ka pasur në dorë”, shtoi Syka.

Kështu, gjykatësit janë përballur me dilema dhe paqartësi në lidhje me procedimet penale.

Në gjykatën themelore të Pejës ndërkohë janë paraqitur probleme edhe rreth sistemimit të punëtorëve. Ka punëtorë që nuk e dinë as ku duhet të ulen.

Administratori i gjykatës, Muhamet Asanaj, thotë se beson se kjo gjendje do të përmirësohet shpejt, por se stafi pret të zhvillojë disa trajnime në lidhje me zbatimin e reformës.

Edhe në Gjykatën Themelore të Prizrenit janë shtyrë seanca gjyqësore për arsye të njëjta.

Ymer Hoxha, kryetar i gjykatës, thotë se gjendja është e pritshme.

“Është e vërtetë që një pjesë e stafit po sillet nëpër korridore, mirëpo duke marrë parasysh që është një reformë rrënjësore, është e pritshme edhe kjo gjendje”, tha Hoxha.

“Ka vështirësi, ka paqartësi në dispozitat kalimtare të kodit të procedurës penale. Por, edhe pse po shtyhen disa gjykime, besoj që do t’ia dalim”, shtoi ai.

 
Ymer hoxha  

 

Përkundër këtyre problemeve, Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, thotë se të gjitha gjykatat duhet të zbatojnë kodin e ri të procedurës penale. Për këtë, tha ai, një ekip i kësaj gjykate edhe do të dalë në terren këtë javë për të njoftuar gjykatësit.

Bllokimet po hasen edhe nëpër prokurori.

Kryeprokurori i prokurorisë themelore në Prizren, Sylë Hoxha, thotë se kodi i procedurës hyri në fuqi pa bërë trajnime dhe përgatitje të duhur.

“Secilin mëngjes ne si prokurori takohemi me kolegët tanë dhe diskutojmë rreth dilemave dhe paqartësive që i kemi me kod”, tha ai. “Shtyrja e seancave gjyqësore nga ana e gjykatës ka bërë që të ndikojë edhe në punën tonë. Gjendja duket se do të vazhdojë të mbetet kështu deri në muajin e ardhshëm”.

Në gjykatën më të madhe themelore, në Prishtinë, thonë se problemin më të madh e kanë me objektin. “Jemi të shpërndarë në tri objekte, këtu është problem”, tha Ibrahimi.

 
Kada Bunjuku Përquku  

 

Gjendje të ngjashme ka edhe gjykata e Mitrovicës e cila, që nga 20 shkurti i vitit 2008, është e vendosur në gjykatën e Vushtrisë. Në një hapësirë prej më pakë se 500 metrash katrorë, aty punojnë mbi 150 punëtorë, përfshirë tani gjykatën dhe prokurorinë e Mitrovicës, si dhe gjykatën e prokurorinë e Vushtrisë.

Kryetarja Kada Bunjuku Përquku thotë se tre-katër gjykatës punojnë në një zyrë dhe kur njëri mban seancë, të tjetër duhet të dalin jashtë.

Qytetarët ankohen

Shtyrja dhe tejzgjatja e gjykimeve, ka prekur drejtpërdrejtë qytetarët dhe të drejtat e të pandehurve për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Shukri Krasniqi nga Prizreni, njëri nga shtatë të akuzuarit në një lëndë për “rrëmbim”, thotë se dy herë Brenda janarit i është shtyrë seanca gjyqësore.

“Dy ditë radhazi kemi pasur të caktuara seanca gjyqësore, mirëpo po shtyhen, po thonë se janë ndryshuar kodet, ndërsa neve kjo po na shkakton probleme, sepse kemi familje dhe po mbahemi peng”, tha Krasniqi.

Hajrie Zujovic në Mitrovicë është ankuar për shtyrje të gjykimit të djalit të saj. “Vij secilën javë, djali po më mbahet në paraburgim e gjykata është blloku, nuk po punon”.

 
Pjetër Përgjokaj  

 

Ankesa rreth ngecjeve në gjyqësor, kanë edhe avokatët lëndët e të cilëve nuk po arrijnë të kryhen. Avokati Pjetër Përgjikaj thotë se shumë seanca të caktuara për këtë muaj shtyhen e nuk mbahen.

“Kemi shumë raste të rënda të cilat po shtyhen pa nevojë. Madje gjykatësit nuk po marrin mundin të na vijnë as deri në sallë të gjykimit, për të na treguar arsyen e shtyrjes”.

Avokati Xhafer Maliqi tha se kodi i ri ka hyrë në fuqi shumë shpejt. “Si duket këtë kod na e solli babadimri në natën e Vitit të Ri, mirëpo jo vetëm tek gjykatat vendore, ky kod ka shkaktuar telashe edhe te gjykatësit e Eulex-it, tek të cilët kam pasur disa lëndë të cilat shtyhen pa nevojë”.

 
Xhafer Maliqi  

 

EULEX-i ka konfirmuar këto telashe.

Zëdhënësi Blerim Krasniqi thotë se ka ndryshime fundamentale me kodin e procedurës penale dhe misioni po punon në analizimin e dispozitave të tij si dhe do të dalë me interpretim të tyre.

Të reja në kodin penal

Me ndryshimet e kodit penal të Kosovës, ndërkohë, kanë ndryshuar edhe dënimet për disa vepra penale. Po ashtu, deri më tash, dënimi maksimal ishte 40 vjet burgim kurse me ndryshimet e reja është futur edhe dënimi më i rëndë, ai i burgut të përjetshëm.

Kodi i ri penal përmban risi në përfshirjen e disa veprave të reja penale si ato kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, veprat penale kundër të drejtave të votimit, veprat penale kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës, veprat penale kundër integritetit seksual, ato të narkotikëve, kundër pasurisë dhe të tjera.

Për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për zbatimin e kodit penal dhe atij të procedurës penale të Kosovës, kompetent është Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGjK).

 
Lavdim Krasniqi  

 

Drejtori i këtij instituti, Lavdim Krasniqi, thotë se sa i përket kodit penal, janë kryer trajnimet, ndërsa për shkak të periudhës shumë të shkurtër të hyrjes në fuqi të kodit të procedurës penale, nuk kanë mundur të fillojnë trajnimet përkatëse, për faktin se fillimisht është dashtë të bëhet përgatitja e vetë trajnuesve të institutit.

Ai shtoi se nga fillimi i shkurtit do të fillojnë trajnimet, nëpër të gjitha gjykatat.