UP Ul Shumën e Bursave për Studentët (Dokument)

Në kohën kur kryeministrit iu dyfishua paga e ministrave pothuajse iu dyfishua, studentët e suksesshëm në Universitetin e Prishtinës do të duhet t’ia dalin me një bursë më të vogël sesa vitin e kaluar.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim për uljen e shumës së bursës që u ofrohet studentëve të suksesshëm në nivelin Bachelor.

Në një vendim të siguruar nga KALLXO.com të datës 27 dhjetor thuhet se bursat që do t’u shpërndahen studentëve për vitin akademik 2017/2018 do të jenë në shumën 500 euro.

Kjo shumë vitin e kaluar ka qenë 600 euro, ndërsa vite më parë, shuma e një burse universitare ka arritur afro 1.000 euro.

Esat Kelmendi, Sekretar i Përgjithshëm në UP për KALLXO.com tha se një prej arsyeve për këtë vendim është ulja e të hyrave që universiteti merr nga pagesat e studentëve që shkakton kufizime buxhetore për këto bursa.

“Numri i madh i përfituesve të bursave në njërën anë dhe në anën tjetër numri i madh i studentëve që lirohen nga pagesat administrative për shkak që u takojnë kategorive të caktuara që përfitojnë të drejtën e lirimit. Duhet ta keni parasysh se të gjitha këto mjete janë të një kategorie që po e bën të pamundur vlerën më të lartë të bursave”, tha Kelmendi.

Ai po ashtu potencoi se studentët tani paguajnë më pak për qëndrim në konvikte dhe ushqim në Mensë dhe studentët e vitit të parë nuk kanë detyrime të pagesave administrative.

Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi te studentët bursistë dhe organizata studentore.

Elion Kollqaku, student i vitit të tretë në Fakultetin Filologjik të UP-së dhe bursist i vazhdueshëm e konsideron këtë vendim tejet të padrejtë.

“Kjo bursë më nuk e motivon asnjë student të punojë, dhe e ka mesazhin e qartë që UP-ja nuk do të të shpërblejë ashtu siç duhet, edhe po pate rezultate shumë të larta. Është shumë interesante se si çdo vit, çmimi i bursave po shkon duke u zvogëluar, ndërkohë që standardi i jetës së një studenti vetëm ka kosto më të lartë. Fatkeqësisht, bursa në fund po shndërrohet në lëmoshë e jo shpërblim.”, tha Kollqaku.

Dhjetë ditë më parë, Qeveria e Kosovës mori vendim për të rritur dhe gati dyfishuar rrogën e kryeministrit dhe vartësve të tij.

Këtë vendim, Kryeministri e kishte arsyetuar me nevoja për të blerë rroba të shtrenjta, të cilës qytetarët iu përgjigjën duke i dërguar kravata dhe këmisha te objekti i Qeverisë së Kosovës.