Gjenerali Vladimir Trifunoviq - Foto: Darko Vojinovic

Një Rrëfenjë për Dy Ushtarakë

Thonë se ushtarët e moshuar nuk vdesin kurrë, ata thjesht shuhen. Kjo nuk është plotësisht e vërtetë: ata së pari shuhen dhe pastaj vdesin, ashtu si kushdo tjetër. Të marrim gjeneralin Vladimir Trifunoviq të Armatës Popullore Jugosllave, APJ, një nga pak heronjtë e vërtetë të luftërave jugosllave, që vdiq vetëm dhe i harruar në moshën 79-vjeçare, në një spital ushtarak në Beograd, pasi kaloi vitet e tij të fundit në një dhomë të vogël të një hoteli të rrënuar për oficerët e dalë në pension.

Në shtator 1991, teksa shpërbërja e Jugosllavisë filloi të bëhej e dukshme, Trifunoviq komandoi një garnizon të madh në Varazhdin, një qytet barok në Kroacinë veriperëndimore. Kur Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia, baza u dorëzua, rryma dhe uji u shkëputën dhe forcat kroate filluan të gjuanin me snajper ushtarët e tij. Gruaja dhe fëmijët e tij u morën peng. Trifunoviq kërkoi për përforcime nga Shtabi i APJ-së në Beograd, që ishte rreth 500 kilometra larg, por ato kurrë nuk erdhën. Në fakt, ai u urdhërua ta mbante bazën me çdo çmim.

Gjenerali kishte tankse dhe topa që mund t’i përdorte për të prishur rrethimin, por kishte pak karburant dhe e dinte se nuk do të shkonte larg. Shtabi i APJ-së e urdhëroi atë të bombardonte qytetin ose të përdorte artilerinë për të shpërthyer një digë aty pranë dhe për të përmbytur të gjithë zonën; ai refuzoi. Shumë ushtarë, kryesisht rekrutë 19-vjeçarë nga pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë shkuan në shtëpi; ai nuk i ndaloi. Në fund vetëm 280 qëndruan. “Këta fëmijë ishin nga familje të varfra, pa para apo lidhje për t’u larguar nga e keqja”, tha ai më vonë. “Nuk mund t’i lija të vdisnin atje, në një luftë të pakuptimtë”.

Pasi duroi një rrethim për rreth një muaj, gjenerali urdhëroi ushtarët e tij të prishnin tanket dhe artilerinë dhe të arrinin një marrëveshje me kroatët: ai e dorëzoi bazën në këmbim të një kalimi të lirë për veten dhe ushtarët. Kur ata kaluan në Serbi, ai u arrestua dhe u nxor në gjyq për tradhti të lartë. Trifunoviq mori 11 vjet burg, nga të cilat kreu dy, gjithnjë i ngacmuar dhe abuzuar nga të burgosurit e tjerë dhe rojat.

Pastaj dënimi i Trifunoviq u fal dhe më 2010 ai u rehabilitua plotësisht. Por, deri atëherë ai kishte humbur gjithçka: familja e tij e kishte braktisur dhe shumë miq të tij nuk e falën kurrë që refuzoi të vdiste me lavdi mes ushtarëve të tij dhe kush e di sa civilëve të pafajshëm. Në vitet e tij të fundit, ai u mbyll në një dhomë hoteli jo larg nga qelia e tij, ku i lante vetë rrobat dhe ku përgatiste vaktet në një sobë me gaz.

Kemi dhe një ushtar tjetër, i cili është shumë i gjallë dhe aspak i zbehur. Ndërsa Trifunoviq ishte në Varazhdin, majori Veselin Shlivançanin ishte në krye të Rojës së APJ-së, një njësie elite që ishte lidhur me Shtabin në Beograd. Në vjeshtën e vitit 1991, Shlivançanin dhe njësia e tij u dërguan në Vukovar, një qytet në Kroacinë lindore pranë kufirit me Serbinë. Në fund të nëntorit, pas tre muajsh bombardime të vazhdueshme, Vukovari ra në duart e forcave APJ-së dhe njësive paraushtarake serbe. Qyteti u rrafshua me tokën dhe pasi ra, shumë të mbijetuar u vranë nga të fortët paraushtarakë. Shlivançanin nuk lëvizi as edhe një gisht për të ndaluar masakrat. Në vend të kësaj, bëri diçka edhe më të keqe: ushtarët e tij nxorën 260 pacientë nga spitali i Vukovarit dhe i transferuan ata në një kamp burgu të improvizuar në kështjellën Ovçara jashtë qytetit, që drejtohej nga paraushtarakët. Atje ata u torturuan dhe pastaj u vranë, trupat e tyre u varrosën mes kockave të kafshëve në fermë.

Në kthimin e tij në Beograd, Shlivançanin mori një mirëpritje tjetër nga Trifunoviq. I pagëzuar nga media patriotike si “Luftëtari i Vukovarit”, ai ishte shpesh një i ftuar në programet televizive dhe shpesh shihej në restorante të shtrenjta duke darkuar me elitën e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit. Ai u dekorua dhe u ngrit dy herë në detyrë. Kur në fund u ndoq penalisht nga Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës për Ish-Jugosllavinë, ICTY, ai ishte një kolonel.

Pas një presioni të madh nga komuniteti ndërkombëtar, Shlivançanin u arrestua më 2003 dhe u transferua në Hagë, ku ai doli në gjyq për masakrën në Ovçara. Në fillim ai u dënua me pesë vjet, pastaj me 17 dhe në vendimin final në 2010, dënimi ishte 10 vjet. Që atëherë ai kishte kaluar tashmë dy të tretat e dënimit në paraburgim dhe u lirua menjëherë, duke u pritur dhe një herë si hero.

Shlivançanin qëndroi jashtë vëmendjes deri vitin e shkuar, kur iu bashkua Partisë Progresive Serbe, SNS, kryesuar nga kryeministrit Aleksandër Vuçiq, që pa një mundësi për të fituar disa vota nga lavdia e vjetër e kolonelit. Një ditë pasi Trifunoviq vdiq, Shlivançanin po merrte pjesë në një tubim të SNS në Beska, një qytet i vogël në Serbinë veriore. Kur një grup aktivistësh nga Beogradi mbajtën një protestë dhe u përpoqën të ndërprisnin tubimin, ata u kanosën nga vagabondët e SNS-së; një vajzë u shkelmua ndërsa ishte shtrirë në tokë, ndërsa Shlivançanin shihte dhe buzëqeshte, ashtu siç bëri kur çoi pacientët nga Vukovari në fermën Ovçara. Aktivistët e paqes, që i përkisnin grupit të quajtur Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, tani me gjasa do të përballet me akuza të huliganizmit.

Është një rastësi e çuditshme që numri i jetëve që Trifunoviq ka shpëtuar – 280 – është shumë i afërt me numrin e njerëzve që Shlivançanin ndihmoi të vriteshin – 261. Të dy kaluan kohë në burg, po vetëm njëri ishte fajtor. Fatet e ndara të ushtarëve të vjetër tregojnë çdo gjë që dikush duhet të dijë rreth të shkuarës dhe të ardhmes të Serbisë.

http://kallxo.com/vdes-ish-gjenerali-jugosllav-qe-u-terhoq-nga-fronti/