Dhjetë Vjet Burg për Ish-Gjykatësin Kolë Puka

Kolegji i gjykatësve të Qarkut në Prishtinë, në përbërje të Dean Pinales kryetar, Viktor Pardal dhe Nexhmedin Sejdiu anëtarë, të premten shpalli aktgjykimin në rastin e ish-gjykatësit Kolë Puka dhe avokatëve Zef Marlekut e Lon Palushajt. 

Pas 25 seancave të mbajtura dhe pas dëgjimit të 60 dëshmitarëve si dhe leximit të gjitha provave materiale, gjykata shpalli fajtor dhe e dënoi ish-gjykatësin Kolë Puka për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim – me gjithsej 10 vjet burg.

Ish-gjykatësin, gjykata e liroi për veprën penale të krimit të organizuar, evazionit fiskal, falsifikimit të dokumenteve dhe për rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve si dhe për një vepër tjetër të pastrimit të parave.

Puka për veprën penale të lëshimit të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor u dënua me 2 vjet burg. Për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit me 4, për pastrim parash me 3 vjet burg dhe për veprën penale të mashtrimit me 4 vjet të tjera burg. Në total ish gjykatësi Puka u dënua me 13 vite burg por gjykata atij i shqiptoi një dënim unik prej 10 vitesh burg.

Më herët këtë vit, Kolë Puka ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë me një dënim unik prej 5 vitesh burg, e po në këtë gjykatë Pukës iu konfirmua aktakuza tjetër që e akuzon atë për shpërdorimin e më shumë se 74 mijë eurove.

Të pandehurit Zef Marleku dhe Lon Palushaj, nga gjykata u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës, ashtu që të njëjtit u liruan.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetari kolegjit tha se “gjykata është marrë me 24 raste të veçanta dhe të ndërlikuara të cilat janë analizuar me kujdes në një shqyrtim po ashtu të ndërlikuar”.

“Gjatë 25 seancave të mbajtura kemi dëgjuar 60 dëshmitarë dhe kemi shikuar qindra dokumente”, vazhdoi kryetari Dean Pineles.

Kolegji po ashtu në arsyetim kishte shqyrtuar teorinë e prokurorisë, e cila ishte se Kolë Puka ka bashkëpunuar në mënyrë kriminale me Zef Marlekun e Lon Palushajn. Por sipas gjykatës “pas shqyrtimit të provave është parë se Kolë Puka ka futur në rrejtën e tij të merimangës edhe Zef Marlekun e Lon Palushajn, por që të njëjtit më shumë ishin viktima të krimit të tij”.

Sipas gjykatës, ka shumë gjasa që Hilmi Hana ka qenë bashkëkryesi kryesor i Kolë Pukës, pasi që edhe vet Puka e kishte pranuar në seancë që ai i ka bërë favore si një miku të tij. Por gjykata tha se beson që Kolë Puka ka nxjerr shuma të mëdha parash për vete dhe për Hilmi Hanën.

“Kolë Puka ka vepruar kështu në mënyrë të paprekshme dhe ka i ka vendosur në këtë lojë palët e dëmtuara por nuk ka pas konsideratë as për Lon Palushajn e Zef Marlekun”, shtoi kryetari i kolegjit Dean Pinales.

Kolegji ceku se “është keq të merret nga një kompani, por edhe më keq është të fitohet nga një e kaluar tragjike e dikujt”.

Në fund kryetari i kolegjit Dean Pinales, tha se “Kolë Puka preku zyrën e gjykatës, zyre e cila ku qytetarët duhet të besojë”.

Në këtë aktgjykim mbrojtësi i Kolë Pukës, avokati Tahir Rrecaj paralajmëroi ankesë në të gjithë bazën e aktgjykim. Ndërsa prokurori Ali Rexha, tha se do të lajmëroi gjykatën në afat ligjor nëse do ta paraqes ankesën.

Mbas seancës, prokurori Ali Rexha, i cili kishte drejtuar hetimet kundër Pukës, deklaroi se pas këtij vendimi do të vazhdojë gjykimi tjetër në Gjykatën e Qarkut në Pejë kundër të njëjtit të pandehur si dhe pritet një aktakuzë e re në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për keqpërdorim milionësh.

“Vendimi i sotëm është i drejtë. Do të konsultohemi me kryeprokuroren nëse do të paraqesim ankesë”, tha Rexha.