Shkolla në fshatin Muqibabë, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Midis Kurrikulës së Re Dhe Erës së Pasulit

Në kohën kur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë promovon një qasje të re metodologjike në mësimdhënie, shkollat në Kosovë përballen me sfidat më elementare të mbarëvajtjes së mësimit.

Ngjitja përpjetë kodrës nëpër shkallët e betonit që shpërbëhen në çdo hap dhe shtegu i ngushtë përmes trungjeve gjysmë të kalbur, si në një labirint, të sjell në majë të malit nga i cili shihet ndërtesa e shkollës së fshatit Muqibabë.

NDËRLIDHUR

Popullsia në fshatin e thellë malor të Komunës së Gjilanit, i fundit në vijën lindore të kufirit të Kosovës me Serbinë, është në rënie të vazhdueshme.

Shkolla ‘Mulla Idriz Gjilani’, e ndërtuar në vitin 1982-83, është ndërtesë e gjerë, e vjetërsuar nga koha dhe e rrethuar nga malet. Të rralla janë shtëpitë që vërehen në horizont. Edhe më të pakta janë shtëpitë në të cilat banojnë fshatarët që dikur e kishin populluar këtë vendbanim.

Brenda saj, shkolla mban dy botë të ndryshme, atë të dijes dhe të mbijetesës. Shkolla është e ndarë në dysh nga një mur i brendshëm, dhe gjysma e saj shfrytëzohet si shtëpi banimi nga familja e Vehid Ibrahimit, e gjysma tjetër shfrytëzohet për procesin e mësimit për tetë nxënësit e mbetur të fshatit Muqibabë.

Prej më shumë se katër vjet, Ibrahimi ka ‘uzurpuar’ dy prej klasave të shkollës si ambiente jetese. Shtëpia e tij u dogj nga një aksident i rrymës elektrike në vitin 2013. Duke mos pasur opsion tjetër brenda një kohe të shkurtër pas aksidentit, babai i tre fëmijëve si zgjidhje të vetme e pa thyerjen e xhamave e shkollës, për t’i përdorur ambientet e saj si çati mbi kokën e familjes pesëanëtarëshe.

“Nuk kam rrogë”, thotë Ibrahimi. “Qe njëzet vjet jam aktivist dhe nuk paguhem. Nuk kam kushte me ndërtu shtëpi të re”.

Ibrahimi ec brenda ndërtesës së shkollës. Kaçurrelat i bien mbi ballin e rrudhosur e trupi hollak i lëkundet si lis në erë. Xhemperi i tij i zi i bën kontrast mureve të rrjepura prej shtresës së bardhë gëlqerore. Korridoret sjellin erë suxhuku dhe gjelle.

Pasi zbath këpucët, sikur e kërkon zakoni para se hyhet në shtëpi në Kosovë, çorapet të shkelin tapetin e kaltër me lule të verdha dhe kuqe.

“Nuk kam kushte t’jetoj qysh duhet”, shprehet Ibrahimi.

“Këtu nuk kam as banjo, as ujë të pijshëm – uji i shkollës nuk pihet. Nuk ka as dyer këtu. Është vështirë të jetosh dimrit se është shumë temperaturë e ultë, se është hapësirë e madhe kjo”, rrëfen ai i gjendur brenda strehës së çuditshme jo më shumë se 20 metra katrorë.

Flakët valojnë brenda koftorit me dru të cilat Ibrahimi i pren nga mali që shihet prej dritareve të brishta nga të cilat fryn i ftohti. Sofrabezi me katrorë të kuq e të bardhë për pak sa të bën të mos vëresh se përfund gjenden dy banka shkollore që formojnë sipërfaqen e tavolinës së ngrënies. Katër karrige, edhe ato te huazuara nga shkolla, i rrinë përreth. Në formë L-je përgjatë dy këndeve të dhomës shtrihen divane dhe kolltuqe, secili në model ndryshe nga tjetri, por të gjithë me shikim nga televizori i madh, i vetmi objekt që e lidh mjedisin e tij jetësor me teknologjinë moderne.

Babai i tre fëmijëve, kur flet për rastin e tij, tregon se atë nuk e kanë penguar as zyrtarët e Gjilanit, e as Ministria e Arsimit për t’u vendosur në shkollën e fshatit.

Thotë se vetë drejtori komunal i Arimit në Gjilan e kishte ditur për rastin e tij.

Mjediset e brendshme të shkollës në Muqibabë. Foto: Kallxo.com

“Kam pasë [kontakt] shumë herë me te. Dhe i kam treguar, dhe e ka ditë gjendjen time, dhe ka besu që Kuvendi Komunal [i Gjilanit] do t’ma bëjë zgjidhjen sa ma shpejt. Nuk e kam ditë që do t’ndodhë kaq, që katër vite, pesë, të jetoj në shkollë”, tha ai.

Megjithatë, Ibrahimi thotë se deri tani nuk është shfaqur asnjë zgjidhje për banimin e familjes së tij.

“Kurrgja s’ka ndodhë. Bashkësia lokale e fshatit, banorët e fshatit Muqibabë, kan bë tri-katër herë kërkesa kryetarit të Kuvendit Komunal, zotëri [Lutfi] Hazirit. I kan bë nënshkrimet për me m’ndihmue, që një shtëpi me ma ndërtu në fshat. Dhe deri më tash s’ka ndodhë kurgja”, tregon mes vuajtjeve Ibrahimi.

Nga ana e pasme e shkollës ku banon familja e tij, ndodhet një portë e veçantë e cila shërben si hyrje për në objekt. Korridori dhe klasat janë dukshëm më të ftohta krahasuar me nxehtësinë që lëshon koftori i Ibrahimit. Klasat e vogla që akomodojnë më së shumti dhjetë nxënës nuk kanë dyer funksionale dhe çdo lëvizje e ajrit sikur rrezikon t’i heqë nga vendi.

Muret e hirta të klasave janë të dekoruara me vizatime dhe piktura të nxënësve. Alfabeti dhe numrat mbeten të shkruara me shkumës në tabelën e gjelbër. Mbi tabelë, në një kornizë të pluhurosur portreti i zbehtë i heroit kombëtar shqiptar, Skenderbeut, kryeson mbi klasë. Një numëratore e hirtë rri mbështetur në njërin kënd.

Edhe pse vetëm një mur i improvizuar dërrasash ndan nxënësit nga familja Ibrahimi, të dy palët duket sikur janë botë më vete.

“Unë, për veti, po të ketë orë të mësimit, largohem prej shkollës, dal në mal. Është problem t’i dëgjoj se është zhurmë e madhe”.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e shkollës kanë ankesat e tyre.

“Vetë prezenca e tij në shkollë është një pengesë sepse ai aty përgatit ushqime, gatuan, pjek dhe ato erërat janë non-stop aty, dalin në korridor të shkollës … mbushet me erë shkolla, si erëra të pasulit, qepëve dhe vetvetiu paraqet pengesë”, deklaroi drejtori i shkollës Fatmir Latifi.

Sipas Latifit, familja Ibrahimi shfrytëzon edhe pjesë të tjera të objektit shkollor. “Ai po ashtu shfrytëzon edhe banjon, jashtë objektit shkollor, që është për nxënës”, thotë Latifi duke treguar më pas se shpenzimet energjike që shfrytëzohen nga familja Ibrahimi paguhen nga shkolla.

Edhe pse Komuna e Gjilanit është prej katër vitesh tashmë në dijeni për problemet e strehimit të familjes Ibrahimi, Bardhyl Syla, drejtor komunal i arsimit, tha se ende nuk ka pasur mundësi për ta zgjidhur këtë situatë.

Ai madje konsideron se qëndrimi i kësaj familjeje në objektin e shkollës nuk paraqet pengesa për mbarëvajtjen e mësimit.

“Besoj se Komuna shumë shpejt do të kujdeset për banimin e kësaj familje duke e larguar nga objekti shkollor”, shpjegon Syla.

Ndërkohë që shkolla ‘Mulla Idriz Gjilani’ ballafaqohet me vështirësi të tilla, e tërë Kosova ballafaqohet me pasojat e rezultatit të ulët të testit PISA [Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve].

Në testin e fundit të mbajtur në 2015, Kosova u rendit e fundit në Ballkan, e fundit në Europë dhe në vendin e tretë nga fundi mes 72 vendeve që morën pjesë në nivel botëror.

Megjithatë, ish-ministri Arsim Bajrami ishte shprehur i bindur që rezultatet e PISA-s do të përmirësohen drastikisht në përfundim të mandatit të tij.

“Kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, tha Bajrami.

Bajrami konsideronte se implementimi i kurrikulës së re do të shënonte një kthesë të madhe në cilësinë e arsimit në nivel vendi. Por në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk e konsiderojnë kurrikulën e re si asgjë tjetër përpos një fasade politike që sipas tyre nuk do të sjellë rezultate substanciale në cilësi.

Mjediset e brendshme të shkollës në Muqibabë. Foto: Kallxo.com

“Jemi të shqetësuar për faktin se mësimdhënësit nuk janë mirë të përgatitur që ta implementojnë këtë kurrikulë [të re]”, tha Besa Shahini nga organizata ‘Plenumi për Arsim’ duke shtuar se, “Kurrikulës nuk iu është bashkangjitur teksti shkollor, as për nxënësit, e as për mësimëdhënësit, dhe si e tillë nuk do të mund të japë rezultate më të mira sesa kurrikula të cilën kemi qenë duke e imlpementuar deri tani”.

Shkolla ‘Mulla Idriz Gjilani’, përveç kushteve të rënda, numrit të vogël të nxënësve dhe strehimit të familjes Ibrahimi, përballet tani edhe me sfidën për implementimin e kurrikulës së re. Por drejtori i saj Fatmir Latifi dhe as mësuesi Avni Maliqi nuk e konsiderojnë problematike këtë metodologji të re arsimore.

“Është parapërgatitje, duhet të zbatohet si me një nxënës, si me dhjetë. Kushtet qashtu qysh janë, qashtu punojmë”, shprehet shkurt Maliqi, disi i kënaqur qe nuk u pyet serish për jetesën e familjes Ibrahimi në shkollën e tij ne Muqibabë.

Në katër vitet që Ibrahimi banon në shkollën e shndërruar në shtëpi, ai përcolli një qeveri qendrore dhe një lokale të cilat nuk arritën t’i bëjnë një zgjidhje banimi.

Por asgjë s`ka ndryshuar.

“Shumë është vështirë të jetosh këtu kur ka mësimdhënës dhe nxënës në shkollë”, thotë ai. “Ka shumë zhurmë, nganjëherë mendoj se është më mirë të jetosh në burg, sesa kështu”.

Më 4 shtator, dyert e të gjitha shkollave në Kosovë u hapën për fillimin e vitit të ri shkollor, kohë që përveç të tjerash solli një ministër të ri të arsimit dhe mund të sjellë një kryetar të ri komune.

Arsimi i Kosovës Para Testit më të Madh Ndërkombëtar

Por Ibrahimit i kanë humbur shpresat se ndryshimi i figurave te reja politike, do te sjellë zgjidhje për problemin e tij.

Re të ngrysura, sikur muret e shkollës dhe çehrja e Vehid Ibrahimit kanë mbuluar qiellin mbi Muqibabë.

Vështrimi poshtë dyshemesë së pluhurosur ia pluhuros atij edhe pritjet që një ditë ai nuk do të jetë i detyruar t’i “dëgjojë” mësimet e shkollës fillore, të cilës ia kishte kthyer shpinën dekada më parë.

Gjelbërimi përreth ndërtesës së shpejti do të zverdhet, dhe pemëve do t’u bien gjethet.

Kur bora të mbulojë malet, koftori i Ibrahimit do të vazhdojë t’i bëjë ballë të ftohtit që do të tentojë të hyjë paftuar përmes xhamave të hollë të dritareve të shkollës.

Dhe kështu ‘rojtari’ i papaguar i shkollës do të vazhdojë mbijetesën me familjen, duke zier pasulin dhe prishur monotoninë me cakërrimin e lugës në gotën e qelqtë të çajit, në të njëjtin objekt në të cilin autoritetet presin që nxënësit të përgatiten për testin e radhës të PISA-s.

09 Tetor 2017 - 17:29

Doruntina Baliu, Artrit Bytyçi, Qëndresë Mustafa 09/10/2017 - 17:29
NDËRVEPRIMI104

Midis Kurrikulës së Re Dhe Erës së Pasulit

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend