Pamje nga seanca fillestare në gjykimin e Xhavit Bicajt - Foto: KALLXO.com

Bicaj e Quan ‘Montim’ Rastin Ndaj Tij

Njëri nga pesë anëtarët e komisionit në konkursin për drejtorë të njësive përkatëse të QKUK-së, Xhavit Bicaj, i cili akuzohet se ua dërgoi testet me pyetje e përgjigje dy kandidatëve të tij të preferuar, e quajti montim rastin ndaj tij.

“As në kohën e Millosheviqit s’kam përjetu kësi gjëra”, tha i mllefosur Bicaj në fjalën e tij hyrëse.

Sipas aktakuzës, Bicaj si anëtar i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorëve të njësive përkatëse të QKUK-së, ua ka dërguar testet me pyetjet dhe përgjigjet e sakta të intervistës me shkrim dy të preferuarve të tij, Dr. Sonja Blakaj dhe Dr. Ramë Miftari, në mënyrë që ata të dalin më të suksesshmit nga 30 kandidatët që kishin konkurruar.

Vepra e pretenduar sipas aktakuzës ka ndodhur më 31 korrik dhe 3 gusht 2014.

Ndryshe nga pretendimet e aktakuzës u deklarua në dëshminë e tij Ramë Miftari, i cili sipas aktakuzës ka pranuar përgjigjet.

“Unë asnjëherë nuk kam pranuar përgjigjet nga profesori Bicaj. Unë në media kam dëgjuar sepse flitej me pompozitet se profesori i ka dërguar pyetjet për dy kandidatët”, tha Miftari.

Ndërsa, prokurori i këtij rasti Feti Tunuzliu në fjalën e tij hyrëse tha se ka prova që e dëshmojnë se i akuzuari e ka kryer veprën që i vihet në barrë.

Pretendimet e prokurorit Tunuzliu në fjalën e tij hyrëse i kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarit.

“E kundërshtojmë këtë aktakuzë sepse nuk është e bazuar në asnjë provë të vetme”, tha avokati i Bicajt, Ismajl Hyseni.

Duke e mbështetur fjalën e avokatit të tij, i akuzuari Bicaj tha se nga krejt afera kishte një person që ka përfituar.

“Nga krejt kjo që ka ndodhur përfitues është Behxhet Osmani, që me organizimin e kësaj afere ka dashur që t’ia zgjas vetes mandatin si ushtrues detyre”, tha Xhavit Bicaj.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të mbahet më 23 shkurt.