Sendet e sekuestruara nga Policia - Foto: PK

8 të Arrestuar për Kontrabandë me Emigrantë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i gjerë policor me bashkëpunim ndërkombëtar, i cili ka  rezultuar me arrestimin e tetë personave të dyshuar për përfshirje në raste të kontrabandës me emigrantë.

Operacioni policor, i bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, është realizuar nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, i asistuar edhe nga njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës.

Policia thotë se janë kryer shtatë kontrolle në disa lokacione që shtrihen në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës si në Prishtinë, Pejë, Gjakovë dhe Ferizaj, ku në cilësi të provave materiale janë  sekuestruar: 2 pasaporta të shteteve të ndryshme, 2 letërnjoftime të shteteve të ndryshme, 1 patentë shofer, 12 telefona të llojeve të ndryshme, 4 armë të shkurta të llojeve të ndryshme,      2 karikatorë dhe 40 fishekë, 1 Ipad me 1 USB dhe disa dokumentacione të ndryshme relevante me rastin.

Në një komunikatë, Policia thotë se këtij operacioni i ka paraprirë edhe një bashkëpunim i vazhdueshëm ndërkombëtar me autoritetet policore të shteteve të ndryshme të rajonit duke përfshirë edhe Slloveninë, nën asistimin dhe koordinimin e EUROPOL-it, në të cilat po ashtu janë  realizuar operacione policore me karakter të njëjtë.

Me vendim të prokurorit kompetent të gjithë personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.