KALLXO 360: 17 Flakadanë për 17 Vitet e të Pagjeturve

Sheshi „Zahir Pajaziti“ është ndriçuar sonte nga shtatëmbëdhjetë flakadanë të cilët i kanë mbajtur në duar e aktivistëve nga organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Flakadanët të cilët qëndronin si shtylla në duart e aktivistëve simbolizonin 17 vite pritje për të ndriçuar fatin e të pagjeturve në Kosovë.

Në mesin të rrethit ekzekutohej muzikë kurse para aktivistëve nga flakadanët ndriçoheshin emrat e atyre që konsiderohen akoma të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Gjersa sheshi i Prishtinës errësohej, emrat e Shaban Kryeziut, Bedri Osmanaj, Natyra Gashit, Milica Marusicit, Bedri Sejfullahut dhe të 1 mijë e 716 personave ndriçonin.

Drejtoresha e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Teuta Hoxha, tha se ky aktivitet është bërë që të kthehet vëmendja tek të pagjeturit në mënyre që të zbardhet fati i tyre dhe dhimbjet e familjeve të pushojnë.

„Kemi dashur që edhe njëherë të sjellim vëmendjen çështjen për persona të pagjetur në mes të Prishtinës dhe për të bërë thirrje kështu edhe për ndërgjegjësim të institucioneve por edhe të qytetarëve”, tha ajo.

Përveç 17 viteve ky aktivitet i organizuar me moton “Kujtesa jonë, përgjegjësia jonë”  ka theksuar gjithashtu 204 muajt, 6205 ditët dhe 148920 orë sa kanë kaluar që kur emrat e shënuar në listën e bardhë morën emrin të pagjetur.

Aktiviteti ka ardhur si rikujtim për të pagjeturit një natë para Ditës Ndërkombëtare për të Pagjeturit e cila shënohet me 27 prill.