Ilustrim, Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohet i Dyshuari për Grabitje në Prizren

Policia e Prizrenit ka arrestuar një person, për të cilin dyshon se është autor i një grabitjeje që ka ndodhur më 22 tetor të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë datë, rreth mesnatës, në rr. “Zanat” në Prizren, një i dyshuar e kishte sulmuar fizikisht një qytetar të cilit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore e më pas i kishte grabitur një telefon celular dhe disa gjësende tjera.

Pas sulmit, viktima kishte pranuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren.

Pas inicimit të rastit, hetues policorë në vazhdimësi kanë punuar për identifikimin e të dyshuarit A.B., i cili është arrestuar dhe gjatë kontrollit në portofolin e tij është gjetur një sasi e vogël e narkotikut.

Gjatë hetimeve është gjetur edhe telefoni i cili i ishte shitur një personi dhe i njëjti do të shërbejë si provë materiale në procedura hetimore.

“Vlen të theksohet se i dyshuari ndiqet penalisht edhe për dhunë në familje”, thuhet në njoftimin e Policisë.