Alban Hoxha ushtron në Durrës | Foto: Antonio Cakshiri

Peshëngritja Shqiptare, Histori Lavdie dhe Dëshpërimi

Marsi mund të ketë qenë muaj i shkëlqyer për sportin në Shqipëri. Tirana u zgjodh nga Federata Europiane e Peshëngritjes (EWF) të jetë qyteti pritës për Kampionatin Europian.

Në nëntor, zyrtarët e lartë të Federatës vizituan Tiranën për t’i takuar politikanët dhe zyrtarët e sportit dhe për ta nisur organizimin e ngjarjes prestigjioze; një muaj më vonë, agjenda e detajuar e garës u nxor në faqen e Federatës.

Por vranësirat shpejt u mblodhën mbi peshëngritjen shqiptare kur Romela Begaj, medaliste e moçme, doli të ketë përdorur doping në analizën e bërë pas fitimit të medaljes së artë në Kampionatin Botëror në Kalifornia të SHBA-së në dhjetor. Begaj mohoi përdorimin e asaj substance. Presidenti i Federatës Shqiptare, Elez Gjozaj, dha dorëheqje mes reagimeve të ashpra dhe turpit.

Përnjëherësh u bë e qartë se Kampionati Europian nuk mund të mbahet në Tiranë, duke i lënë EWF-së barrën e gjetjes së një shteti tjetër pritës dy muaj para mbajtjes së garës.

“Është problem serioz dhe i papritur për EWF-në dhe anëtarët tanë të federatës,” ka thënë Hasan Akkus, sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Peshëngritjes për Inside të Games.

Kjo lëkundje ka shkaktuar hutim, por edhe humbje financiare për shumë ekipe europiane.

“Është situatë emergjente… Kam dëgjuar se disa vende i kishin blerë biletat e fluturimit për në Tiranë,” ka thënë Alex Padure, sekretari i përgjithshëm i Federatës Rumune.

Sipas Brian Oliver-it, gazetar i sportit për Inside the Games, edhe pse individë me ndikim të madh në fushën e sportit u befasuan për të mirë nga dorëheqja sepse e panë si shenjë llogaridhënieje për rastin e dopingut, shumë të tjerë u zhgënjyen që Shqipëria nuk do të jetë pritëse e garës.

“Pa dyshim, emri i Federatës Shqiptare ka pësuar për shkak të vështirësive praktike me të cilat përballen kombet anekënd Europës,” ka thënë ai për BIRN-in.

Shtegu i thyer

Luhatjet prej ngadhënjimeve te dëshpërimi nuk janë ndodhi të reja për peshëngritjen shqiptare; ky ka qenë trendi përgjatë përfaqësimit ndërkombëtar 46 vjeçar të shtetin në këtë sport.

Lavdia filloi më 1972 kur 27 vjeçari Ymer Pampuri—që përpara ishte kloun në cirk—fitoi një medalje të artë kundër çdo probabiliteti në Kampionatin Botëror, duke ngritur 127.5 kilogramë në Gjermaninë Perëndimore.

Romela Begaj e Daniel Godelli ngrenë flamurin | Foto: Zyra e Kryeministrit

Regjimi komunist pa potencialin e Shqipërisë në peshëngritje dhe shpejt filloi të investojë në këtë sport, duke themeluar klubet e para dhe gara të rregullta kombëtare. Si rrjedhojë, në pjesën e fundit të viteve të 80-ta, peshëngritësit shqiptarë filluan të shfaqeshin si fitues të medaljeve në gara ndërkombëtare.

Sidoqoftë, viti 1985 ishte i vështirë. Duke u kthyer në Tiranë nga Varshava, ku u mbajt Kampionati Europian, dy peshëngritës, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, u ndanë nga pjesa tjetër e grupit dhe u zhdukën në Titograd, Podgoricën e sotme.

Disa muaj pas, shqiptarët mësuan ata kishin ikur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si protestë kundër regjimit të diktatorit Enver Hoxha.

Kondo ishte peshëngritësi më i spikatur i Shqipërisë i cili theu rekorde kombëtare. Dy vjet pas ikjes në SHBA, ai humbi jetën në një aksident trafiku në Queens, New York.

Pesë vjet më vonë, periudha e lavdishme e peshëngritjes në Shqipëri vazhdoi të shpërbëhej me shkatërrimin e regjimit komunist.

Peshëngritja pësoi më së shumti kur sportistët më të mirë, përfshirë kampionët kombëtarë Pirro Dhima dhe Luan Shabani, e lanë Shqipërinë dhe iu bashkuan ekipit kombëtar të Greqisë. Shqiptarët mbetën zemërplasur kur ish-kampioni i tyre – duke garuar për shtetin e tij të ri – brohoriti “Gia tin Ellada!” (“Për Greqinë!”) duke e pranuar të artën në Lojërat Olimpike Verore të vitit 1992.

Vitet kaluan dhe askush nuk besoi se Shqipëria do të ngritet sërish dhe të shquhet në peshëngritjen ndërkombëtare derisa Ilirjan Suli dhe Ilir Kafarani erdhën në skenë për t’i ngritur zemrat e njerëzve sërish.

Kafarani u radhit i 8-i ndër peshëngritësit më të suksesshëm në vitin 1999, kurse Suli e fitoi të bronztën në Kampionatin Europian në vitin 2000 dhe të argjendtën në Kampionatin Botëror të vitit 2002 në Poloni.

Më 2006, skena shqiptare e peshëngritjes u larmua me kampionet femra si Fetije Kasaj dhe Romela Begaj, dhe të posaardhurit sikur Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Briken Calja.

Edi Rama me Daniel Godellin | Foto: Zyra e Kryeministrit

Rrëmbimi i medaljeve të arta, të argjendta dhe të bronzta në disiplina si “snatch”, ku sportistët e ngrenë peshën nga dyshemeja mbi kokë përnjëherësh, dhe “clean&jerk”, ku sportistët së pari e ngrenë peshën te heqësi, pushojnë, dhe më tej tentojnë ta ngrenë mbi kokë, u bë rutinë. Në vitin 2009, peshëngritësit shqiptarë u shpërblyen me tri medalje në Kampionatin Evropian; në vitin 2010 i morën 5; në 2011 dhe 2012 i morën tri. Peshëngritësit shqiptarë i fituan gjashtë medalje në 2014 dhe vitin e fundit në Kroaci i morën katër.

Edhe pse peshëngritja i ka dhënë Shqipërisë më shumë medalje sesa çdo sport tjetër deri më tash, prej rënies së komunizmit shteti kurrë nuk ka krijuar strategji kombëtare për këtë sport.

Politikanët ngarendin drejt aeroporteve me flamurë kombëtarë për t’i pritur kampionët e peshëngritjes dhe për t’ua marrë pak lavdi, por pastaj ua kthejnë shpinën sa herë që sportistët kërkojnë legjislacion që mund t’u japë qëndrueshmëri financiare.

Ministria e Sportit e Shqipërisë ka pohuar për BIRN-in se në vitin 2018 i kanë dhënë federatës një buxhet prej vetëm shtatë milionë lekësh (rreth 53 mijë eurosh). Me këto para, ata duhet të organizojnë kampionate kombëtare, të dërgojnë sportistë jashtë shtetit për të garurar dhe t’ua mbulojnë pagat zyrtarëve. Kjo shumë është përgjysmë më pak se buxheti i federatës në vitin 2017.

Fitimi i vetëm shtesë që marrin sportistët për kujdesin e tyre personal është shumë prej 280 eurosh që jepet nga klubet sportive për ta mbuluar dietën me përmbajtje të lartë proteinash. BIRN-i ka mësuar se shumica e sportistëve elit nuk marrin ëm shumë se 37 mijë lekë në muaj (rreth 280 euro). Ata nuk marrin pagë apo sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Romario Avdiaj | Foto: Antonio Cakshiri

Në prill të vitit 2017, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi një ligj të ri që u jep peshëngritësve kontrata të rregullta, paga mujore, para për ushqim dhe sigurim shëndetësor dhe jetësor, por sipas burimeve anonime, ligji ende nuk po zbatohet.

Trajtim i papërshtatshëm

Erkand Qerimaj është pa dyshim ndër peshngritësit më të spikatur që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. 29 vjeçari ka nisur karrierën e tij ndërkombëtare në vitin 2002 kur e mori të artën në Kampionatin Evropian U17 në Francë, ndërsa sot ka dhjetra medalje në emër të vet.

“Nuk kam më hapësirë në shtëpi për t’i ekspozuar,” ka thënë Qerimaj për BIRN-in pa e fshehur krenarinë e tij.

Erkand Qerimaj ushtron në Durrës | Foto: Antonio Cakshiri

Por, kur flitet për të mirat e të qenit kampion, entuziazmi i tij dobësohet.

“Kam luftuar shumë vite me sportistë të tjerë për të pasur një ligj të përshtatshëm mbi sportin që do t’i trajtonte sportistët si duhet. Sot mund të them që ende asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pse ende po shpresojmë,” ka thënë ai. “Pavarësisht të qenit aktiv në sport për rreth dy dekada, deri sot shteti kurrë nuk ka paguar për sigurimin tim shëndetësor ose jetësor. Të gjithë sportistët e kanë problemin e njëjtë.

Gjergj Vyshka, gazetar që ka mbuluar peshëngritjen për më se një dekadë, ka thënë për BIRN-in se peshëngritësit shqiptarë përballen me sfida të mëdha personale dhe pasi të fiken dritat e kamerës ata lihen të vetëm.

“Ata shpesh përballen me probleme arsimore dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë dhe shtëpi,” ka thënë ai.

Vyshka e përmend shembullin e Romela Begajt, e cila mori medaljen e bronztë për stilin “snatch” në Kampionatin Botëror të vitit 2011.

“Ajo kërkoi mbështetje prej qeverisë. Shpërblimi që e mori qe një vend pune si mësuese e terapisë fizikale në një fshat jashtë Tiranës,” kujton Vyshka.

Dopingu e mbush zbrazëtinë

Ndërkohë, rastet e shpeshta të dopingut kanë shkaktuar turpërim publik për sportin.

Sipas Vyshkës, prej vitit 2005 deri sot kanë qenë 14 raste të konfirmuara të dopingut ndër peshëngritësit shqiptarë. Në disa raste, sportistët e njëjtë kanë përsëritur përdorimin e substancave ilegale.

Në vitin 2012, Qerimaj arriti shumë në Kampionatin Evropian në Antalia: të artën në “clean&jerk” dhe të argjendtën në “snatch” për kategorinë 77 kg. Por ai gjithashtu doli të ketë marrë doping.

“Ishte moment shumë i vështirë. Përdora Creatine për muskuj më të fortë dhe e deklarova përdorimin para garës. Trajneri im dhe unë nuk e kemi ditur se substanca ishte ndaluar dhe shtuar në listën e substancave të dopingut,” ka thënë ai për BIRN-in.

Qerimaj u pezullua për një vit nga aktivitetet ndërkombëtare dhe pati një rikthim të fuqishëm në Kampionatin Evropian të vitit 2014, duke fituar të artën në dy kategori (“snatch” dhe “clean&jerk”) në Tel Aviv të Izraelit.

“Ajo përvojë e hidhur erdhi nga neglizhenca e institucioneve që duhet t’i mbikëqyrin mirë sportistët para garave. Ne ende nuk kemi doktor për të na këshilluar mbi substancat e ndaluara kur stërvitemi,” ka thënë Qerimaj.

Vyshka beson se përgjegjësia kryesore për dopingun bie te sportistët dhe trajnerët e tyre, por ai theksoi se mungesa e kujdesit nga qeveria dhe trupat sportiv kanë kontribuar për ketë situatë.

“Sportistët nuk kanë regjim të përshtatshëm ushqimor apo mjekësor. Këto elemente të rëndësishme neglizohen,” ka thënë ai.

Edhe pse ekzistojnë qendrat publike mjekësore që ofrojnë shërbime falas për sportistët, Qerimaj ka thënë për BIRN-in se ai gjithmonë shkon në klinika private për kontrollime.

“Procedurat në qendër janë shumë të ngadalta dhe ata nuk e kanë gjithmonë kapacitetin për të na ndihmuar. Shkoj në klinikë private për kontrollimet e mia, sidomos para kampionateve sepse është më e shpejtë dhe ka shërbime më të besueshme,” ka thënë ai.

Shkurajimi i vazhdueshëm duket se luan rol në dorëzimin e sportistëve ndaj dopingut.

“Peshëngritësit shqiptarë ndihen të neglizhuar. Ata shohin sportistë sikur Pirro Dhima dhe Luan Shabani – që shkuan ta përfaqësojnë Greqinë – që kanë jetë të mirë, famë dhe shpërbilm për talentin e tyre. Ata e dinë se kurrë nuk do të kenë atë që e kanë ata,” ka thënë Vyshka.

Sipas Qerimajt, sportistët nuk shpërblehen kur stërviten dhe ata vetëm marrin shpërblime financiare kur fitojnë medalje ndërkombëtare.

“Ka aq shumë presion mbi ta saqë rrezikojnë gjithçka dhe marrin substanca të ndaluara – duke shpresuar se nuk do të hetohen – vetëm për të marrë shpërblim financiar,” ka thënë ai.

Ministria e Edukimit dhe Sportit jep shpërblime monetare për sportistët që fitojnë medale. Një fitues i një medaljeje Olimpike mund të marrë ndëri në 20 milionë lekë (150 mijë euro), dhe një fitues i garave evropiane mund të marrë deri në 7 milionë lekë (50 mijë euro).

Edi Rama pret ekipin kombëtar të peshëngritjes | Foto: Zyra e Kryeministrit

Sipas Minstrisë së Edukimit dhe Sportit, dopingu në peshëngritje nuk e ka dëmtuar vetëm shëndetin dhe besueshmërinë e sportistëve, por ka pasur ndikim edhe te vetë shteti.

“Ata e kanë përlyer imazhin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare,” ka thënë Ministria për BIRN-in përmes një përgjigjeje të shkruar. “Jemi të vetëdijshëm që dopingu në sport nuk mund të eliminohet vetëm përmes masave ligjore, por shumë aktorë tjerë duhen të bëjnjë përpjekjet e tyre.”

Ministria ka thënë se masat praktike kundër dopingut janë implementuar në shkolla të mesme, ku të rinjtë mund të mësojnë për këtë fenomen në lëndët e edukatës fizike dhe shëndetësore. Ministria po ashtu ka thënë se i jepet theks të veçantë në edukimin fizik në shkolla përmes një rritje të orëve mësimore nga dy në tri gjatë javës prej vitit 2016.

Sidoqoftë, dopingu është çështje botërore e sportit që shpesh është tentuar të çrrënjoset.

Në vitet e fundit, dopingu ka qenë epidemi ndërkombëtare për peshëngritjen, e Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ka paralajmëruar federatën ndërkombëtare se nëse nivelet e larta të dopingut në sporte do të vazhdojnë, e tërë disiplina mund të përjashtohet nga Lojërat Olimpike të vitit 2024.

Para disa muajsh, nëntë shtete janë ndaluar të marrin pjesë në gara ndërkombëtare pasi Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes ka gjetur raste të përsëritura të dopingut, duke e vënë tërë disiplinën nën vëzhgim të skajshëm.

Oliver beson se modeli i SHBA-së për luftimin e dopingut në peshëngritje mund të jetë shembull i mirë që vendet tjera mund ta ndjekin. Ekipi i peshëngritjes i SHBA-së bën kontrolle të vazhdueshme dhe i jep më shumë rëndësi stërvitjes.

“Nëse i tërë programi [kundër dopingut] zgjati 8 vjet në SHBA, në Shqipëri do të kërkonte së paku po aq shumë kohë dhe mund të jetë më e vështirë kur ka pësuar reputacioni i sportit,” ka thënë ai.