Arkiv - Gjykimi ndaj Granit Elshanit

Apeli Lejon që Granit Elshani të Mbrohet nga ish-Prokurori

Në seancën e fundit Gjykata e Pejës pas kërkesë së prokurorit të EULEX kishte vendosur që avokati Ndrec Dodaj të përjashtohej nga procesi me arsyetimin se ai kishte hetuar raste në konfliktin në mes familjes Elshani e Kelmendi

Mirëpo, pas ankesës së ushtruar nga avokati Dodaj në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit ia ka njohur të drejtët që sërish ta mbrojë të akuzuarin Granit Elshani.

Lajmin për vendimin e Gjykatës së Apelit për avokatin e Granit Elshanit e ka  bërë të ditur për KALLXO.com, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu.

Gjykimi i tij do vazhdojë në muajin shtator me 5 seanca radhazi bëri të ditur, Sami Sharraxhiu, kryetar i trupit gjykues.

“Me 19,20,21,22 dhe 25 shtator janë datat të gjykimit ndaj Granit Elshanit”, ka thënë për KALLXO.com, gjyqtari Sami Sharraxhiu.

Sipas aktakuzës më 2 janar të viti 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë  i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit.

Siç përshkruhet në aktakuzë natën kritike Granit Elshani shënjestër të  vrasjes kishte anëtarin  familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe një zyrtari policor.

Në 11 faqet e aktakuzës ndaj Granit Elshanit, të dyshuarit për një vrasje në Pejë në ditët e para të vitit 2010, prokurori ndërkombëtar  Andreë Hughes tenton ta përshkruaj konfliktin e gjakmarrjes në mes familjeve Elshani dhe Kelmendi të Pejës.

Pa specifikuar se ku nisi konflikti dhe cili ishte incidenti i parë, prokurori i EULEX-it ka dhënë një bilanc tragjik të viktimave në mesin e të cilëve edhe dy fëmijë.

Në  aktakuzë thuhet se Graniti i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës e cila ka qenë në gjakmarrje kundër familjes Kelmendi që nga viti 2000.

Siç e përshkruan prokurori në konfliktin, mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme  të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Granit Elshani në seancën e parë të shqyrtimi fillestar ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzave të ngarkuara nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar KALLXO.com filmoj momentin e dorëzimit në Policin e Kosovës të Granit Elshanit nën shoqërimin e avokatit të tij, Ndrec Dodaj.  http://kallxo.com/dorezohet-ne-polici-granit-elshani/