Ndalesë 48 Orëshe për Komisionerët e Grindur të PDK-së e AKR-së (TV)

Sipas zëdhënesit të policisë në Mitrovicë Avni Zahitit, dy persona janë ndalur për 48 orë me urdhër të prokurorit, të dyshuar për veprën penale, pengim i procesit zgjedhor.
 
Një komisioner i AKR-së dhe një tjetër i PDK-së janë grindur mes vete në qendrën e votimit me kusht, në shkollën ”Elena Gjika”, në Mitrovicë.

Vesel Ahmeti,  kryesues i kësaj qendreje që mban shifrën 1116B/03D, rrëfën për rastin.

Ai thotë se grindja ka ndodhur mes komisionerëve Fatmir Miftari nga PDK-ja dhe Nuhi Peci nga AKR-ja.

“Fatmiri ka qenë duke e kryer detyrën e dhënësit të fletvotimeve, ndërsa ka shkuar më vonë për të falur drekën. Në këtë kohë e ka zëvendësuar Nuhiu. Kur është kthyer Fatmiri, Nuhiu nuk ka pranuar t’ia lëshojë vendin. Këtu edhe ka filluar zënka”, thotë kryesuesi i qendrës.
 
Më pastaj Ahmeti thotë se ka ndërhyrë vetë dhe vendi është lëshuar, ndërsa Nuhiu ka dalë jashtë.

”Por vetëm pas disa sekondash është kthyer me vrull i nervozuar dhe ka përdorur fyerje, ka goditur tavolinen, ka rrëzuar disa gjëra që kanë qenë mbi tavolinë, ka tentuar ta godasë edhe Fatmirin, por e kemi ndaluar”, thotë Ahmeti.

Sipas tij, vendvotimi nuk është mbyllur për asnjë moment.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, po ashtu ka njoftuar për arrestimin e  një personi, i cili ka keqpërdorur një kartelë identiteti të vëzhguesve, me të cilën ka tentuar që të hyjë në vendvotim dhe t’i vëzhgojë zgjedhjet.

Në Mitrovicë votuesit të dielën kanë pasur mundësi të zgjedhin mes Avni Kastratit të PDK-së dhe Agim Bahtirit të AKR-së.