Gjykimi për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Rreshterit i Përcolla Porosinë e Kërcënimit me Vrasje

Në seancën e gjykimit për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, njëri nga dëshmitarët tha se kishte pranuar një porosi në formë kërcënimi për t’ia përcjellë tashmë të ndjerit nga njëri ndër të akuzuarit.

Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Avdush, Ali e Asdren Gashi ishin dëshmitarët e radhës në këtë gjykim.

Avdush Gashi gjatë dëshmisë së tij tha se kishte marrë një porosi nga Ramadan Gashi të cilën ia kishte përcjellë Shemsi Gashit.

“Porosinë me e dërguar më ka porositur Ramadan Gashi, ai me ka thënë me i thënë Shemsi Gashit  me u tërheq nga kjo lëndë përndryshe do të vras”, ishte ajo çfarë deklaroi dëshmitari Avdush Gashi në gjykatë.

Rreshteri policor Shemsi Gashi tashmë i vrarë kishte një problem pronësor me të akuzuarit për vrasjen dhe përgatitjen e vrasjes së tij.

Dëshmitari tha se për kërcënimin  i kishte treguar Shemsi Gashit në prezencën e vëllezërve të tij, ndërsa shtoi se rreshteri i kishte thënë se nuk kishte nga çfarë të tërhiqej, pasi për këtë çështje do të vendoste gjykata.

Dëshmitari deklaroi se i akuzuari Ramadan Gashi e kishte ftuar atë në një kafe për të ia dhënë porosinë dhe se prezent me ta në tavolinë kishte qenë edhe Mujë Gashi, i cili nuk kishte reaguar fare përkundër kësaj porosie .

Dëshmitari tjetër Ali Gashi tha se ai edhe përgjatë viteve të 90-ta kishe dëshmuar në gjyq në lidhje kontestin pronësor që të dy familjet kanë pasur.

“Edhe në vitin 1997/98 kam qenë në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me këtë problem, dëshmitar i Nazmi dhe Hasan Gashit. Historia vazhdon deri sot përsëri është e vështirë me u kthy ne retrospektivë”, tha dëshmitari Ali Gashi kur u pyet nëse ishte në dijeni për problemin që kishin të dy familjet në lidhje me një pronë.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se para disa viteve në shtëpinë e tij kishin shkuar Mujë e Agron Gashi së bashku me xhaxhanë e tyre Azem Gashin me ç’rast kishin kërkuar nga ai që të bisedonte me Shemsi Gashin në lidhje me problemin që kishin me tokë.

“Para 4-5 viteve kanë ardhur Muja dhe Agroni edhe me axhën e tyre Azem Gashin te unë në shtëpi me më lut që të bisedojë me të ndjerin Shemsiun se është bërë problem”, tha dëshmitari Ali Gashi.

Ai po ashtu tregoi se kishte biseduar me Shemsi Gashin rreth kësaj çështje, por që i njëjti i kishte thënë se lënda është në gjyq dhe se kjo çështje do të zgjidhej sipas ligjit.

“Unë e kam kryer obligimin jam takuar me të ndjerin Shemsiun, ai më ka thënë se kjo është në gjyq, është bërë ekspertiza gjyqësore sa më kujtohet ashtu më ka thënë dhe se këtë e zgjedh gjyqi”, tha dëshmitari Ali Gashi gjatë marrjes në pyetje.

Kurse dëshmitari tjetër Asdren Gashi deklaroi se ai asnjëherë nuk kishte pranuar ndonjë porosi nga Ramadan apo Mujë Gashi për t’ia përcjellë Shemsi Gashit në lidhje problemin me kontestin pronësor që këta kishin dhe se ai asnjëherë nuk kishte dëgjuar për ndonjë kërcënim të mundshëm nga ana e Mujë Gashit për Shemsi Gashin në lidhje me atë tokë.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në Lagjen “Mati” të Prishtinës rrugës për në zyrën e tij, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon tetë persona, një pjesë e madhe e të cilëve janë të afërm të tij.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Motivi i ngjarjes sipas prokurorisë  ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit.

Bëhet fjalë për një parcelë pronësore prej 40 arësh në Lagjen e Spitalit në Prishtinë të cilën e kishin trashëguar bashkërisht nga paraardhësit e tyre.

Po ashtu aktakuza Ramadan Gashin, Mujë Gashin, Robert Gashin, Vesel Bunjakun  dhe Vesel Gjinovcin i ngarkon edhe për armëmbajtje pa leje.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 18 korrik.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/deshmitari-rreshterit-cuan-fjale-se-nuk-ta-gezoje-token/