Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Me Kërcënime e Para pa Prejardhje

Ish-Zëvendësministri i Transportit, Adem Grabovci, i cili kishte menaxhuar projektin e një autostrade, akuzohet se bëri lista kompensimi për pronarët nga Vragolia dhe Sllatina e Fushë Kosovës në mënyrë të paligjshme. Listat u implementuan nga kompania ‘Arijak’, pronë e ish-Ministrit Zef Morina.

Një burrë i panjohur trupmadh ecën ngadalë me armë të gjatë në krahë natën në pronën e Mehmet Lajqit, në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Ai është paralajmërim i përditshëm për Lajqin që të heqë dorë nga prona e tij dhe ta lejojë realizimin e një projekti madhor të Ministrisë së Infrastrukturës.

NDËRLIDHUR

Mehmeti nuk guxon ta largojë atë pasi është i rrethuar edhe nga policët kosovarë që mbikëqyrin rrjedhën e punës në pronën e tij. Më saktësisht, ata kujdesen për mbarëvajtjen e punëve të kompanisë “Arjak”, e cila po shtron autostradën Fushë Kosovë-Arllat-Gurgjicë.

Mehmet Lajqi
Mehmet Lajqi

Atij iu shkelën të drejtat e pronarit të garantuara me kushtetutë. Mehmeti nuk deshi të lejojë askënd të punojë në pronën e vet para se Qeveria të kryente obligimet e saj të kompensimit në përputhje me ligjin. Prandaj u mundua t’ia ndalojë punën kompanisë “Arijak” të ish-ministrit Zef Morina në të gjitha format. Njëherë, vendosi kamionin në pronën ku kalonte autostrada, por ia larguan dhe policia ia shqiptoi një dënim prej 25 eurosh.

Mehmeti këmbëngulte. “Nuk kamë qenë kundër autostradës, vetëm u kam thënë ‘urdhëroni shtroni rrugën, por së pari kryeni atë që juve u takon’”.

Kur e ktheu kamionin në rrugë herën tjetër, ia konfiskuan.

Paraprakisht Mehmeti kishte negociuar me ish-Zëvendësministrin e Transportit, Adem Grabovci, i cili fillimisht i premtoi një pronë si kompensim, që asnjëherë nuk u zbatua. Zëvendësministri nuk kishte të drejtë të bënte veprime të tilla për shkak se ligji për shpronësim ende nuk ishte në fuqi. Edhe me ligjin e vjetër për eksproporiim të pronave (të ish-Jugosllavisë), që kjo ministri nuk e merrte parasysh, zyrtarët e kësi niveli nuk ishin të autorizuar të merren me shpronësim.

Mehmeti pastaj vendosi t’i drejtohej policisë, prokurorisë e gjykatës ku mori zotime se do të gjente mbrojtje për të drejtat mbi pronën e tij, por edhe këta të fundit u tërhoqën shumë shpejt.

Lajqi pajiset me “armë”

Kur rrugët institucionale iu mbyllën, Mehmeti angazhoi një kameraman për të filmuar ngjarjet të cilat i publikoi në YouTube. “Më nuk kisha çfarë të bëjë…policinë e shkelën, prokurorinë e shkelën, arma ime e vetme ishte një kamerë me të cilën kam filmuar gjithçka që ka ndodhur”, shprehet ai. “Kam filmuar njerëzit e armatosur që në njëmbëdhjetë të natës ia kanë nisur punës, njerëzit e Zef Morinës, e më e keqja është që edhe policia ka qenë prezente”.

Natën kur nisën punët ai asnjëherë nuk ishte larguar nga dritat e kamerës dhe veturës së tij, i frikësuar për pasojat e mundshme.

“Një BMW e zezë më përcillte gjatë gjithë kohës kudo që shkoja. Edhe te Sheremet Ahmeti kur shkova, ajo veturë është parkuar para policisë edhe më ka pritur”, rrëfen ai. “Një komshiu të cilit ia kanë marrë tokën pasi bëri ca rezistencë, shefi i zyrës ligjore i ministrisë i kishte thënë se atë do ta rrahin vetëm pak ndërsa, për mua, se do të më rregullojnë më mirë. Prandaj, duhej ta ruaja kokën dhe u detyrova t’i kufizojë lëvizjet”.

Edhe shumë banorë të tjerë të fshatit Vragoli patën problem të ndryshme dhe u kërcënuan jo vetëm nga njerëz të panjohur e të armatosur por, thonë ata, edhe nga vet zëvendësministri Grabovci. Një prej tyre, plak në pension, tregon se si ishte habitur nga sjelljet e njeriut me
kravatë, me syze dhe me flokë të thinjura.
“Thoshte ‘vij të boj llom’…Sejdiut, komshiut të parë, i thoshte se nëse i duhet diçka nga shteti nuk do të marrë kurrë”.

Ish-zëvendësministri Adem Grabovci, tash deputet i Parlamentit nga radhët e PDK’së, thotë se ka qenë i angazhuar për mbarëvajtjen e punëve në këtë autostradë dhe largimit të pengesave. “Ky projekt do t’ia rregullojë jetën qytetarëve të asaj ane dhe do t’ia rris vlerën e bizneseve të
tyre”, ka thënë Grabovci. Por, akuzat e banorëve ai i quan krejtësisht të pabaza dhe të pa logjikshme.

Policia në shërbim të Ministrisë

Nëse shumë të tjerë heshtën, Mehmeti iu drejtua prapë policisë. Për çudi, shprehet ai,
policia asnjëherë nuk deshi të mbajë evidencë për kërcënimet që ju bënë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar se nuk ka ndonjë rast të tillë të raportuar për kërcënime, duke hedhur poshtë se policia ka mundur të injorojë shqetësimet e qytetarëve.

Ndonëse neni dhjetë i ligjit të policisë – që flet për detyrimet dhe autorizimet
e përgjithshme të saj – thotë se PK ka për detyrë të “ta mbrojë jetën, sigurinë dhe pronën  e të gjithë personave”, prapëseprapë kjo nuk kishte vlejtur në këtë rast për shkak të një kërkese të Ministrisë së Transportit.

“Me kërkesë të ministrisë reaguam në rrugën e cila në atë kohë ka qenë duke u shtruar, në fakt nëse nuk gaboj ka qenë diku faza përfundimtare. Nuk merret policia me çështje kontestimore, ne jemi organizatë e cila është në funksion të garantimit të rendit dhe ligjit, rendit kushtetues dhe në mbështetje të institucioneve kur ato kanë nevojë për policinë në mënyrë që ta ushtrojnë funksionin e tyre”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë, Borovci.

Mirëpo kameramani që Mehmeti e kishte angazhuar filmoi disa nga momentet kur ky i telefonon policisë. “Skam lënë vend pa u ankuar, në policinë në Fushë Kosovë dhjetëra herë, në Prishtinë gjithashtu, kam shkuar edhe te Sheremet Ahmeti, kam taku Atifete Jahjagën e cila atëherë ka qenë
zëvendëse e Ahmetit… I kam edhe xhirimet, por askush nuk ka dashur të merret me mua sepse kanë qenë të shkelur nga Grabovci”, shprehet ai.

Mehmeti tash ka vendosur të kërkojë drejtësi jashtë vendit. Ai planifikon t’i drejtohet  Gjykatës së Strasburgut për të Drejta të Njeriut.

Grabovci dhe Morina bëjnë pagesa të paligjshme

Akuzave ndaj Ministrisë së Transportit për korrupsion gjatë dhënies së tenderëve i është shtuar edhe një tjetër shkelje e ligjit. Në mënyrë që kjo ministri të mos gjejë pengesa në shtrimin e rrugës, banorëve të fshatit Vragoli dhe Sllatinë që zotëronin biznese iu kishin ndarë para të cilat nuk dihet se nga e kanë prejardhjen. Kurrfarë shënimi zyrtar për to nuk ishte marrë.

Edhe të tjerë banorë, krahas Mehmetit, e kanë konfirmuar se janë paguar në këtë mënyrë.

Ish-Zëvendësministri Adem Grabovci kishte bërë një listë me emra dhe mbiemra të banorëve bashkë me shumën që do t’ua paguante si avancë, e dy orë më vonë, përfaqësuesit e kompanisë “Arijak” të Zef Morinës kishin shkuar tek ura afër fshatit Vragoli dhe me listën e
përpiluar nga Grabovci, i kishin shpërndarë paratë duke mos i evidentuar askund ato shpenzime.

Adem Grabovci
Ish-Zëvendësministri Adem Grabovci

Njëri prej banorëve që i ka marrë fiks pesë mijë euro, është Ahmet Dumani. Ai ka treguar se po pret të marrë edhe para të tjera nga Ministria e Financave, përpos atyre që ka marrë nga firma “Arijak”.

Ndërkohë, edhe qytetarë të tjerë në kushte anonimiteti kanë treguar se kanë marrë para në vlerë prej 3 mijë, 5 mijë e deri në 7 mijë euro. Arsyeja e vetme pse ata refuzojnë të flasin hapur për këto pagesa, është frika. “Nuk guxoj të konfrontohem me ta, nuk e dini ju çfarë kemi hequr. Përveç asaj, ata nuk e kanë bërë pagesën komplet, kështu që po presim”, është shprehur njëri
prej qytetarëve që ka pranuar të flas vetëm me kusht anonimiteti.

Grabovci i ka mohuar edhe këto akuza, duke theksuar se nuk ka të bëjë asgjë me këto pretendime dhe se nuk di asgjë për këso pagesash. Ai ka shkuar edhe më larg. Duke theksuar se nuk ka bërë kurrfarë liste për pagesa të qytetarëve, ka sqaruar po ashtu se as firma e Zef Morinës, “Arijak”, nuk ka pasur të drejtë të bëjë aso pagesash.

Mirëpo Zef Morina, edhe vet ish-Ministër i Transportit dhe ish-deputet i Parlamentit, nuk e ka mohuar  këtë. Megjithëse ka insistuar se nuk është në dijeni për pagesat që mund të jenë bërë,
ai ka thënë se menaxherët e kompanisë së tij, të cilët kanë qenë përgjegjës për këtë projekt, kanë negociuar me banorët me qëllim të realizimit të tij.

Ministria e Financave tashmë ka kryer shpronësimin e pronave të cilat janë marrë që nga viti 2007, për tu asfaltuar. Udhëheqësi i departamentit për shpronësim të kësaj ministrie, Shkëlzen Morina, ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë të bëjë kurrfarë marrëveshjesh për shpronësim, përveç departamentit të tij. “As ministra as kurrkush”, është shprehur ai.

Shkëlzen Morina thotë se Ministria e Transportit ka ofruar gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me shpronësimin e atyre pronave të autostradës Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë, por në këtë dokumentacion, nuk është ofruar asnjë dëshmi se janë bërë pagesa të tilla, e as që është bërë ndonjë marrëveshje me banorët.

Qeveria e Kosovës, më datën 3 gusht 2011, ka marrë vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronarëve në këtë autostradë, pas vlerësimit që është bërë nga Ministria e Financave. Të gjithë banorët të cilëve u janë prekur tokat nga shtrimi i autostradës, tashmë janë njoftuar se një ari do t’u paguhet në shumë prej 3500 deri në 5000 euro.

Njoftimin për shpronësim, tash e ka marrë edhe Mehmet Lajqi, të cilit një ari i është vlerësuar me 3800 euro, para këto që nuk i ka marrë as ai e as banorët e tjerë, megjithëse në pikën 6 të këtij vendimi, thuhet se, “Nga dita e hyrjes në fuqi, Ministria e Financave do ta kompensojë shumën e pronës së shpronësuar”.

ETIKETA

25 Shtator 2011 - 16:37

Kastriot Jahaj 25/09/2011 - 16:37
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Me Kërcënime e Para pa Prejardhje

by Gazeta JNK
NA NDIQNI