Vetura e Policisë para shtëpisë së të dyshuarit për vrasjen dhe plagosjen në Marmull të Gjakovës - 14.03.2019 - Foto KALLXO

Video: Pas vrasjes në Marmull, kryeprokurori kërkoi që policia ta ruaj shtëpinë e të dyshuarit

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua reportazhi dhe aksioni i prokurorisë dhe policisë në lidhje me ngjarjes e së martës mbrëma ku në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës u vra Tunë Bezhi e u plagos Anton Nikollaj.

 

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, ka treguar se cilat prova i  kanë paraqitur në kërkesën për paraburgimin e të dyshuarit.

“Meqenëse i involvuar në këtë rast është ky person, ka të bëj me tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë dhe armëmbajtje pa leje. I pandehuri dyshohet për tri vepra penale”, tha Selimaj.

Selimaj tregoi edhe për dëshmitë e marra.

“Kemi katër dëshmi të katër dëshmitarëve e kemi armën, disa gëzhoja, të cilat rrjedhin nga një armë automatike, si dhe veprimet e tjera. Konsiderojmë se dyshimi është i bazuar se i dyshuari është kryerësi i kësaj vepre penale pasi që kemi prova të mjaftueshme që të kërkojmë nga gjykatësja që të caktohet paraburgimi”, tha Selimaj.

Ai tregoi edhe arsyen e konfliktit.

“Nga raportet fillestare dhe dëshmitë e sjellura nga policia mund të konstatojmë se motivi është pronësor. Këtë e dëshmojnë deklaratat e dëshmitarëve që janë intervistuar nga policia të cilët thonë se krejt çështja është sjell rreth një prone dhe ka ardhur deri te kjo vrasje.

Gjithashtu familja e të pandehurit që nga e marta është nën mbikëqyrje të policisë.

“Ne kemi siguruar familjen e të pandehurit. Familja e të pandehurit është nën mbikqyrje të policisë”, tha Selimaj.