Termocentralet e KEK-ut. Foto kortezi: Yll Vuçiterna

Marrëveshjet për Termocentralin e Ri Nënshkruhen në Dhjetor

Mungesa e energjisë elektrike dhe çmimi i lartë i saj është shndërruar në pengesë për të bërë biznes në Kosovë. Madje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka thotë se humbjet vjetore të bizneseve për shkak të mungesës së energjisë shkojnë deri në 300 milionë euro.

“Ka raporte të shumta për humbjet ditore që i kanë bizneset. Në raportin e USAID-it thuhet se ka 300 milionë euro humbje të bizneseve nga energjia elektrike”, ka potencuar Lluka në forumin e biznesit “Pengesa qindra milionëshe: Energjia Elektrike” e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ.

Lluka është shprehur se Kosova i vetmi vend në Evropë ku faturat tarifat e bizneseve janë më të shtrenjta se të shtëpive.

“Deri tani vlera e energjisë së importuar është 550 milionë euro. Nga 38 për qind kanë rënë në 32 për qind humbjet, e këto janë pjesë e faturave të bizneseve dhe shtëpive. Kosto është 13 deri 14 për qind më shtrenjtë se në rajon. Kosova i vetmi vend në Evropë ku faturat tarifat e bizneseve janë më të shtrenjta se të shtëpive”, ka thënë ministri Lluka.

Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu theksoi se është shqetësuese që jemi në shekullin e XXI dhe ende na ndjekin trendet e ndërprerjes së energjisë elektrike.

“Shqetësuese është se që nga viti 2002 flitet në media për ndërtimin e kapaciteteve të reja, derisa ne po humbim kohë në vendet fqinje janë ndërtuar kapacitete të reja”, ka thënë Gërxhaliu.

Në këtë forum ministri Lluka foli edhe për qëllimin e tyre si mistri që deri në fund të vitit 2017 të nënshkruhet një marrëveshje komerciale për termocentralin Kosova e Re.

“Qëllimi jonë është që gjatë këtij viti të nënshkruhet një marrëveshje komerciale për termocentralin. Në momentin e nënshkrimit fillojnë edhe procedurat e tenderimit, në vitin 2019 fillon ndërtimi dhe diku në fund të vitit 2021 në fillim të vitit 2022 përfundon”, është shprehur Lluka.

Ai më tutje ka shpjeguar edhe se në Kosovë e blejnë një megavat gjatë ditës për 100 deri në 110 euro, kurse gjatë natës e shesin 15 euro një megavat.

Ai foli edhe për mos-zbatimin e marrëveshjes për energji të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia. Lluka tha edhe se pret që deri në qershor të vitit 2018 të ketë diçka konkrete me Serbinë sa i përket transmisionit me Shqipërinë.

Ilir Rexhepi, këshilltar i lartë në GIZ ka potencuar se furnizimi me energji elektrike, tarifat janë identifikuar si pengesa në Kosovë.

“Problemi mund të ketë zgjidhje nëse i qasemi në mënyrë shumë dimensionale”, ka thënë Rexhepi.

Në bazë të hulumtimit që e ka realizuar Oda Ekonomike në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ del se 66 për qind e bizneseve e shohin sistemin tarifor si pengesë të madhe e të bërit biznes. E 60 për qind e bizneseve të intervistuara (308 biznese janë intervistuar nga OEK) kanë thënë se energji është pengesë e madhe në koston totale të operimit.

Poashtu 53 për qind e bizneseve kanë thënë se situata e energjisë elektrike ndikon shumë në profitabilitetin e biznesit të tyre.

Një tjetër pyetja që janë përgjigjur bizneset ka qenë për “zhvillimet në rrjetin e KEDS-it, a kanë përmirësuar konkurrueshmërinë e bizneseve”.

88 për qind kanë thënë se investimet e KEDS-it nuk kanë pas ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë së tyre.