QNR, Foto: KALLXO.com

Vazhdon rinumërimi i votave, të martën pritet të përfundojë procesi

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ende është duke vazhduar procesi i rinumërimit të 43 vendvotimeve.

Pas përfundimit të këtij procesi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),Valmir Elezi, ka thënë se do të vazhdohet me numërimin e votave të tjera.

“Pas përfundimit të procesit për këto 43 vendvotime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Besojmë që ky proces do të përmbyllet gjatë ditës së martë. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, tha Elezi.

Elezi ka thënë se për çështjen e komunës së Hanit të Elezit do të presin deri sa palët t’i shterojnë mundësitë brenda afateve ligjore.

“Lidhur me çëshjen e komunës së Hanit të Elezit, ne e kemi parë  së fundmi vendimin e Gjykatës Supreme duke e kthyer çështjen në PZAP për rivendosje, prandaj, në një situatë të tillë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të presim që palët t’i shterojnë mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore, para se të bëjmë deklarime dhe njoftime të tjera”, tha ai.

“Ne jemi të vetëdijshëm se çështja e komunës së Hanit të Elezit është duke u trajtuar në institucionet përkatëse, por meqenëse çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të 37 komunave të tjera, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara”, shtoi ai.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor. Ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar të gjitha votat për kryetar të komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e kishte marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur Rufki Suma.

Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet janë anuluar “për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

Ndërsa sot, Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rivendosje vendimin e PZAP-së i cili katër ditë më parë i kishte anuluar zgjedhjet në Han të Elezit.

Supremja ka kërkuar nga PZAP-ja që të vendosë edhe një herë në lidhje më këto ankesa.