Glauk Konjufca, Donik Sallova dhe Albin Kurti

Vetëvendosjes i bashkohet një politolog

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë të ditur se partisë që ai drejton, sot i është bashkuar edhe një doktor i shkencave politike.

Përmes rrjetit social Facebook, Kurti ka treguar se bëhet fjalë për Donik Sallovën, të cilin sipas tij, e mirëpritën bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca.

“Nga viti 2013, Donik Sallova punon si profesor në Fakultetin e Administratës Publike të Kolegjit AAB. Studimet themelore për shkenca politike i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ato postdiplomike për teori politike në Universitetin e Tiranës. Doniku është 32 vjeçar.”, ka shkruar ai.

Tutje Kurti ka treguar edhe përgatitjen akademike të Sallovës dhe për kontributet e tij si politolog.

“Në vitin 2017, ai ka mbrojtur disertacionin e doktoraturës me temën “Politika e ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar”. Prej shumë vitesh është kontributor në opinionin publik si politolog me analiza, kolumne dhe opinione për zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri dhe trevat tjera shqiptare. Ka të botuar disa artikuj shkencorë me tematika mbi çështjet e identitetit kombëtar, decentralizimit etnik në Kosovë, politikave denacionalizuese të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, sfidave të shtetndërtimit të Kosovës dhe domosdoshmërisë së bashkimit kombëtar etj.”, thuhet tutje në njoftimin e tij.

I pari i LVV-së tutje ka deklaruar se me Donik Sallovën në Vetëvendosje janë më të fuqishëm dhe më të sigurt drejt sfidave dhe fitoreve të reja.

Albin Kurti në Facebook