Ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë javë. Foto: Beta.

Kosova, Serbia dhe Beteja e Pakuptimtë në Nju Jork

Gjatë viteve të fundit Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju Jork është shndërruar në arenën e përsosur ku zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë kunja dhe akuza dhe seanca e kësaj jave nuk ishte aspak ndryshe.

Është bërë praktikë e zakonshme që në seancat e Këshillit të Sigurimit të diskutohen raportet tremujore nga Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, e të dyja palët të konkurrojnë për të parë se kush mund të bëjë akuzat më skandaloze – ndërsa në Evropë, në bisedimet në Bruksel, të dyja palët përsërisin angazhimin e tyre për “normalizimin” e marrëdhënieve me njëri-tjetrin.

Këtë javë, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, foli me elokuencë për numrin e njerëzve të vrarë gjatë luftës, dëmin e shkaktuar dhe njerëzit ende të zhdukur, ndërsa i kujtonte presidentit serb Tomislav Nikoliç, i cili ishte po ashtu i pranishëm në seancë, se vendi i tij duhet të shpallet përgjegjës për këtë.

Në Prishtinë njerëzit e duartrokitën fjalimin e saj. Por kur fjalët e saj analizohen më thellësisht, ato bien në kundërshtim me qasjen e Kosovës për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Deri në gusht të vitit 2015, Çitaku ishte një figurë e rëndësishme në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ish-lideri i të cilës, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi një marrëveshje “pike referimi” me Serbinë në prill të vitit 2013 si rezultat i bisedimeve në Bruksel.

Edhe pse Thaçi ishte një figurë kyçe në dialog, ai nuk e përmendi kurrë fatin e 1,600 personave që janë ende të zhdukur që nga lufta apo kërkoi kompensime nga Serbia, pavarësisht presionit nga shoqëria kosovare për t’i përmendur këto çështje gjatë bisedimeve.

Prandaj fjalimi plot pasion i Çitakut binde ndesh me përpjekjet e politikës së jashtme të Kosovës dhe qëndrimin e mbajtur nga ish-shefi i saj Thaçi.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Çitaku madje vazhdoi më tej: “Nëse do të ishte zbatuar logjika serbe, gjyqi i Nurembergut do të kishte dënuar Roosevelt, Eisenhower, Churchill dhe de Gaulle, jo nazistët,” tha ajo.

Megjithatë, kjo ngre pyetjen: Pse qeveria e Kosovës është e angazhuar të vazhdojë dialogun me një vend që ndjek logjikën politike të nazistëve?

Në seancën e kaluar për Kosovën të Këshillit të Sigurimit në nëntor të vitit 2016, Çitaku e nisi fjalimin e saj me fjalët: “Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë fqinje, nëse ky vend nuk shpallet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Hashim Thaçi aktualisht po përgatitet të ngrejë një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, në të cilin familjet e viktimave serbe dhe shqiptare të luftës po marrin pjesë bashkë me aktivistë të shoqërisë civile, anëtarë të trupit diplomatik dhe figura fetare në një përpjekje për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Edhe pse është në fazat e tij fillestare, dhe pa dashur të paragjykoj, dihet që Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin nuk synon të kërkojë ndjesë apo dëmshpërblime nga Serbia.

Mund të përfundojë edhe të jetë një strategji për të treguar një gatishmëri të rreme për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Shumë vëzhgues në Prishtinë e panë nismën e Thaçit si një mënyrë “për ta shpëtuar” atë nga ndjekja penale në Gjykatën e re Speciale me bazë në Hagë që pritet të gjykojë ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përpjekja e Thaçit do të shihet gjithashtu me ngurrim sepse në vitin 2015 se Kosova po shqyrtonte mundësinë për të paditur Serbinë për gjenocid gjatë luftës. Duket sikur kjo ide tashmë është vjetruar.

Në Nju Jork, një etikë e tillë nuk është e re në selinë e OKB-së kur Kosova dhe Serbia përballen me njëra-tjetrën, kur bëhen krahasime të çuditshme, kryesisht për avantazh politik të brendshëm ose për të kënaqur zërat nacionalistë që janë ende të zëshëm në Ballkanin Perëndimor.

Leximi nga një tjetër seancë në gusht 2015, kur Thaçi kishte rolin e ministrit të jashtëm dhe u përball me homologun e tij serb Ivica Daçiç, ishte një shembull i kësaj.

Duke folur për kërkesën e Prishtinës për t’iu bashkuar organit kulturor të OKB-së UNESCO, Daçiç e krahasoi dëmin e shkaktuar ndaj Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë me veprimet e Shtetit Islam.

“Përdhosja dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare në Lindjen e Mesme nga ISIS (Shteti Islamik) pritet me protestë në mbarë botën dhe dënohet si terrorizëm, ndërsa ata që përdhosin dhe shkatërrojnë trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë dhe Metohi kërkojnë anëtarësim në UNESCO me një të rrahur në shpatulla si një gjest shpërblimi,” tha ai.

Deklarata e tij erdhi vetëm një vit pasi ai dhe Thaçi, bashkë me ish-shefen e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton, u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe për rolin e tyre në procesin e dialogut në Bruksel nga grupi i deputetëve të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.

Në fakt, nëse vëren me kujdes, duket se seancat e Këshillit të Sigurimit mund të veprojë si një masë e gjendjes së vërtetë të pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

Kjo mund të shërbejë për të zhgënjyer ata që besojnë se Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie të normalizuara që kur angazhimi i tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel filloi në vitin 2011.

Fjalimet në Kombet e Bashkuara duhet të shërbejnë sidomos si mësim për BE-në që ajo të rishohë qëndrimin e saj ndaj Ballkanit, sepse hartimi i të ardhmes pa trajtuar si duhet të kaluarën duket e pamundur të sjellë ndonjë paqe të qëndrueshme.

Projekte e infrastrukturës të financuara nga Europa për të lidhur ish-armiqtë janë mëse të mirëpritura, por njëkohësisht, dega duhet të përdoret edhe për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të ballafaqohen me të kaluarën dhe të trajtojnë fatin e më shumë se 1,600 personave që janë ende të zhdukur nga lufta që ata luftuan.