Pamje nga varrimi i Dijamant Zabërgjes - Foto: KALLXO.com

Dijamantit iu Dha Lamtumira e Fundit

Qindra qytetarë janë mbledhur në varrezat e fshatit Ropicë të Vushtrrisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dijamant Zabërgjes, 21-vjeçi i cili u vra të premten në një sulm të armatosur në Munich të Gjermanisë.

Në ceremoninë e varrimit janë parë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve dhe partive politike, përfshirë ministrin e Diasporës, Valon Murati, zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezi, kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ai i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi, zyrtarë të Vetëvendosjes, etj.

Në një prononcim për media, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezi, tha se kjo është një ditë e dhimbshme për tërë popullin e Kosovës.

“Sot është një ditë e dhimbshme për krejt qytetarët e Kosovës, për krejt popullin e Kosovës dhe ju po e shihni që një mase e madhe e njerëzve kanë ardhur për t’i bërë homazhet e fundit Dijamantit dhe viktimave të tjera të pafajshme. Ne ju shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjes”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se ky rast tragjik është tregues se shteti i Kosovës duhet të përkujdeset shumë më shumë për qytetarët e vet qoftë brenda shtetit, qoftë kur janë jashtë vendit.

“Është një rast tragjik që tregon se duhet shteti të mobilizohet më shumë për mbrojtjen e qytetarëve nga terrorizmi, nga aktet e tilla makabre, të cilat normalisht që janë të dënueshme nga njerëzimi dhe bota e përparuar”, tha Isufi.

Ndërsa, Ylber Zabërgja, një familjar i Dijamantit, falënderoi numrin shumë të madh të njerëzve që kanë shkuar për ta ndarë pikëllimin me ta.

”Kjo tregon që një akt barbar që ka ndodhur në Mynhen i ka prekur zemrat dhe shpirtrat e gjithë shqiptarëve por jo vetëm të shqiptarëve por edhe të mbarë njerëzimit dhe të gjithë njerëzve paqedashës. Kjo tregon që vërtet shpirti paqe dashes gjithherë është ai i cili bashkon njerëzit në momentet e tilla dhe falënderojmë edhe një herë të gjithë për pjesëmarrjen për mbështetjen dhe për ndarjen e pikëllimit bashkë me neve”, tha ai.

Dijamant Zabergja 003 Dijamant Zabergja 004jpg

Dijamant Zabërgja është njëri prej tre të rinjve me origjinë nga Kosova që u vranë në një sulm të armatosur të premten në Munich.

Autor i këtij sulmi ishte një i ri gjerman me origjinë iraniane, i cili pasi vrau 9 persona dhe plagosi rreth njëzet të tjerë bëri vetëvrasje.

http://kallxo.com/se-paku-9-te-vrare-ne-munich/

Përveç Dijamantit në këtë sulm u vra edhe Armela Segashi, 14-vjeçe, dhe Sabina Sulaj.

Arkivolet me trupat e Dijamantit dhe Armelës janë sjellë mbrëmë në mesnatë në Kosovë.

http://kallxo.com/arrijne-ne-kosove-trupat-e-dijamantit-dhe-armeles/

Ndërsa, për Sabina Sulajn duket se familjarët kanë vendosur që ceremoninë e varrimit ta kryejnë në Gjermani.

Në shenjë nderimi për viktimat me origjinë nga Kosova, presidenti Hashim Thaçi kishte shpallur të dielën ditë zie në vend.

http://kallxo.com/e-diela-dite-zie-ne-kosove/

Ndërsa, varrimi i Armela Segashit do të bëhet sot në ora 17:00 në Podujevë.