Bari në Stacionin e Trenave

 

Fare nuk është e qartë se si quhet bari në stacionin e trenave. Dy emra po qarkullojnë në publik: Renato’s dhe Streha (eng: Shelter). Personalisht, më shumë më pëlqen ky i dyti. Ma kujton një strofë të një kënge të grupit Creedence: “Udhëtova drejt Virgjinias, në kërkim të strehës nga shiu”. Në këtë rast, në Strehë po gjejnë strehim njerëzit të cilëve u pëlqen të pinë. E për momentin, nuk ka vend më të mirë për ta bërë këtë në tërë qytetin. 

Streha vërtet gjendet në stacionin e trenave në Prishtinë – vetëm se në të hyhet nga hyrja e prapme. Nëse ju pëlqen të uleni jashtë, ju në fakt do të gjendeni pak hapa larg shinave të trenit. Nëse jeni me fat, ndejës suaj do t’i bashkëngjitet edhe ndonjëra nga lokomotivat antike të Kosovës. 

Brenda në lokal mbretëron një vezullimë e kuqe. Ajo pothuajse ju thotë: “Lëreni moralin te dera kur të hyni”. Në lokal ka vende për tu ulur, përfshirë edhe një tavolinë më të gjatë ku mund të ulen më shumë persona. Ajo që është më e rëndësishmja është se vetë bari është i ndërtuar për të pirë në të dhe nuk është vetëm ndonjë objekt i kotë që aty gjendet vetëm për dekor. Ky është nga ai lloji i barit që mirëpret edhe pirësit që dalin solo për ta pirë një (ose pesë) pije. 

Ky është bar i natës. Këtu nuk ka kafe. Këtu mbretëron birra. Në menynë e paraqitur në dërrasë të zezë arrita t’i numëroj mbi njëzet lloje birrash, shumica me çmim mes 1 dhe 3 euro. Në këtë bar mund të gjenden pothuajse të gjitha birrat që ndonjëherë i kam parë në Kosovë. Për fat të keq, kjo do të thotë se shumica prej tyre janë birra të lehta të huaja që nuk lënë shumë mbresa. Opsioni që këtu ofrohet si risi është birra e shtëpisë në krikëll. Kjo birrë e balancuar e tipit pilsner, e fermentuar në Gjilan, kushton vetëm një euro copa dhe shërbehet në krikëll të ngrirë. Punonjësit në këtë bar janë shumë miqësorë dhe nuk hezitojnë të sjellin pije pandërprerë. Ata duan që ju të pini sa më shumë dhe këtë fare nuk e fshehin nga ju. 

Përzgjedhja e pijeve më të rënda alkoolike është pak a shumë e krahasueshme me të gjitha baret më mirë të furnizuara në Prishtinë, megjithëse qëndron dobët sa i përket llojeve të rakisë në dispozicion. Me maje të syrit e vërejta një Laphroiag, uiski ky nga i cili të ikën mendja fare. Por, e kuptova se ai ishte vënë aty vetëm për dekor. U detyrova që të gjej ngushëllim në një krikëll tjetër të birrës së shtëpisë…

Bari në stacionin e trenave 

Rruga Garibaldi.

I hapur çdo natë nga ora 18 deri në orë të vona